Fatos Malaj: &ldquoNë Parlament për nënshtetësinë një mrekulli e vogël që duhet përshëndetur&rdquo
14 Qershor 2015
Fatos Malaj, një emër shumë i njohur ndër gjithë emigrantët, sidomos ata të Athinës, ka qenë një nga përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në seancën parlamentare të së mërkurës, gjatë diskutimit në komisionet parlamentare të administratës publike dhe rendit, e tregtisë dhe ekonomisë, të projektligjit për dhëjien e nënshtetësisë brezit të dytë.
Tribuna-news kërkoi nga zoti Malaj që të ndante me publikun përvojën e tij nga kjo seancë, nisur dhe nga fakti se rrallë, për të mos thënë asnjëherë, zëri i emigrantëve dëgjohet në “sallonet” e ligjvënësve grekë. Prandaj dhe Fatos Malaj e quan këtë ngjarje si “një mrekulli të vogël” nga ato që ndodhin ndonjëherë edhe në këtë Greqisë e mastiguar nga kriza.
Trobuna-news e falënderon zotin Malaj për këtë angazhim, por edhe për gjithë kontributin që jep në dobi të mbarëvajtjes së çështjes së emigracionit shqiptar në Greqi. / Tribuna-news
Do të mbetet historike dita e diskutimit te hapur në komisionin e posaçëm të parlamentit me përfaqësues të institucioneve kompetente dhe organizata emigrantësh, për projektligjin e nënshtetësisë së brezit të dytë. Në një periudhë kritike, mes krizës ekonomike e sociale që po përjeton ky vend, ndodhin dhe mrekulli të vogla, që duhen përshëndetur nga të gjithë ne. Një të tillë e konsideroj dhe takimin tonë në parlament, bashkë me të gjitha sa u thonë, pro apo kundër, që kryesisht ishin pro.
Projektligji u miratua në parim të njëjtën ditë, pak orë më vonë, në një tjetër seancë plenare të bujshme. Por lajmi, pavarësisht prapashtesave, shkakton sadisfaksion të thellë.
Tashmë mbetet diskutimi dhe miratimi i neneve, për këtë duhet të jemi të gjithë të përgatitur se do të ketë mjaft ndryshime, madje drafti i derisotshëm mund të ketë dhe tjetër formë pas miratimit. Megjithëse, thelbi mbetet i njëjtë, ndryshimet për të cilat shkruaj do të kufizojnë apo zvogëlojnë akoma më tepër numrin e përfituesve. E di që kjo nuk është e drejtë, por sot flasim për një të drejtë të mohuar që fitohet. Siç kanë deklaruar dhe vetë qeveritarët e SYRIZA, çështjes do t’i rikthehen sërish, sepse do të jetë e nevojshme.
Përveç diskutimeve serioze nga pjesëmarrës të të gjitha organizmave që ishin të shumta, natyrisht nuk munguan dhe nuancat “gudulisëse”. Nuk i shmangemi dot, për sa kohë do të mbizotërojë absurditeti i ekzistencës së “Agimit të Artë” në parlamentin grek. Kundër pranisë tonë në parlament, kundër të gjithëve në përgjithësi, organizatës së emigrantëve “Arogi” (Përkrahje) në veçanti, sipas dhe qëndrimit të kryetarit të seancës.
Vetë e thanë, vetë e dëgjuan! Ne ishim aty, folëm dhe dëgjuam, dorëzuam vërejtjet dhe sugjerimet tona dhe mbajtëm shënime. Misioni u krye me sukses, tani të presim dhe rezultatin.
Dy ishin pikat ku u ndalëm si “Arogi” (Përkrahje), jo se nuk kishte të tjera, do të mund të flisja e analizoja me orë të tëra, por koha ishte e ndarë për të gjithë, gjatë mbi 4 orëve që qëndruam e ku, duhet të them se u dëgjuan të gjitha problematikat ekzistuese.
E para, kërkova kohë për sa kanë kryer apo përfunduar 12 vite shkollë fillore-të mesme në periudhën 2000-2012, të cilët me 3-vjeçarin e të drejtës të aplikosh për nënshtetësinë greke, përjashtohen automatikisht. Shpresoj se në diskutimet e neneve, do të tërhiqet kjo pikë pa kuptim.
E dyta, ligji hyn në fuqi me shpalljen (publikimin) në fletoren zyrtare, por jo për të gjitha nenet është i mundshëm zbatimi i menjëhershëm. Sidomos për nenin 19 - për arsye të jashtëzakonshme- unë e shoh të pamundur të jenë gati të gjitha organet kopetente, pasi do duhen “ensima”, libër shëndeti, nëpunës të informuar për procedurën e re. Nuk bëhen këto për 2 javë. E vetmja gjë që arrihet brenda kaq kohe është një përsëritje e mirë e radhëve pafund të vitit të kaluar, netë duke u gdhirë në dyert e zyrave të shërbimit të emigrantëve e të gjitha sa duam të harrojmë. Të paktën në “Petru Rali” i kemi akoma të freskëta imazhet e sa kacavirreshin nëpër hekura në mes të natës për të siguruar numrin!!!
Kështu që kërkuam të japin më tepër kohë parapërgatitjes së zbatimit të disa neneve, veçanërisht në nr19 për të siguruar dhe shërbimin në kohë.
Ndërhyrjet tona vazhdojnë, pavarësisht ecurisë së diskutimit të projektligjit në parlament. Për të gjitha çështjet preokupuese të emigrantit dhe çdo ditë. Jeni të mirëpritur në diskutim e shkëmbim mendimesh apo paraqitje problematike.
Ndaje me miqte