A mbaron kriza greke në 2018?
Tribuna
31 Dhjetor 2017
Siç vihet në dukje në një analizë të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, posaçërisht Aleksis Tsipras, i cili u zgjodh në janar 2015 si luftëtar kundër shtrëngesës duke e çuar Eurozonën në prag të rrënimit, ka gjasë të jetë ai i cili do të drejtojë vendin e tij dhe gjithë zonën e euros jashtë krizës ekonomike.
Sipas dpa, për Greqinë, fundi i krizës ekonomike nuk ishte kurrë më parë kaq afër: “Ekonomia po zhvillohet, deficiti po reduktohet, po kështu edhe papunësia. Për 2018-n pritet një rritje ekonomike prej 2,5%; papunësia në fund të vitit të ardhshëm pritet të ulet në 20%.
Agjencia i referohet paketës së tretë të shpëtimit që u vendos në verën e 2015-s, kur në këmbim Aleksis Tsipras u ftua të realizonte një listë të gjatë reduktimesh dhe reformash. “Tsipras, që u zgjodh në janar 2015 me premtimin se do të rezistojë ndaj imponimit të shtrëngesave, tashmë po bën përpjekje të fuqishme që të realizojë me shpejtësi gjithë kërkesat” e kreditorëve.
Siç vë në dukje agjencia dpa, “reformat e fundit që duhet të realizojë Athina janë vecanërisht të dhimbshme. Bankat duhet të merren me kreditë e pashlyera. Banesa të debitorëve që nuk paguajnë mund të sekuestrohen dhe të shiten në ankand. Borxhi i Athinës vazhdon të lëvizë në 180% të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm (PPB). Rritja e taksave , reduktimet e pensioneve, punësimi i pjesshëm, mungesa e perspektivës dhe emigrimi i të rinjve - ky është realiteti. Sipas vlerësimeve, katër vitet e fundit janë larguar nga vendi 400-500 mijë të rinj të arsimuar. Thuajse 2/3 e punonjësve grekë nuk kanë një punë të përhershme. Kryesisht njerëz të rinj punojnë për më pak se 400 euro më muaj. Prandaj dhe shumë prej tyre jetojnë në limitet e varfërisë dhe varen nga mbështetja që u ofrojnë familjet”, shkruan dpa.
Sipas agjencisë, vende të tjera që ishin në krizë, si Qipro, e kanë kaluar ndërkaq rrezikun. Megjithatë programi i shpëtimit të Qipros “me vetëm 10 miliardë euro dhe shumë më pak kushte, nuk krahasohet me atë të Greqisë”.
Katër vjet pas daljes nga programi, edhe Spanja duket të jetë mëkëmbur, me gjithë shqetësimin që shkakton problemi i Katalonjës. “Me 16,4%, papunësia e reduktua tashmë në nivelet më të ulëta të viteve të fundit”.
Shqetësim shkakton Italia. Megjithëse perspektiva për tërësinë e Eurozonës është në pamje të parë pozitive për 2018-n; me ritmet më të larta të zhvillimit ekonomik në gjithë 10 vjeçarin, por edhe uljen e nivelit të përgjithshëm të borxhit, rimëkëmbja nuk duket ende se mbështetet në themele të fuqishme. Komisioni Europian vlerëson se zhvillimi ekonomik vazhdon të varet në masë të madhe nga transfuzionet me miliarda të programit të relaksimit sasior (QE) të Bankës Qendrore Europiane.
Italia mbetet një burim i madh shqetësimi. Me borxhin e vet në nivelin 130% dhe kreditë e këqija të hedhin një hije të zezë në bilancet e bankave. Në rast se ekonomia italiane rrezikon vërtet, atëherë mekanizmi Europian i Stabilitetit (EMS) do të gjendet befasisht në limitet e rezistencës dhe të mundësive të veta.
Në këto kushte, merr një rëndesë të veçantë rëndësia dhe diskutimi për reformimin e unionit ekonomik dhe financiar, që pritet të fillojë në thelb, pas krijimit të qeverisë së re në Berlin, përfundon agjencia gjermane e lajmeve, dpa.
Ndaje me miqte