Policia greke ka arrestuar një tjetër shtetas shqiptar që akuzohet për kultivim dhe trafikim droge. 34 vjeçari u arrestua në Varkiza (Athinë), pranë një banese që e përdorte për të magazinuar drogën. Në të njëjtin vend, rreth banesës, kishte mbjellë 73 fidanë kanabis me lartësi deri 3,2 metra, që u shkulën dhe u sekuestruan nga policia. Në banesë u gjetën edhe 3 kg kanabis i papërpunuar. Sipas komunikatës së policisë, vlera e përgjithshme që do të përfitohej nga shitja e drogës (3 kg si dhe 73 fidanët), arrin në 200.000 euro. Policia bën të ditur se ra në gjurmët e shqiptarit, pas një operacioni që zgjati disa muaj dhe pas një sinjalizimi për trafikim sasirash të mëdha droge në Vari, Vula dhe Glyfada. Gjatë kontrollit në banesë, përveç 3 kg të drogës, policia gjeti dhe sekuestroi: 270 fara kanabisi, një peshore precizioni elektronike, 11 telefona celularë, një sasi e madhe paketash për lidhje telefonike, vegla bujqësore dhe pajisje që përdoreshin për kultivimin e kanabisit, si impiante vaditjeje, superfosfat, etj.