0030 210 33 18 483

Capital Controls: Rritet limiti i tërheqjeve nga depozitat bankare

Tribuna 04 Gusht 2017

Qeveria greke ka njoftuar një lehtësim tjetër në qarkullimin e kapitaleve bankare të qytetarëve. Që nga qershori 2015, qytetarët nuk kanë lirshmëri në tërheqjen e parave nga depozitat e tyre, por ata mund të tërhqin vetëm një sasi të caktuar, që aktualisht shkon deri në 840 euro në dy javë. Masa, që ka marrë emrin kontroll i kapitaleve (capital controls), u vendos me qëllim që të përmbante rrjedhjen e parave nga bankat greke, pak ditë para referendumit të 5 korrikut 2015. Në ato ditë rrezikohej qëndrimi i Greqisë në euro dhe njerëzit ishin përfshirë nga paniku. Për shumë muaj, qytetarët nuk mund të tërhiqnin vecse 60 euro në ditë nga depozitat e tyre bankare. Tashmë, ata mund të marrin përnjëherë nga 1.800 euro në muaj. Por me kusht që gjatë muajit të mos jenë bërë tërheqje të tjera. Gjithashtu, me vendimin e ri lehtesohet hapja e llogarisë bankare nga një punonjës në një bankë tjetër -përveç asaj ku faktikisht ka llogari-, në rast se punëdhënësi ia paguan rrogën në një bankë tjetër dhe jo në atë ku punonjësi ka llogarinë e vet. Lehtësira ofrohen edhe për llogaritë e transferuara nga jashtë shtetit. Kështu, nëse dikush transferon para nga jashtë në një llogari bankare që ka në Greqi, ai mund të tërheqë menjëherë 50% të kësaj shume. Vendimi i firmosur nga ministri i financave, do të hyjë në fuqi më 1 shtator. Ky lehtësim i ri interpretohet nga qeveria si një tjetër shenjë pozitive në krizën ekonomike dhe financiare që ka përfshirë Greqinë prej 7 vjetësh. Muajin e kaluar Greqia emetoi obligacione shtetërore, për herë të parë pas tre vjetësh. Ndërsa të enjten, Banka Qendrore Europiane reduktoi limitin e kreditimit të bankave greke me likuiditete emergjence.

Ndaje me miqte