&ldquoFinancial Times&rdquo: Arti i shtetndërtimit në Shqipëri
25 Korrik 2015
Gazeta prestigjoze “Financial Times” i ka kushtuar një artikull të gjatë pamjes së re të Kryeministrisë së Shqipërisë, me drita LED, kërpudha në oborr dhe vepra të ndryshme arti në holl.
Në reportazhin e gjatë nga Tirana, gazetari Peter Aspden, përshkruan me detaje ndryshimin e ardhur përmes dorës së kryeministrit artist në godinën e epokës komuniste, ndërsa Rama i tregon histori edhe për gjyshen e tij dhe marrëdhënien e saj me artin, si dhe i ofron pijen aq të dashur për shqiptarët, rakinë.
Gjithçka nis sigurisht me vizitën në Tiranë të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila mirëpritet në kryeqytetin shqiptar përveç se me pompozitetet e nevojshme të një vizite shtetërore, edhe me një sërë veprash arti, mes tyre edhe një shtrëngim duarsh i papërfunduar, vepër e realizuar nga bashkëkombësi i saj Tomas Demand.
Sipas “Financial Times”, kjo ishte një gjetje që befasoi këndshëm kancelaren. Në oborrin e kryeministrisë, skulptura e kërpudhës gjigante trellojshe, vepër e artistit suedez, Karsten Hëler kap vëmendjen e reporterit britanik.
Sipas Ramës, kolazhi i tre kërpudhave, një e ngrënshme, një helmuese dhe një haluçinante, përkufizon më së miri politikën shqiptare.
Nuk mund të shpëtojë pa një koment edhe modifikimi i hyrjes së kryeministrisë, me kolazhin e dritave LED, dizajnuar nga francezi Filip Pareno, vepër që sipas gazetës britanike, është sinjali i një jete të re që ka nisur në një godinë, e cila prej vitesh kishte mbetur në errësirën e diktatit komunist.
Këtë shkrim e ka komentuar edhe Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social “Facebook”, ku nënvizon se kjo hapësirë që prestigjozja Financial Times i ka kushtuar artit në Kryeministrinë shqiptare është një arsye për t’u ndierë mirë që flitet kaq pozitivisht për Shqiërinë.
“Hapësira krejt e veçantë e prestigjiozes Financial Times dhe pena e një gazetari ndër më të shquarit e faqeve të kulturës e të artit në botë, janë një arsye për t’u ndjerë mirë që bejmë të flitet kaq mirë për Shqipërinë. Kjo jehonë e posaçme e operacionit tonë më të fundit, për ta kthyer katin e parë të kryeministrisë në një hapësirë publike të dialogut e komunikimit përmes artit, kulturës, librit, muzikës, filmit e debatit, si dhe vlerësimi i lartë që i bëhet veprave artistike, të cilat tanimë janë pjesë e qënies së godinës së kryeministrisë, me siguri do t’i pëlqejë edhe kujt nuk i kurseu dot të sharat sapo u çelën dyert e COD-it (Center for Openess and Dialogue).
Ndaje me miqte