Filloi blerja e ensimave. Lehtësira dhe telashe për emigrantët...
07 Qershor 2016
Tashmë është fakt. Emigranti i parë shqiptar që kishte aplikuar për leje për arsye të jashtëzakonshme i ka blerë ensimat e nevojshme dhe është pajisur edhe me libër shëndeti. Ia vlen të thuhet se ai është jo vetëm i pari ndër shqiptarët, por ndër të gjithë emigrantët që ndodhen në Athinë...
Lajmi vjen te Tribuna nga ndërmjetësi ndërkulturor Fatos Malaj, i cili na dërgoi edhe fotografitë e faturave të pagesës e të librit të shëndetit. (Me këtë rast e falënderojmë për gjithë ndihmesën që na ka ofruar dhe do të ofrojë edhe në të ardhmen, që bashkatdhetarët të informohen në mënyrë profesionale dhe tejet të saktë për ato probleme të tyre që lidhen me lejen e qëndrimit, por edhe të tjera).
Në fakt, entet e sigurimeve shoqërore duhej të avanconin shumë më herët që ofrimin e mundësisë që emigrantët të blinin 50 ensimat e nevojshme, por procesi u vonua për shkak se shërbimet përkatëse kërkonin kohë që të përgatiteshin, siç ishte thënë.
Gjithsesi, shërbimi i emigracionit i pajiste aplikantët me vërtetimin blu (në rast se plotësonin gjithë kërkesat e tjera), me kusht që sapo të blinin ensimat të shkonin e të dorëzonin vërtetimin, që procesi të pëmbyllej e të bëhej gati pulla me lejen e qëndrimit.
Bashkatdhetari ynë B.K., shkoi të martën në degën e IAK-s në Neo Kosmo Athinë dhe bëri pagesën prej 346,23 cent. Siç tregojnë edhe fotografitë, ai menjëherë u pajis me vërtetimin përkatës, ku thuhet:
“I njihen të interesuarit 50 (pesëdhjetë) ditë siguracion për pension dhe sëmundje, pas pagesës së shumës prej treqind e pesëdhjetë euro dhe njëzetetre cent, që u shlye menjëherë”.
Krahas vërtetimit, ai u pajis edhe me librezën shëndetësore.
Kush ka të drejtë të blejë ensima?
Të drejtën për të blerë ensima në IKA e kanë vetëm ata persona që aplikojnë pranë periferisë, domethënë që kanë patur dikur leje qëndrimi, e cila ka skaduar gjatë dhjetë viteve të fundit.
Përndryshe, kjo përcaktohet në nenin 8 të ligjit 4332/2015, ku ndër të tjera thuhet:
“Kushtet për të aplikuar për leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme janë: i)posedimi i pasaportës, qofte dhe sikur të ketë skaduar
ii)pagesa e taksës (paravolo) me vlerë 300 euro.
Mbulimi me sigurime shoqërore. Për të përmbushur këtë kusht, të interesuarit kanë mundësinë që të blejnë numrin e nevojshme të ditëve të siguracionit, me qëllim që të kenë siguracion të plotë”.
“Bir Selman i nënës”...
Saktësohet se blerja e ditëve të siguracionit, duhet bërë te enti i sigurimeve shoqërore me të cilin kishte lidhje i interesuari para se të humbiste të drejtën e lëejes së qëndrimit. Kështu dikush që kishte qenë te IKA shkon sërish në IKA, ai që ishte në OGA shkon serish te OGA, apo ai që ishte në OAEE (TEVE) shkon përsëri aty dhe bën kërkesën për blerjen e ditëve të siguracionit.
Një tjetër gjë që duhet patur parasysh është që nëse edhe pjesëtarët e familjes së të interesuarit (që i ka nën mbrojtje), ata duhet të blejnë secili më vete, 50 ditët e siguracionit.
Dhe telashet vazhdojnë:
Kur i interesuari paraqitet në degën e IKA-s, duhet të paraqesë, përveç AFM, AMKA dhe vërtetimit blu, edhe vendimi i refuzimit të lejes së qëndrimit (“Aporipsi”), nëse për këtë arsye nuk ka mundur të rinovojë lejen e qëndrimit dhe për këtë arsye e ka humbur.
Pagesa e shumës prej 346,23 euro duhet bërë në bankën ku ka llogari bankare i interesuari.
Në rast se nuk ka llogari bankare duhet të shkojë në Ethniki Trapeza dhe të hapë llogari e pastaj të bëjë pagesën.
Tribuna
Ndaje me miqte