Duke përcjellë 2015n...
31 Dhjetor 2015
Duke përcjellur vitin 2015, nuk ma ha mendja të ketë njeri, veç politikanëve, që të mos thotë: VAFSH NE DJALL! Me këto tri fjalë kemi përcjellur të gjithë vitet e një çerek shekulli. Njeri më i pështyrë se tjetri. Vendi baktiset nga të rinjët e pleqtë, punësimi është kthyer në ëndërr. Rrugët e kurbetit kanë gëlltitur e po gëlltisin gjithë fuqinë e vendit, shoqëruar nga duartrokitjet tona. Dhe kur bota guxon të mbyllë portat, bërtasim dhe shajmë. Ditët i ngrysim dhe i gdhijmë me lajme të bujshme,- vjedhje, vrasje, grabitje, përdhunime, droga, tregëti shpirtërash të gjalla. Korrupsioni me rrënjë të çuditshme, që nisin nga lartë poshtë, mirë mbahet. Por do ta shkulim nga... poshtë lart, kur të gjejmë ku mbarojnë ato të shkreta rrënjë. Dëgjojmë dhe lexojmë për përmbysje në Drejtësi,- që ne e quajnë DJALLESI,- dhe në parlamentin e kriminalizuar, si thonë vetë baballa(p)rët e kombit.
Duke gjykuar nga vendimi i qeverisë për lëmoshën pensionistëve për vit të ri me 20000 lek... të vjetëruara, duhet të ketë goxha rritje. Mos u habitni që qeveria flet me të vjetrat, e që më 1 janar mbushin plot 52 vjet, që janë hequr nga qarkullimi. Po të thotë 2000 lek, ne pleqtë, që për qeverinë jemi një kategori njerëzish të ksekutjasur (të rrjedhur), do të zëmëroheshim, se do të na dukeshin pak, kurse me një zero të ndryshkur përpara ndryshon puna!... Por ndoshta, ai teleshikuesi që lexoi lajmin për shpërblimin, në ekranet e TV-ve, tha se qeveria na dha të tre zerot e viteve të merhumëve, që i kishin harruar në fund të ndonjë torbe....
Këto të shkreta qeveri në gjysmë shekull, nuk kishin, nuk kanë dhe s’ kanë pse të kenë, lugë të tepërta, që t’i bënin, a t’i bëjnë vend në tavolinë dhe ndonjë fukarai. Dhe ajo lugë e vetmuar hyn te goja që ka më afër, e jo në atë të gjitonit, që hap sytë e lëpin buzët.
Edhe ato pak shpresa, që kishim, të bëheshim Evropianë e të na buzëqeshte një fat i ndryshëm, po veniten dita ditës. Këtu ndodh edhe një çudi tjetër, mbi gjithë të tjerat: Edhe Turqia ngul këmbë të futet në sallonet e Evropës, kurse ne, që gjëndemi ca cm nën kërthizën e kontinentit plak, shtyhemi tutje, në lindje, me mendim ta shohim lindjen e diellit ca orë para të tjerëve, pa çarë kokën se nata do të na zërë po aq orë më shpejt... Hajde merru vesh me ata që kanë frenat në dorë dhe shkelin pedalin e gazit “dërrasë.” Diktatura na kishte gozhduar në vend numëro, (ç)demokracia na detyron të ecim bythapraptazi, si gaforre..
Para ca ditësh na servirën një listë të pasurive të grave deputete. Të them të drejtën u kënaqa. Përshtypje të madhe më bënë: e para: fukarallëku i zonjës Topalli, e cila, me sa pashë, nuk ka as “tromobil”. Një shoku im, më tha se ajo ka blerë motobarkë kur pa Shkodrën e përmbytur. E po ta gëzojë. E dyta,-nja tri deputete, me një listë të gjatë, ku ato kishin pak para, e shumë ekonomi ndihmëse të majme, me pronarë fëmijët, babain, mamanë, vjehrrin, vjehrrën etj., etj. Jo, të vdekurit nuk figuronin si pronarë...
Lista e deputetëve burrrra, ishte nevoja të publikohej, të paktën tani, në pragun e vitit të ri, me që pak muaj kanë kaluar nga letra konfidenciale e OSBE-s, ku përmendet varfëria e frikshme e protagonistëve të politikës Shqiptare...
Rilindja vërtetë nuk e ka sjellë akoma RILINDJEN, por rrugës ëshë. Mund ta vonojë edhe pak moti, që me sa na frikëson NASA, pritet të ashpërsohet akoma edhe këtu, te ne. Rrugët për kalimin e karvanit, do të jenë mbyllur nga bora 3-4 m trashësi dhe ngricat e mëdha, të ngjajshme me akullnaja. Durim. Meteorologët e politikës, parashikojnë tronditje të mëdha me përmbysje në Gjyqësor dhe në korrupsion. Natyrisht, po të ujdisen punët edhe me Presidentin e Republikës.
E ç’të numëroj më? Mos duhet folur dhe për taktikën e opozitës, që në vend të “përleshet” atje ku ka vendin, ka marrë rrugët dhe nuk ka ndërmend të ndalet? “Ec e ec e s’ ka të sosur,/ Ky kanal i Myzeqesë...”, siç thoshte dhe kënga. Pozita të bëjë punën e vet, se opozita...”hala te ura!”. Vetëm kini pak kujdes dhe punët brënda shtëpisë, të çarat nga tërmetet e shkuara nuk ngjajnë të jenë “rikuperuar”, gjë që mund të çojnë në shembjen e çatisë. Sa për hallet e Shqipërisë, ato i ka marrë në dorë perëndia...
Këtu dua të ndalem, por jam në siklet për diçka tjetër,- nuk di të formuloj urimin për vitin e Ri. Dhe me që nuk gjej fjalë të tjera, them: Në se edhe 2016a vjen me mendët e të shkuarve, më mirë të mbytet gjëkundi rrugës e mos të ngjeshet, bashkë me të shkuarit, në anët tona. Se këta 25 vite, 25 malukatë, janë pleksur litar me nyje të ngatëruara, rreth fytit tonë që na kanë zënë frymën e po na mbyt. Që të shpërbëhet, do të na duhet shpata, në dorën e Aleksandrit të Madh. Po ku ta gjejmë?!...
Dhe desh harrova,- vitet, ndërrohen në mesnatë, që njerëzit në mëngjes, të përgjumur, të mos kenë mundësi të shohin yllin e agimit të ri dhe surratin e ditës së parë, dhe ngrohtësinë e diellit, ta ndjejnë po aq të “qullët”, sa dhe një vit më parë.
Për të nxjerrë dufin, shkoni me gratë pini nga një gotë dhe shtrihuni të flini para se të tingëllojë zilja e sahatit, në orën 00:00. Do të jetë tersëllëk të përplaseni me “zerot” e mesnatës... Mirupafshim mot, “tëpkë” si sot...
Dr. Evriviadhi Goro
Ndaje me miqte