Eksperti u përgjigjet pyetjeve të lexuesve për ligjin e ri
02 Nentor 2015
Ashtu siç ju kishim paralajmëruar, Tribuna ka bërë një përmbledhje të pyetjeve të dërguara nga lexuesit dhe iu drejtua për të marrë përgjigje zotit Fatos Malaj, një ekspert i njohur i çështjeve të emigracionit, ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të emigrantëve Athinë A, dhe njëherazi kryetar i organizatës së emigrantëve “Arogji-Përkrahja”. Sigurisht, kemi përzgjedhur pyetjet më përfaqësuese, që në një farë mënyre përfshijnë paqartësitë më të shpeshta që na kanë shprehur lexuesit.
Tribuna, vazhdon të mbetet në dispozicion të lexuesve të saj, për të informuar me saktësi për gjithçka që i preokupon ata.
PYETJE: Bashkëshorti im është me Idiki Veveosi; njëkohësisht ka edhe gjyq të hapur, ngjit ensima dhe bën deklaratën e të ardhurave vjetore. Unë jam pa letra, po kam lindur fëmijë në Greqi, ku vazhdoj të jetoj. A do të kem mundësi për të bërë letrat? Nëse po, çfarë më nevojitet për të aplikuar. Kur erdha në Greqi erdha me pasaportë (3 mujorshen) dhe nuk u ktheva më pas.
PERGJIGJE: Nëse bashkëshorti juaj ka vetëm Idiki Veveosi nuk mund të aplikoni, edhe pse keni lindur fëmijë këtu. Sepse idiki veveosi nuk është leje qëndrimi e fuqishme (ishisros titlos), por e përkohshme.
PYETJE: Kam lindur dy fëmijë në Greqi, në vitin 2008 dhe në 2014. Mirëpo që kur u liberalizuan vizat shkoja dhe vija në Shqipëri. Në fakt kam ndenjur më shumë se 6 muaj dhe tani më thonë në periferi që nuk përfitoj leje qëndrimi për bashkim familjar, pikërisht pse kam ndenjur më shumë se 6 muaj në Shqipëri. Si i bëhet tani?
PERGJIGJE: Ju nuk mund të përfitoni leje për bashkim familjar, pse keni qenë më shumë se 6 muaj jashtë Greqisë. Por ju mund të aplikoni në ministrinë e brendshme për leje për arsye të jashtëzakonshme.
PYETJE: Mund të na shpjegoni për ne që kemi hapur gjyqe, përse duhet të vazhdojmë me gjyqe, përderisa mund të aplikojmë e të marrim veveosin blu. Keni shkruar në artikull, por s’po kuptojmë se çfarë na pret. Do legalizohemi si gjithë të tjerët, apo do të varemi nga vendimi i gjyqeve. Kemi 5 vjet me idiki veveosi. Dhe diçka tjetër: Shkova dhe pyeta në periferi “po ne që jemi me gjyqe” e më bërititën “nga i nxirrni këto, ne nuk kemi urdhër të tillë, ju vetëm në ministri i mbyllni”... Hajde merre vesh të vërtetën.
PERGJIGJE: Kush ka gjyqe, mund të aplikojë për arsye të jashtëzakonshme në periferi, por pa bërë dorëheqje nga gjyqi. Sepse, po të bëjnë dorëheqjen nga gjyqi, humbin vitet e mëparshme të qëndrimit, që mund t’iu hyjnë në punë për të marrë lejen dhjetëvjeçare apo statusin e rezidentit afatgjatë. Domethënë, fillojnë procedurën me leje qëndrimi nga e para nëse nuk bëjnë dorëheqje dhe shkojnë me vërtetim blu kur të përfundojë gjyqi dhe fitojnë, do të marrin gjithë lejet e mëparshme, por humbasin paravolot që paguan për lejen e jashtëzakonshme.
PYETJE: Kam qenë me dokumenta nga viti 2006 deri 2012. Në 2012 mora një deportim (apelasi) nga shteti zvicerian. A ka mundësi t’i bëj sërish dokumentet?
PERGJIGJE: Ju mund t’i bëni dokumentet nëse apelasi ishte pse ndodheshin si i paligjshëm dhe nëse nuk keni munguar më shumë se 2 vjet nga Greqia pesë vitet e fundit.
PYETJE: Kam ardhur në Greqi në 2005 dhe për t’u legalizuar i mbylla letrat me vizë fallco me ndihmën e një avokateje. Mora veveosi blu dhe nxorra AFM. Por pas një viti, kur do të dilte leja e qëndrimit, më vunë apelasi, po unë nuk shkova ta marr. Nuk e di se sa vite apelasi kam marrë. Nuk kam shkuar fare në Shqipëri që nga momenti i daljes së apelasit. As pasaportën biometrike nuk e kam nxjerrë akoma, kam vetëm 10 vjeçaren e kuqe që ka mbaruar. Ju lutem, më ndihmoni, a kam shpresa për t’u legalizuar në këtë gjendje që jam. Ju lutem, më shpjegoni rrugën që duhet të ndjek, se kam kaq vite pa dokumenta.
PERGJIGJE: Ju mund të aplikoni në ministrinë e brendshme për leje për arsye të jashtëzakonshme, me kusht që apelasi të jetë vetëm për hyrje dhe qëndrim të paligjshëm në Greqi. Dhe gjithsesi, duhet të nxirrni sa më parë pasaportën biometrike në ambasadë në Athinë.
PYETJE: Unë kam patur numër AFM origjinal para 8 vjetësh, por më ka humbur. Nëse futet emri në kompjuter, a del numri? Dhe a është e mjaftueshme kjo për të bërë dokumentet?
PERGJIGJE: Me numrin e AFM ju vërtetoni se keni të paktën 7 vjet në Greqi dher mund të aplikoni në ministrinë e brendshme për leje të jashtëzakonshme.
PYETJE: Kam marrë një leje qëndrimi në 2004. Po pastaj pata tre apelasi: më 2005, 2010, 2012. Kam qenë gjatë gjithë kohës në Greqi. A mund të aplikoj për dokumenta?
PERGJIGJE: Lejet e 2004-s kanë marrë shtyrje deri 2006-n. Mund të shkoni në periferi, të vërtetoni se keni qenë gjatë gjithë kohës në Greqi. Në të kundërt, mund të aplikoni në ministri. Por KUJDES: Apelasi duhet të jetë vetëm për mungesë dokumentash qëndrimi, pra hyrje dhe qëndrim i paligjshëm në Greqi.
PYETJE: Unë kam patur apelasi në Greqi dhe doja të dija ku mund të aplikoj për veveosin blu. Unë jam në Shqipëri, mos duhet të aplikoj në ambasadën greke në Tiranë?
PERGJIGJE: Nuk ka lidhje ambasada greke në Tiranë. Nëse apelasi është përqëndrim të paligjshëm dhe nuk jeni larguar për një periudhë më shumë se dy vjet nga Greqia, aplikoni në periferi.
PYETJE: Kam dokumentat e OAED-it që nga viti 1998 dhe leje qëndrimi nga 2006 deri 2011. Por pas 2011 u ktheva në Shqipëri për shkak të papunësisë. A ka mundësi të aplikoj?
PERGJIGJE: Ju mund të aplikoni vetëm në ministrinë e brendshme, për leje për arsye të jashtëzakonshme. Në periferi nuk mundeni, pasi jeni larguar për më shumë se dy vjet nga Greqia.
PYETJE: Në rastin që prindërit kanë qenë të dy të paligjshëm, por kanë lindur një fëmijë në Greqi dhe tani janë kthyer në Shqipëri. A përfitojnë letra fëmija apo prindërit?
PERGJIGJE: Lindja e fëmijës në Greqi nuk ju ndihmon, përderisa keni qenë të paligjshëm. E vetmja që mund të bëni është të aplikoni në ministrinë e brendshme për leje për arsye të jashtëzakonshme, por me kusht që të vërtetoni se keni qenë në Greqi 7 vitet e fundit.
PYETJE: Femijtë që kanë lindur në Greqi dhe janë kthyer në Shqipëri, por i kanë akoma dokumentet, a mund të marrin nënshtetësinë?
PERGJIGJE: Vetëm nëse fëmijtë kanë më pak se dy vjet larguar nga Greqia dhe janë mbi 18 vjeç, kanë lindur apo kanë bërë 9 vjet shkollë në Greqi, mund të aplikojnë.
PYETJE: Nëse të dy prindërit janë pa letra dhe kanë një fëmijë 6 vjeç, a kanë mundësi të marrin leje qëndrimi?
PERGJIGJE: Të dy prindërit mund të aplikojnë për leje të jashtëzakonshme në ministrinë e brendshme, me kusht që të vërtetojnë se kanë qenë në Greqi 7 vitet e fundit.
PYETJE: Në ligj thuhet se përfitojnë vetëm nënat që kanë lindur fëmijë deri më datën 8 korrik 2015. Po pas kësaj date, nuk përfitojnë gjë?
PERGJIGJE: Eshtë vërtet ashtu. Ligji nuk parashikon gjë për nënat që lindin fëmijë pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit.
Tribuna
Ndaje me miqte