Athina e sigurt për disbursimin e këstit 85 miliardë euro por partnerët vënë kushte
Tribuna
06 Korrik 2017
Qeveria greke është shprehur e sigurt se të premten do të merret vendimi për disbursimin e këstit të kredisë. Mirëpo bordi i mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM) kan vënë kushte të reja, duke kërkuar që Athina të avancojë sa më shpejt në zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull.
ESM do të mblidhet sërish më 7 korrik për të shqyrtuar progresin e qeverisë greke.
Ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos, u shpreh të enjten i sigurt se vendimi i të premtes do të jetë pozitiv për Athinën.
“Jam 100% i sigurt se të premten do të miratohet çlirimi i këstit. Nuk do ta thoshja këtë po të mos isha 1900% i sigurt”, deklaroi Tsakalotos.
I pyetur mbi kushtet e reja të ESM, ministri tha se “janë çështje teknike që po i shikojmë tani”.
Ndërkaq, gazeta ekonomike gjermane, Handelsblatt, bën me dije në numrin e sotëm se “ESM ishte i detyruar të shtyjë dhënien e këstit të kredisë, pasi Greqia nuk realizon ato për të cilat është angazhuar. Qeveria greke sërish nuk zbatoi ato pak angazhime që kanë mbetur pezull”, nënvizon gazeta gjermane.
Bordi i ESM -që përbëhet nga ministrat e financave të eurozonës- dhe u mblodh me një telekonferencë të mërkurën, deklaroi më pas se “inkurajon qeverinë greke të zgjidhë me shpejtësi çështjet e mbetura pezull. Kjo do t’i hapë rrugën miratimit të këstit të tretë të ndihmës ekonomike ndaj Greqisë, me vlerë 8,5 miliardë euro”, thuhet në deklaratën për shtyp të ESM.
Marrja e këtij kësti të kredisë ka rëndësi vendimtare për Athinën, pasi deri në fund të muajit korrik u duhet të shlyejë pagesa me vlerë 7,4 miliardë euro, për kredi më të hershme.
Ndaje me miqte