Analizë: Trump Merkel dy stile dy botë
ATSH-AFP
22 Shtator 2017
Imazhi i takimit të tyre të parë ishte ai i një shtrëngimi të thatë duarsh në Zyrën Ovale. Muajt më pas kanë qenë të tendosur. Mes Donald Trump dhe Angela Merkel, vitet e ardhshme pritet të jenë të vështira.
Nëse “mamaja”, siç e quajnë gjermanët, rimerr një mandat të katërt në përfundim të zgjedhjeve legjislative që zhvillohen të dielën, ata duhet të gjejnë një mënyrë funksionimi afatgjatë.
Ecja, personaliteti dhe regjistri politik janë pothuajse gjithçka që ndan kancelaren gjermane, 63 vjeçe, në pushtet prej 12 vitesh, nga presidenti amerikan, 71 vjeç, në Shtëpinë e Bardhë që prej tetë muajsh.
Ajo, e kujdeshme, pragmatike dhe diskrete.
Ai, i paparashikueshëm, impulsiv dhe i rrëmbyer.
Me nuanca në formë, por me të njëjtën vendosmëri në sfond, vajza e pastorit, e rritur në Gjermaninë Lindore, që prej fillimit të vitit ka shfaqur dallimin përballë presidentit të tretë amerikan që prej kohës së marrjes së kancelarisë gjermane (pas George W. Bush dhe Barack Obamës).
Në Uashington, në një konferencë të përbashkët shtypi me ish-promotorin imobiliar, ajo bëri thirrje për globalizim.
Në Taormina, Siçili, në përfundim të një G7-te të tensionuar, ku presidenti amerikan reagoi në mënyrë të izoluar mbi klimën, ajo dënoi drejtpërdrejt diskutimet frustruese që përfunduan me një “gjashtë kundër një”.
Në Mynih, ajo paralajmëroi evropianët se koha ku mund të mbështeteshin tek SHBA-ja pa as më të voglin hezitim kishte ikur.
“Ne evropianët duhet të marrim fatin tonë në dorë”, theksoi ajo në Mynih.
Mosmarrëveshjet nga klima tek Irani
“Politikisht, është e vështirë të imagjinosh dy personazhe shumë të ndryshëm”, thekson Charles Kupchan, profesor për çështjet ndërkombëtare në Georgetown University.
“Trump hyri në Zyrën Ovale duke premtuar ndryshimin e madh tek amerikanët e pakënaqur. Merkel vazhdon të fitojë duke premtuar për gjermanët vazhdimësi”, shtoi ky ish-këshilltar i Barack Obama për çështjet evropiane.
Dallimet e pikëpamjeve mes të dyve janë reale, të thella.
Nëse kritikat amerikane mbi sufiçitin tregtar gjerman nuk janë të reja, Donald Trump ka zgjedhur një ton më agresiv se paraardhësit e tij në lidhje me këtë temë duke kërcënuar me vendosjen e taksave doganore si kundërpërgjigje.
Njoftimi për tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit mbi klimën u prit keq nga Berlini.
Dhe nëse, ashtu si ai lë të kuptohet, Donald Trump rivendos në të ardhmen në rrezik marrëveshjen për programin bërthamor iranian, nënshkruar mes Teheranit dhe gjashtë fuqive mes të cilave SHBA-ja dhe Gjermania, atëhere marrëdhënia do të përkeqësohet edhe më tej.
Në vitin 2003, tensioni u rrit mes Uashingtonit dhe Berlinit, kur qeveria e socialdemokratit Gerhard Schroeder kundërshtoi luftën në Irak, të ndërmarrë nga administrata e George W. Bush.
“Por, kurrë krisja nuk arriti një nivel të tillë”, thekson Charles Kupchan.
“Trump ngre pikëpyetje për angazhimin e SHBA-së në mbështetje të tregtisë së lirë, për luftën kundër ndryshimit klimatik dhe marrëdhënien që SHBA-ja dhe Evropa kanë ndërtuar që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore”, nënvizon ai.
Por, loja e tejkalon atë të marrëdhënieve dypalëshe.
Dekania e drejtuesve evropianë, Angela Merkel mban, de facto, një qëndrim ndryshe në lojën diplomatike.
Deklaratat e fushatës
Mbetet që analiza e marrëdhënieve mes dy drejtuesve nuk mund të marrë parasysh betejat elektorale në vendet e tyre respektive.
I shqetësuar për të inkurajuar bazën e tij për çështjen e imigracionit, Donald Trump gjatë fushatës së tij, përmendi kancelaren si kundërshembull duke stigmatizuar vendimin e saj për hapjen e kufijve për qindra mijëra azilkërkues.
“Hillary Clinton kërkon të jetë Angela Merkel e Amerikës dhe ne kemi parë kriminalitetin dhe shumë probleme, që kjo e fundit ka shkaktuar për gjermanët”, ironizoi Trump gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut.
Nga ana e saj, Angela Merkel, duke iu trembur akuzave nga kundërshtari i saj, Martin Schulz, për mungesë vendosmërie përballë manjatit të pasurive të patundshme, katapultuar në Shtëpinë e Bardhë, u fokusua në këtë drejtim.
“Fushata zgjedhore e shtyu Angela Merkel në një retorikë më të ashpër sesa ajo që pëlqen”, thekson Jeremy Shapiro, drejtor i studimeve në “European Council on Foreign Relations”.
”Nëse një përmirësim i lehtë paszgjedhor është i parashikueshëm, pak vëzhgues besojnë në një nisje të re apo një kapërcim mes dy drejtuesve kaq të ndryshëm”, shton ai.
Atëhere, cili është objektivi i Merkelit? Pragmatizmi përballë kreut të Zyrës Ovale?
“Të mbrojë e vendosur dhe qetësisht pozicionin e saj. Të mos përfshihet në polemika në publik. Të përpiqet të kuptohet me Trumpin sa më shumë të jetë e mundur pa shfaqur kurrë shenja dobësie”, nënvizon Jeremy Shapiro.
Ndaje me miqte