Afat deri më 31 tetor për të rregulluar detyrimet ndaj ndërmarrjes elektrike dhe ujësjellësit
TRIBUNA
30 Shtator 2016
Korporata greke e energjisë (DEH) ka zgjatur afatin për rregullimin e detyrimeve të debitorëve. Afati, që përfundonte më 30 shtator është zgjatur edhe një muaj dhe përfundimisht skadon më 31 tetor.
Qytetarët që dëshirojnë të përfshihen në program, mund të paraqiten në zyrat lokale të DEH, ose nëpërmjet telefonit me numër 11770 (nga e hëna në të premte, prej orës 08,00 deri 16,00).
Në rast se aplikuesi është përfitues i faturës sociale (Kinoniko Timologio), atëherë duhet të paraqesë edhe një faturë të fundit të DEH, ku të rezultojë se është pëtfitues i kësaj fature.
Sipas programit:
- Të gjithë konsumatorët mund të rregullojnë detyrimet e tyre me 36 këste mujore, pa asnjë paradhënie.
- Pagesa e këstit të parë bëhet menjëherë pas miratimit.
- Në këtë proces mund të përfshihen edhe konsumatorët që kishin bërë një rregullim para datës 1 prill 2016.
- Konsumatorët të cilëve u është ndërprerë energjia elektrike:
a) Kanë mundësinë të përfshihen në programin e 36 kësteve, në rast se nuk kanë prekur matësin (sahatin).
b) Në rast se e kanë prekur matësin, atëherë do të duhet të parapguajnë menjëherë 15% të detyrimit dhe pjesën tjetër ta shlyejnë me 12 këste.
Deri tani, në sistemin e pagesës me 36 këste janë përfshirë më shumë se 400.000 konsumatorë, me detyrime që kapin vlerën 1,1 miliardë euro.
Edhe EYDAP
Krahas korporatës së energjisë edhe ndërmarrja e ujë-kanalizimeve të Athinës dhe Pireut (EYDAP), njoftoi zgjatjen e afatit deri më 31 tetor 2016.
Si mund të bëni rregullimin:
Mund të bëni kërkesë në secilën prej 12 zyrave të shërbimit të klientit të EYDAP. Kushte të domosdoshme për t’u përfshirë në këtë program janë:
- Detyrimi të jetë mbi 60 euro
- Kësti minimal nuk mund të jetë më i ulët se 20 euro
- Për miratimin e pagesës me këste, duhet që kësti i parë të paguhet menjëherë, ndërsa këstet e tjera do të paguhen deri ditën e fundit të punës të çdo muaji pasaardhës.
Ndaje me miqte