Basha: "Vlora jo çiflig i atyre që e shohin për përfitime personale"
01 Qershor 2015
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se Vlora nuk mund të jetë çiflig i atyre që e shohin për përfitime personale.
Basha ishte në qytetin e Vlorës ku mori pjesë në prezantimin e platformës për zhvillimin e Vlorës nga kandidati i djathtë për kryetar të Bashkisë së Vlorës, Genc Deromemaj.
Kandidati Deromemaj, premtoj ulje taksash dhe tarifash në minimumin e mundshëm ligjor, mbështetje për bizneset që hapen dhe punësojnë të rinj, hartimin e planit të përgjithshëm rregullues, zhvillimin e infrastrukturës dhe investimeve në funksion të turizmit.
Ndërsa Basha u shpreh se, Vlora nuk mund të jetë çiflig i Koço Kokëdhimës dhe Edi Ramës. “Rama e Koço e shohin Vlorën vetëm për përfitime personale ndërsa qytetarët e Vlorës i kanë zhytur në varfëri dhe mjerim”.
Basha u ndal dhe tek shëndetësia duke nënvizuar se “nuk kanë se çfarë bilanci të prezantojnë Edi Rama dhe Koço Kokëdhima edhe kur guxojnë, siç guxuan të vijnë e të flasin për spitalin psikiatrik. Të gjithë e dimë, filloi të ndërtohej në kohën kur ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, dr. Halim Kosova, harron të thotë kryesoren. Programet investigative me kamera të fshehta treguan se si merrej 500 mijë lekë rryshfet për një KEMP”, tha Basha.
Ndaje me miqte