Brexit David Cameron nxënës magjistari që humbi referendumin për BE
24 Qershor 2016
Konservatori David Cameron do të mbetet në histori si kryeministri britanik që arriti të shkaktojë daljen e vendit të tij nga Bashkimi Europian, ndërsa dëshironte qëndrimin në gjirin e Unionit.
Cameroni luajti rolin e nxënës magjistarit kur deklaroi më 2013, mbajtjen e këtij referendumi me rrezikshmëri të lartë, për një çështje që tradicionalisht e mbante të përçarë partinë e tij. E humbi bastin, humbi kredibilitetin e tij dhe postin si kryeministër.
Duke shpjeguar rezultatin e imponuar, Cameron deklaroi dorëheqjen e tij, që do të realizohet sapo partia e tij të caktojë pasardhësin, në kongresin që do të mbahet në muajin tetor.
Gjë paradoksale për një kryeministër i cili për muaj të tërë mbështeste qëndrimin e vendit në BE, duke paralajmëruar më të këqijat në rast të daljes; David Cameron ësdhtë në thelb një euroskeptik.
“Mirëpo është një eurospektik pragmatist”, korrigjon Peter Snowdon, i cili ka shkruar një libër për vitet e para të shefit të partisë konservatore, me titullin “Cameron në nr. 10”. “Nuk është as Eduard Heath (proeuropian), as Magaret Thatcher (eurofobe). Eshtë shumë më pragmatist, prandaj dhe e kishte të vështirë të bindte euroskeptikët”, vlerëson biografi i Cameron-it.
“Një tip shumë i vjetër britaniku”
Pinjoll i një familjeje të pasur, 49 vjeçari Cameron, baba i tre fëmijve, asnjëherë nuk provokoi pasionet në parti apo te elektorati.
“Eshtë i arsimuar, por jo intelektual, i vendosur, por jo dominant, është xhentëlmen, por jo snob (...), është besimtar, por jo i ekzagjeruar. Njerëzit e llojit të tij kanë shumë limite - deficite origjinaliteti, mungesë pasioni, tendencë për të kënaqur veten, - mirëpo dikur kishin dominuar në botë”, mendon gazetari dhe biografi Charles Moore, për të cilin Cameron përfaqëson një “model modern perfekt të një tipi shumë të vjetër britaniku”.
I arsimuar në kolegjin shik të Eton-it, ku u shkollua edhe rivali i tij, Boris Johnson -i cili atëherë paraqitej më inteligjent dhe shpresëdhënës, sipas biografit të tij Michael Ashcroft-, studime në Oksford dhe karrierë politike: ecuria e tij, tipike për një përfaqësues të elitës britanike, ishte pa probleme dhe ngjitja e tij e shpejtë në majën e piramidës së partisë, para dhjetë vjetësh.
Atëherë tenton të modernizojë formacionin e vjetër dhe të promovojë një konservatorizëm “më të dhimbsur”. Shpreson gjithashtu që t’i japë fund pikëpamjeve përçarëse për Europën që kishin qenë burim për larje hesapesh të përgjakshme dhe kishin sjellë ndërmjet të tjerash edhe rënien e Zonjës së hekurt (Margaret Thatcher).
Ideja për referendumin lindi ndërsa po rritej vokacioni i partisë populiste dhe eurofobike UKIP, në prag të zgjedhjeve europiane të vitit 2014. Dhe me njerin sy të kthyer nga zgjedhjet parlamentare të 2015-s.
Akt vdekjeje politike
Cameron arriti ta udhëhiqte partinë e vet në fitore në 2015, duke marrë madje shumicën absolute dhe duke lënë jashtë qeverisë aleatët e tij liberalë demokratë.
Këto suksese të njëpasnjëshme ndaluan befas dje (23 qershor).
Tani do të fillojë beteja për zëvendësimin e tij. Në rreshtin e parë ndodhet ish kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, i cili ishte prijës i kryqëzatës kundër BE-së.
Davod Cameron ka deklaruar që më herët se nuk do të ishte kandidat në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se në jetë ka edhe gjëra të tjera, dhe kryesisht familja, të cilës tashmë do të ketë më shumë kohë që t’i përkushtohet.
(AFP)
Ndaje me miqte