Eshtë &ldquotradhëti&rdquo nëse futbollistët e Kosovës nuk luajnë për Kosovën
Enver Bytyçi
19 Gusht 2016
Gjithçka kisha pritur në diskursin e Andi Bushatit dhe disa të tjerëve kur ata bëjnë komente, por nuk kam menduar kurrë se ata mund ta përdorin ndonjëherë fjalën “tradhëtar”. Në një koment të botuar te Koha.net Bushati e ka cilësuar Milot Rashicën si “tradhëtar të mërzitur”. Dhe jo vetëm kaq, ai luan dhe tallet me prindët e Rashicës për emrin që i kanë vënë të birit, për të shprehur më në fund shqetësimin e tij që po largohen nga kombëtarja e Shqipërisë.
Nuk dua të abuzoj me interpretime dhe arësyetime pse Bushati sillet kësisoj për herë të parë në jetën e tij publicistike. Por për një gjë jam i sigurt: Andi Bushati e urren përdorimin e fjalës “tradhëti” për shumë e shumë arësye. E përdori këtë sot kundër talenteve të futbollit shqiptar që kanë vendosur të luajnë për kombëtaren e Kosovës dhe këtë e shoh si një akt të paprecedent cinizmi dhe poshtërsie. Më poshtë dua që ta argumentoj këtë arësyetim:
Së pari, asnjë nga lojtarët e kombëtares së Shqipërisë me origjinë nga Kosova nuk ka qenë shtetas i Shqipërisë para se të luante me fanellën kuq e zi. Ata janë produkt i shkollës europiane të futbollit. Ata janë marrë të gatshëm prej andej, pa investuar asnjë cent për ta, për t’i përdorur në emër të flamurit, por jo në emër të atdheut.
Së dyti, nga kjo që thashë më lart më del përpara një dilemë: Kush është më i rëndësishëm atdheu apo flamuri? A do të kishte flamur pa atdhe? Dhe prej këtej do të shkoja te përfundimi tjetër: Kë kanë atdhe lojtarët e Kosovës që luajnë me kombëtaren e Shqipërisë. Shqipërinë apo Kosovën? Atdheu im është vendlindja ime. Prej këtu fillon e zgjerohet rrezja e atdheut deri në kufijtë shtetërorë e më pas deri në kufijtë etnikë. Por nëse nuk do të kisha një vendlindje, e cila të më lidhë pas saj përmes kujtimeve, përmes familjes së madhe, të atyre që jetojnë e atyre që nuk jetojnë, ndjesia ime për atdheun e për kombin nuk do të ishte kjo që është sot. Kësisoj duhen gjykuar edhe furbollistët e Kosovës. Atdheu i parë i tyre është vendlindja, Kosova, pastaj vjen Shqipëria. Nëse nuk do ta duan Kosovën, ata nuk kanë për ta dashur as Shqipërinë.
Së treti, nga ajo që shpjegova në pikën e dytë rrjedh dhe logjika e shërbimit që i duhet bërë atdheut. Unë shtroj pyetjen: Këta futbollistë, Rashica, Shala, Meha etj i shërbejnë kombit më mirë duke luajtur me kombëtaren e Kosovës, apo me kombëtaren e Shqipërisë?! Argumenti im shkon në favor të lojës për Kosovën. Pse? Ne pamë në rastin e Majlinda Kelmendit se sa e rëndësishme është që Kosova të shfaqet me dinjitet në opinionin ndërkombëtar. Nëse futbollistët e kombëtares së Shqipërisë me origjinë nga Kosova shkojnë e luajnë për Kosovën, atëherë është plotësisht e mundëshme që ata ta çojnë këtë kombëtare në kampionatin botëror të futbollit të vitit 2018 që luhet në Rusi. Eshtë njëmijë herë më mirë që në këtë kampionat të përfaqësohet Kosova sesa Shqipëria, sepse Kosova ka nevojë njëmijë herë më shumë sesa Shqipëria të promovohet si shtet e të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Unë nuk them se Prishtina ze vend në OKB thjesht nga fama që merr vendi prej skuadrës së kombëtares së saj. Por kjo do të ishte një sfidë kombëtare shumë herë më e madhe sesa loja me kombëtaren e Shqipërisë.
Së katërti, unë nuk i përkas atyre që besojnë si në kohën e diktaturës se “Një Shqipëri e fortë (edhe në futboll) do të thotë një Kosovë e fortë. Përkundrazi, për mua “një Kosovë e fortë”, konkuruese dhe e denjë për sukses mbarëbotëror, do të ishte një ndihmë e madhe edhe për Shqipërinë. Jam nga ata që kam shfletuar dhjetramijë dokumente e botime për shqiptarët në Gjermani e Austri. Ju them me përgjegjësi se dy të tretat janë për Kosovën, vetëm një e treta ose edhe më pak shkruan e flet për Shqipërinë. Kosova ka një rëndësi politike e strategjike shumë më të madhe ses Shqipëria. Kosova në të ardhmen do ta tërheq Shqipërinë drejt suksesit më shumë sesa e ka bërë këtë ose do ta bëjë në të ardhmen Shqipëria. Dhe Bushati e di se Shqipëria ka patyur vëmendje të veçantë në aspektin ndërkombëtar në këtë njëçerek shekulli, kryesisht për shkak të Kosovës. Atëherë pse duhet të jemi kaq driteshkurtër dhe të shkruajmë nisur nga interesa të caktuara mediokre ose më keq akoma korruptive?!
Së pesti, për Kosovën është investuar shumë që ajo të bëhet pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s. Këto dy federata nuk mund të njohin një kombëtare për dy shtete. Në të kundërt, pse duhej investuar për pranimin e Kosovës në FIFA e UEFA?! Derisa nuk mund të ketë një kombëtare dhe futbollistëve nga Kosova u duhet të zgjedhin, ata duhet me patjetër të zgjedhin Kosovën. Nëse nuk zgjedhin Kosovën do të mund të shkonte ajo fjala magjike që Bushati nuk e ka përdorur kurrë në jetën e vet në kuptimin real të saj, pra fjala “tradhëti”. Nëse përdorimi i kësaj fjale është bërë për të sensibilizuar futbollistët e tjerë, që ata të mos braktisin kombëtaren tonë, unë marr guximin të shkruaj me të madhe e të them me zë të lartë se futbollistët nga Kosova që nuk do të luajnë me Kosovën do ta meritonin ndoshta këtë epitet. Prandaj u bëj thirrje të gjithë lojtarëve futbollistë që luajnë më Shqipërinë, Zvicrën e kudo tjetër, të regjistrohen me urgjencë në kombëtaren e Kosovës dhe të derdhin gjithë talentin e tyre për të shkuar në botëror e për ta nderuar atdheun e tyre në këtë event të jashtëzakonshëm.
Të gjithë këta, Etrit Berisha, Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Debatik Curri, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Migjen dhe Vullnet Basha, Taulant Xhaka, Ermir Lenjani, Valdet Rama, e Shkëlzen Gashi, si dhe Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e të tjerë në kombëtaren e Zvicrës, apo Januzaj do dëshmonin patriotizëmin më të madh në jetën e tyre, nëse do të nisen e mbërrijnë sa më shpejt në Prishtinë. Asnjë hezitim nuk duhet të kenë. U bëj thirrje që të mos tundohen dhe të dyzohen nga komente e deklarata idiote, si ajo e Andi Bushatit, port ë vendosin me shpejtësi e t’I japin Kosovës shpresën e madhe të promovimit të vlerave që ajo ka.
Nuk po merrem me interpretimet e çeshtjeve financiare, me të cilat merret Bushati në atë koment të tijin. Dua të them troç he pa doreza: Vendi i lojtarëve nga Kosova është e duhet të jetë në kombëtaren e Kosovës. Historia do t’i ndëshkojë, nëse ata do të bëjnë një zgjedhje tjetër!
Ndaje me miqte