Bujar Alimani dhe Dritan Haxhia filmi i tyre nominohet për tre çmime në Festivalin Botëror
18 Mars 2018
Një film dokumentar që i kushtohet jetës dhe punës profesionale të piktorit të talentuar, 80 vjeçarit Shqiptaro-Amerikanit Zois Shytie (Zoi Shyti), merr pjesë në Festivalin Botëror të Filmit Dokumentar që po zhvillohet këtë javë në Qendrën Kinematografike "Kaufman Center" në Quins Nju Jork.
Vetëm 2 filma ndër 180 gjithsej, kanë secili nga 3 nominime për çmim: “Best Doc Feature”, “Best Director Doc Feature”, “Best Cinematography Doc Feature”.
"Zois" është një film i realizuar nga një grup miqsh, njerëz të artit që jetojnë e punojnë në Nju Jork, me dëshirën dhe shpenzimet e tyre.
Eshtë regjisori i njohur Shqiptar Bujar Alimani, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare. Drejtor i fotografisë është Dritan Haxhia, fotoreporter dhe fotograf i njohur që jeton prej 30 vitesh mes Evropës dhe Amerikës, ku dhe ka bërë karrierën e tij. Regjisori Sabir Kanaqi, autor i disa filmave, i cili ka bërë editimin dhe filmime në këtë projekt. Kompozitori i nohur Fatrin Krajka i cili ka kompozuar kolonën muzikore dhe së shpejti ky projekt muzikor do paraqitet në një CD të veçantë për publikun, ndërsa konkuron në festivale të tjera muzikore. Audion e “Zois” e ka punuar një tjetër profesionist, Elvis Ikonomi. Ndërsa producent të filmit janë Dritan Haxhia dhe Damian Pervizi.?
“Ky Film u realizuar me buxhet 0”, shprehet regjizori Bujar Alimani. “U xhirua, u montua dhe përfunduar i gjithi pas orëve të punës së zakonshme, fundjavave ku të gjithë si në një shaka shumë serioze arritëm të bëjmë një dokumentar portret shumë dinjitoz për një figurë të jashtëzakonshme me një jetë ‘a la Mandela’, që nga viti 1964 kur u arratis për në SHBA për t’iu përkushtuar pikturës dhe arteve të tjera”.
Ky Film Dokumentar prezanton jetën e një artisti të madh shqiptar i njohur si Zoi Shyti, që në vitin 1964 kapërceu jo vetëm telat e rrethimit komunist të asaj kohe në Shqipëri, por ishte njeri prej atyre që mundi të bëhej i suksesshëm në karrierën e tij si piktor. Pas shumë peripecish dhe mundimesh të të gjitha "ngjyrave" që i dëgjon nga goja e piktorit, ky projekt të mban në "rrethin" e kujtimeve për gati një orë pa lëvizur. Filmi sjell shume emocione të papërshkrueshme dhe të paimagjinueshme për një njeri të zakonshëm.
Zoi Shyti siç e njohim ne, është pjesë e Vatranëve që në vitet 70'. Dy punime të tij; një portret i Fans S. Nolit dhe një i Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, punime të Zoit, ndodhen në Vatër, dhuratë prej tij.
Dritan Haxhia i është bashkuar Vatrës para shumë vitesh, pasi u vendos përfundimisht në Nju Jork. Eshtë Fotoreporter i Gazetes 'Dielli" si dhe Koordinator i Medias në Vatër prej Shtatorit të vitit 2016, si dhe anëtar i Këshillit të Vatrës.
Marrë nga gazeta 'Dielli", organ i Federatës Mbarëshqiptare në SHBA
Titulli, nga Tribuna
Ndaje me miqte