Edmont Guri rizgjidhet në krye të FSHSHG
21 Mars 2015
Në datë 15 Mars 2015 zhvilloi punimet Koferenca VII e Asamblesë së Përgjithshme të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, me pjesëmarrjen e delegatëve të 17 shoqatave të ligjëruara, anëtare me të drejta të plota të këtij organizmi. Kjo koferencë mbahet çdo dy vjet, aq sa dhe është mandati i kryesisë së Federatës. Pas hymnit të flamurit, sipas rendit të ditës , hapjen e punimeve e bëri z. Iliaz Bobaj, shkrimtar e publicist i njohur, i ardhur nga Shoqata “Emigranti” e Patrës” ku ndër të tjera u shpreh se sa i rëndësishëm është ky bashkim e kjo frymë mirëkuptimi ndërmjet shoqatave për një Komunitet të shëndetshëm e kërkues së të drejtave të tij. Duke i uruar suksese Koferencës dhe kandidatëve, z. Bobaj deklaroi hapjen e saj.
Zotërinjtë Irfan Abazi, përfaqësues i “Shoqatës së Korinthit”, Niko ?uku, i “Shoqatës së Patrës” dhe znj. Ilsa Mane, ish-Sekretarja e Përgjithshme e F.SH.SH.G-së, u zgjodhën nga Asambleja si presidium i saj për koordinimin e pjesës së parë të rendit të ditës së bashku me znj. Elona Gjergo.
Në vazhdim fjalët përshëndetëse ishin ato të përfaqësisë së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, znj. Enkeleda Mërkuri, Ministre-Këshilltare e Ambasadës, e cila theksoi mbështetjen që Ambasada është e gatshme ti japë Federatës dhe uroi vazhdimësi e suksese duke vlerësuar arritjet e deritanishme të saj.
Përshëndetjet vijuan me fjalën e znj.Kaliri Lia, përfaqësuese e IOM, dhe z. Petro Kostandinu, koordinator i Lëvizjes Kundër Fashizmit dhe Racismit.
Një raport të përgjithshëm mbi aktivitetin e Federatës gjatë dy viteve të fundit, mbajti kryetari aktual i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, z. Etmond Guri ku përmendi takime të nje rëndësie të veçantë me zyrtarë të lartë të instancave Greke e Shqiptare, manifestime e tubime në të cilat është angazhuar Federata, aktivitete të ndryshme kulturore e tradicionale si dhe funksionimin e klasave, asaj të mësimit plotësues së gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve dhe asaj të mësimit të gjuhës angleze për të rritur. Në përfundim, falenderoi shoqatat për besimin e treguar ndaj tij si dhe stafin e kryesisë së F.SH.SH.G-së e cila ka mbështetur dhe ka punuar për arritjet e mësipërme.
Pas z. Etmond Guri , fjalën e mori z. Ardian Xhemali për një raport të imtësishëm financiar të Federatës, ku vuri në dukje ecurinë e këtij seksioni si dhe vështirësitë e hasura gjatë këtyre viteve.
Rendi i ditës u vijua nga pyetje e diskutime prej të pranishmëve. Në këto diskutime u vlerësua puna e kryer prej Federatës dhe u vunë në dukje gabimet që duhen shmangur në vijim.
Në postin e Sekretarit Organizativ për Zgjerimin e FSHSHG-së, z. Irfan Abazi, kërkoi miratimin e pranimit të katër shoqatave të reja në Federatë, pas konfirmimit të ligjërimit të tyre. Asambleja aprovoi dhe miratoi pranimin me të drejta të plota në F.SH.SH.G të shoqatave “Vatra Labe”, “Egjios”, “Santorinit”, “Besa”, shoqata të cilat ju shtuan listës zgjedhore.
Në këtë pikë filloi dhe pjesa e dytë e koferencës, ajo e zgjedhjes së organeve drejtues së Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi që janë Keshilli Drejtues i Asamblesë së Përgjithshme dhe kryetarit të Federatës. Kandidatët për në Keshillin Drejtues (dy nga secila shoqatë) iu përcollën Asamblesë nga znj. Brikena Qama, Sekretare e Komisionit të Organizimit dhe Zhvillimit të Zgjedhjeve (K.O.ZH.Z). Asambleja, si i vetmi organ legjitim për miratimin e Këshillit Drejtues e miratoi atë.
Lista emërore e anëtarëve të Këshillit Drejtues ju dorëzua kandidatëve për postin e kryetarit. Gjithashtu Asambleja miratoi emrat e propozuar nga K.O.ZH.Z, për Komisionin e Qendrës së Votimit të përbërë nga: -Znj. Kristiana Veliu (nga “Shoqata e Patrës”) -Z. Kastriot Lekdushi (nga “Grupi Polifonik Vëllazërimi”) -Z. Dritan Zani (nga “Shoqata e Korinthit”) Në vazhdim znj. Edona Cani, anëtare e K.O.ZH.Z bëri prezantimin e e dy kandidatëve për kryetar të F.SH.SH.G-së, -Z. Etmond Guri (rikandidim i ardhur nga “Shoqata Lushnja”) -Z. Eduard Lako (kandidat i ardhur nga “Shoqata Përmeti”) dhe i ftoi ata për një prezantim të objektivave të tyre, drejtuar Asamblesë.
Z. Guri në fjalën e tij, shprehu dëshirën e mirë për të vazhduar në postin e kryetarit të F.SH.SH.G-së duke paraqitur shkurtimisht synimet e tij për mandatin e ardhshëm.
Z. Eduart Lako, pasi përshëndeti punimet e kësaj Koference, Asamblenë e Përgjithshme por edhe Shoqatën e Përmetit për vlerësimin ndaj tij, bëri të ditur vendimin e marrë prej tij për të dhënë dorëheqjen nga kandidat për kryetar të F.SH.SH.G-së. Pas kësaj, Komisioni i Organizimit dhe Zhvillimit të Zgjedhjeve, vendosi mospranimin e kësaj dorëheqje dhe komunikoi vazhdimësinë e procedurës zgjedhore, të përcaktuar nga ky Komision duke u bazuar në statutin e Federatës.
Kjo procedurë zgjati gati një orë dhe numërimi i votave u bë i hapur. Rezultati nxorri fitimtar z. Etmond Guri me 45 vota pro ndaj 2 votave pro z. Eduart Lako. Z. Etmond Guri përshëndeti punimet e kësaj Koference, falenderoi shoqatat anëtare të FSHSHG, për besimin e treguar, Komisionet Zgjedhore dhe e mbylli fjalën e tij me moton “NE EPIQENDER EMIGRANTI”. Me kaq përfundoi punimet Koferenca e VII e Asamblesë së Përgjithshme të Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi. Mbledhja e rradhës, pritet të jetë ajo e Këshillit Drejtues në të cilën propozohen anëtarët e kryesisë të dalë nga ky Këshill Drejtues. Suksese të mëtejshme Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi dhe kryetarit të saj, z. Etmond Guri.
Për Komisionin e Organizimit dhe Zhvillimit të Zgjedhjeve:
Sekretarja Brikena QAMA
Ndaje me miqte