Guterres paralajmëron kundër rrezikut për një luftë me Korenë e Veriut
ATSH-AFP/
20 Shtator 2017
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shpreh për një botë pa armë bërthamore duke paralajmëruar kundër rrezikut për një luftë me Korenë e Veriut.
Në fjalimin e parë para rreth 130 presidentëve dhe kryeministrave të pranishëm në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme, kreu i OKB-së nënvizoi se zgjidhja me Phenianin duhet të jetë politike dhe se nuk duhet të zhytemi në luftë.
“I kërkoj Këshillit të Sigurimit të ruajë unitetin e tij në krizën me këtë vend”, shtoi Antonio Guterres duke hapur zyrtarisht në Nju Jork Asamblenë e Përgjithshme të përvitshme të Kombeve të Bashkuara që mbledh 193 shtete.
“Vetëm uniteti do të mundësojë denuklearizimin e Gadishullit Korean dhe (-) krijimin e mundësisë për një angazhim diplomatik për zgjidhjen e krizës”, theksoi ai.
Ndërkohë që Koreja e Veriut ka dyfishuar eksperimentimet bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike, Këshilli i Sigurimit ka shtuar që prej kësaj vere rezolutat duke i vendosur Phenianit sanksione ekonomike më të ashpra.
Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka treguar deri tani se beson realisht në procesin e sanksioneve për të shtyrë Korenë e Veriut në një tryezë negociatash. Ai ka përsëritur disa herë mundësinë për përdorimin e forcës për të mposhtur Phenianin.
“Më gjerësisht, të gjitha vendet duhet të tregojnë një angazhim më të madh drejt objektivit universal për një botë pa armë bërthamore”, bëri të ditur Antonio Guterres.
“Shtetet që posedojnë armë bërthamore kanë një përgjegjësi të madhe për të drejtuar këtë lëvizje”, theksoi ai duke shprehur keqardhje se përhapja e armëve bërthamore krijon një rrezik të paimagjinueshëm.
Nesër, shtetet e para do të fillojnë nënshkrimin në OKB të një traktati që ndalon armët bërthamore. Më shumë se 120 vende e kanë miratuar këtë traktat në fillim të verës, që parashikon riforcimin e mospërhapjes së armëve bërthamore.
Kjo iniciativë është hedhur poshtë nga vendet e pajisura me armë bërthamore dhe veçanërisht nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit (SHBA-ja, Rusia, Britania e Madhe, Franca dhe Kina).
Ndaje me miqte