Policia e Korfuzit ka dhene detaje mbi veprimtarinë e një grupi trafikantësh të drogës, të përbërë nga grekë dhe shqiptarë, që kishin përfituar më shumë se 480 mijë euro nga veprimtaria e tyre. Sipas policisë, grupi importonte sasira të mëdha heroine nga Shqipëria, të cilat, pasi i përpunonte, i shpërndante në tregun grek, kryesisht në ishullin e Korfuzit. Policia thotë se janë dashur disa muaj pune intensive, ku janë përdorur metoda dhe teknike të posaçme hetimi, për të identifikuar dhe verifikuar rolin dhe aktivitetin e secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal. Dosjet penale janë hartuar për 28 persona, 15 grekë dhe 13 shqiptarë. Janë arrestuar deri tani 21 prej tyre, dhjetë prej të cilëve muajin e kaluar, që aktualisht ndodhen në burg. Ndërsa 4 shtetas shqiptarë dhe 3 grekë janë shpallur në kërkim. 9 persona të tjerë, grekë e shqiptarë, u arrestuan këtë fundjavë. Grupi kishte një strukturë hierarkike, të ndarë në tre nivele. Krerët e tij ishin 3 shtetas shqiptarë të moshës 45, 35 dhe 29 vjeç, të cilët, nga Shqipëria ku ndodhej baza e tyre, koordinonin gjithë veprimtarinë. Në nivelin e dytë ishin dhjetë persona të tjerë, që merreshin me vjeljen e parave të trafikut, transportin e drogës, magazinimin dhe përpunimin e heroinës. Pjesë e këtij grupi ishte laboratori që u zbulua muajin e kaluar në qytezën Etoliko, midis Agrionios dhe Mesolongit. Aty ishin sekuestruar 4,8 kg heroinë. Niveli i tretë përbëhej nga shpërndarësit e drogës, ku janë identifikuar 15 persona, kryesisht shtetas grekë. Autoritetet thonë se grupi kishte trafikuar brenda vitit të fundit të paktën 12 kg heroinë, dhe përfitimi financiar përllogaritet në 480.000 euro.