Janë shndërruar në një tragjedi përmbytjet që goditën të mërkurën paradite zonat në afërsi të Athinës. Deri në mesditë ishte njoftuar zyrtarisht se shtatë persona -pesë meshkuj dhe dy femra- kanë humbur jetën dhe tre të tjerë rezultojnë të zhdukur. Ndërkohë, tetë qytetarë janë dërguar në spital dhe gjendja e tyre nuk raportohet e rëndë, me përjashtim të një gruaje. Që në orët e para të mëngjesit, Nea Perama, mandra, Megara, Magula, rrugët ishin shndërruar në lumenj, përmbytur banesa, ndërsa dhjetra qytetarë kërkonin ndihmën e zjarrfikseve, pasi ishin bllokuar në makinat e tyre. Në aksin rrugor Athinë-Korinth qarkullimi i mjeteve bëhej vetëm në një korsi, ndërsa më pas u bllokua krejt. Autoritetet kanë bërë thirrje që të shmanget lëvizja në këtë aks, me qëllim që mos të pengohen makinat zjarrfikëse të cilat operojnë në zonat e prekura. Sipas shërbimit zjarrfikës, brenda një ore pati 160 thirrje për ndihmë, nga qytetarë që u janë përmbytur banesat apo bizneset dhe kërkohet nxjerrja e ujërave me pompë. Me vendim të autoriteteve shkollat e zonës do të qëndrojnë mbyllur të mërkurën. Ndërsa shirat po vazhdojnë, dëmet janë të pallogaritshme. Kryetarja e bashkisë së Mandras, Ioana Kryekuqi, deklaroi se është shënuar “një katastrofë biblike”.