0030 210 33 18 483

7 prill 1939: Kronika e paralajmëruar e një pushtimi

07 Prill 2016

Shtatëdhjetë e shtatë vjet më parë, të premten e zezë të 7 Prillit 1939, Shqipëria u sulmua në mënyrën më të pabesë nga Italia Fashiste, një vend i cili sipas marrëveshjes së pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 1921 (pararendëses së OKB së sotme) ishte vendi garant për pavarësinë e Shqipërisë. Nga Dorian KO?I Agresioni fashist i datës 7 prill, në fakt kishte kohë që ishte përgatitur duke ralizuar në mesin e viteve 20’ dhe në vazhdimësi të viteve 30’, një ndërvarësi politike, ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë ndaj Italisë. Ndërvarësia ekonomike e Shqipërisë ishte realizuar që në vitet ’20 - ’30. Ky realitet kishte ndodhur sa nga domosdoshmëria e shtetit shqiptar për të mbijetuar ekonomisht pasi ishte ende në hapat e para të tij, po aq sa edhe nga nevoja e klasës udhëheqëse të Shqipërisë së asaj kohe që kërkonte të gjente përkrahje politike tek Italia. Politikani i ri ambicioz, Ahmet Zogu, sapo erdhi në pushtet në dhjetor 1924, pasi ishte përmbysur gjashtë muaj më parë nga Lëvizja e Qershorit, kishte si domosdoshmëri ndryshimin e politikës së jashtme të tij. Ai kërkonte të dilte nga sfera e influencës së mbretërisë serbo-kroate-sllovene dhe kërkonte t’i kthente sytë nga ndonjë fuqi perëndimore më e fuqishme. Në këtë kontekst gjeopolitik, Zogu zgjodhi Italinë si shtetin kryesor me të cilin do të mund të mbante marrëdhënie të ngushta politike dhe ekonomike. Më 30 janar 1925 Zogu ju drejtua Musolinit dhe i kërkoi atij të vendoste marrëdhënie miqësore me Tiranën dhe të shihte me përparësi interesat tregtare. Musolini nuk e pranoi menjëherë këtë propozim për arsye se Zogu në kabinetin e tij po afronte persona që kishin qënë pjesëmarrës në Luftën e Vlorës. Në këtë kohë Zogu, për të regulluar marrëdhëniet me Italinë emëroi në postin e Ministrit të Financave italofilin Myfit bej Libohova. Reflektimi i drejtpërdrejtë i këtij qëndrimi të ri që po mbante Zogu, ishte nënshkrimi në mars të vitit 1925 i konventës “Për themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë”. Dokumenti u nënshkrua nga një grup financiar italian, dhe nga ministri i financave Myfit Libohova[1]. Në këtë dokument thuhej se pala shqiptare do të kishin deri në 49% të aksioneve, kurse shtetasit e huaj jo më pak se 51%. Mirëpo italianët u munduan ti pengonin shtetasit shqiptarë të nënshkruanin aksione deri në masën 49%, gjë, të cilën e aritën pa shumë vështirësi. Banka fitoi edhe të drejtën e emërtimit të kartmonedhave, e cila në njërën anë përmbante kokën e Skëndërbeut dhe nga ana tjetër luanin e Shën Markut. Kjo kartmonedhë simbolizonte bashkimin shqiptaro-italian, pasi luani i Shën Markut përfaqësonte dominimin e vjetër të Venedikut në disa nga qytetet shqiptare të bregdetit të Adriatikut dhe të Jonit. Në mars 1925 qeveria e Tiranës lidhi një tjetër kontratë me financierë italianë, për marrjen e huasë për nevojat e vendit; për dhënien dhe administrimin financiar të kësaj huaje u krijua SVEA, me të cilën qeveria shqiptare nënshkroi marveshjen. Huaja që do të siguronte ishte 70.5 milion franga ari, shumë e pamundur për t’u paguar nga Shqipëria, pasi ajo kishte një kamatë vjetore 7.5%. Në krye të marsit 1925 lidhen një varg marrëveshjesh, ndër të cilat spikaste konçensioni vajguror për “Ferrovie dello Stato”, që u bë i mundur pas një kompromisi me Forreign Office-in britanik mbi burimet vajgurore shqipëtare[2]. Më 1926 ambasador u bë Pompeo Aloizi, ekspert i politikës shqiptare. Para se të nisej, ai u udhëzua nga Musolini, ku më 25 tetor 1926,- i shkruan se në qoftë se nga Zogu nuk del gjë,- atëhere ai duhet goditur për ta shkatërruar plotësisht. Më 27 nëntor 1926 u nënshkrua Pakti i Parë i Tiranës, i quajtur “ Pakti i Miqësisë dhe Sigurisë”, i lidhur për pesë vjet, por që mund të rinovohej. Kjo marërveshje nuk u prit mirë nga shumë vende europiane pasi, duke qënë se ishte nënshkruar midis dy shteteve jo të një rangu, të kujtonte një pakt për vendosje protektorati. Italianët tani kërkonin kontroll më të madh në fushën ushtarake. Me këtë arsye u bë edhe Pakti i Dytë i Tiranës më 22 nëntor 1927. Në këtë periudhë italianët u munduan të shtinin në dorë edhe ushtrinë, ku një në gjashtë oficerë ishte italian. Përsa i përket industrisë, degët kryesore industriale që morën një farë zhvillimi ishin industria e vajgurit dhe ajo e bitumit. Që të dyja këto industri ishin në duar të kapitalit Italian dhe prodhimet e tyre eksportoheshin në masë të madhe në Itali[3]. Më 1 prill 1929 hyri në fuqi Kodi penal mbështetur në atë Italian. Po atë vit hyri në fuqi edhe Kodi i ri civil. Qeveria shpalli edhe ligjin e reformës agrare, ku si këshilltar Zogu mori ekspertin Italian prof. Lorenzonin. Këto fakte dëshmojnë se gjithë ndryshimet dhe reformat u bënë duke u marrë si shëmbull modeli Italian dhe ku ajo dha mendimin e saj, i cili kishte peshë jo të vogël. Italia tani po shtinte në dorë gjithë ekonominë; por jo vetëm kaq, ajo tani kishte në dorë të gjithë sektorët e Shtetit Shqiptar, të cilat ajo i kontrollonte si të donte vetë. Dominimi italian në Shqipëri mori një hov akoma më të madh pas emërimit si ministër i jashtëm i Italisë, të Kont ?ianos. Ideja fikse e ?ianos për Shqipërinë lindi menjëherë pas udhëtimit të tij të parë në Tiranë, në prill të vitit 1937[4]. Gjithsesi ?iano erdhi përsëri në Shqipëri një vit më vonë më 27 prill që ishte edhe dita e përcaktuar për dasmën e mbretit Zog. Në 27 prill 1938 Konti ?iano, dhëndri i B. Musolinit (Duçes), erdhi të vizitonte sërisht Shqipërinë me rastin e dasmës së mbretit Zog. Konti ?iano ishte ftuar për të qënë kumbar i mbretit dhëndër. ?iano u nevrikos shumë nga pakujdesia e motrave të Zogut. U duk qartë se, motrat e Zogut donin të tregonin kënaqësinë e tyre, si për atë që i vëllai nuk u martua me një çupëlinë Italiane ashtu edhe për të vënë në dukje në ceremoninë e asaj dite shpresën se kishte për të nisur një çlirim i Shqipërisë nga marrëdhëniet e ngushtë me Italinë. Ekstravaganca sqimatare e motrave të mbretit dhe shpenzimet tepër të mëdha të martesës mbretërore kishin krijuar mëri të madhe, raportonte ?iano, dhe gjithnjë sipas tij, dëshmonte hendekun e madh midis të pasurve dhe të varfërve, oborrit dhe popullit [5]. Në ditarin e tij, në 28 Prill 1938 Ai shkruante kështu: “ Kthehem nga Shqipëria, më i bindur se kurrë në idetë e mia për një zgjidhje tërësore”. Në 30 Prill ai shtonte gjithnjë në ditarin e tij: “ I fola Duçes rreth udhëtimit tim në Shqipëri. Do ta përmbledh në një raport, por ai menjëhera ra dakort për një zgjidhje tërësore”. Në raportin që ?iano kishte përpiluar, mbante në konsideratë tri mundësi: 1. Shtërngimin përmes pengesash ekonomike. 2. Coptimin përmes një marrëveshje të Italisë me Jugosllavinë dhe Greqinë. 3. Aneksimin përmes një bashkimi. Musolinit ia përforcoi besimin se mund të pushtonte Shqipërinë edhe një letër e marrë nga kryetari i qeverisë Angleze ?embërlein, i cili i lutej qeverisë fashiste “të ndhmonte në rimëkëmbjen e mirëbesimit të ndërsjelltë dhe në ruajtjen e paqes”. Fryma e letrës e bindi kreun fashist se pushtimi i Shqipërisë do kalonte pa ndonjë bujë të madhe. Pushtimi gjerman i Austrisë dhe ?ekosllovakisë ne 15 mars ishte një lëvizje ndërkombtare, e cila i dha argumente shumë të fuqishme ?ianos që t’ia servirte Musolinit dhe ta bindte plotësisht për një pushtim ushtarak të Shqipërisë. Po këtë muaj ai pati një dialog me qeverinë angleze dhe ajo i la që të kuptohet se nuk do ndërhynin në një problem që ishte ndërmjet tyre dhe shqiptarëve. Por, ajo që e bëri pushtimin plotësisht të sigurt dhe që ndikoi shumë në vendimin përfundimtar të 23 Marsit 1939, ishte sigurimi që po në këtë ditë i dha më në fund qeveria gjermane qeverisë italiane: se deti Mesdhe dhe ai Adriatik njiheshin si dete italiane e si pasojë Italisë i liheshin duart të lira në Shqipëri.[6] Më 25 mars 1939 i paraqitet A. Zogut një projekttraktat në formën e ultimatumit prej 8 propozimesh. Ky projekt traktat kërkonte në thelb nga pala Shqiptare pranimin e pushtimit të vendit nga Italia. Zogu për të ruajtur autoritetin e tij nuk njoftoi as qeverinë e tij. Mirëpo për të mbajtur pushtetin i duhej të lëshonte pe, ndaj i vuri Italisë dy kushte të cilat nuk i cedonte: integritetin territorial dhe pavarësinë e vendit. Më 31 Mars ?iano e vinte në dijeni Musolinin se Zogu kishte refuzuar të nënshkruante marrëveshjen dhe i kërkonte atij që sfidës t’i përgjigjeshin me armë. Meqënëse pushtimi ushtarak kërkonte kohë, diplomacia italiane insistoi edhe njëherë ta fitonte Shqipërinë në mënyrë paqësore. Më 2 Prill Musolini përsëriti edhe një herë ultimatumin, por ky ultimatum ishte disi më elegant se ai i 25 Marsit përsa u përket kërkesave ndaj monarkisë Shqiptare. Zogu njoftoi trupin diplomatik në Tiranë për kërkesat e Musolinit dhe mendoi të pranonte disa prej tyre, por u tregua i vendosur për të mos pranuar ato kërkesa që cënonin pavarësinë e vendit të tij. Më 6 Prill 1939 Musolini i dërgon një mesazh personal Zogut ku i bente të ditur se ultimatumi skadonte në mesditën e po asaj date. Meqënëse Mbreti ka kërkuar 24 orë kohë që të mendojë çështjen, Duçe, me anë të një telegrami personal e fikson kohën e përfundimit të afatit të ultimatumit në orën 12 të së enjtes, 6 prill.[7] Refuzimet e kërkesave italiane nga A. Zogu, realizimi i të cilave çonte në shkeljen e sovranitetit politik të Shqipërisë, përbënin një provë të suksesit politik të tij. Ky qëndrim i tij, në fund të fundit, i detyroi italianët që të zgjidhnin pushtimin ushtarak si mënyra e vetme për kontrollin tërësor të Shqipërisë. [8] Mbasi Musolini e kuptoi, që Shqipëria nuk do të aneksohej në mënyrë paqësore dha urdhër për pushtimin e Shqipërisë. Trupat italiane komandoheshin nga gjenerali Alfredo Guzzoni, i cili kishte të gatshme një ushtri prej 40 mijë vetash dhe armatime të shumta. Mëngjesi i 7 Prillit të vitit 1939, shënoi aktin e sulmit ushtarak të Italisë kundër Shqipërisë. Luftime të përgjakshme u regjistruan në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter i marinës dhe nga Abaz Kupi, që kishte reth vetes 600 luftëtarë. Rezistenca shqiptare ishte e paorganizuar dhe sporadike pasi siç theksojnë me të drejtë burimet amerikane, Mbreti Zog ishte më tepër për një rezistencë që do të bënte jehonë duke e vënë para një pozite të vështirë Italinë Fashiste sesa për një rezistencë të organizuar frontale. Më 7 Prill A.Zogu ndoqi planin e Pandeli Evangjelit, për të organizuar një qëndresë jashtë Shqipërisë. Por jo të gjithë intelektualët dhe shtresat e shoqërisë shqiptare mendonin në këtë lloj mënyre. Proverbial, në këtë drejtim mbetet fjalimi i Mehdi Frashërit nga Radio Tirana në disa gjuhë të botës, fjalim që denoncoi propagandën fashiste që synonte ta pasqyronte pushtimin si një dëshirë e vet shqiptarëve. Në rastin e Shqipërisë Italia kishte synime dhe interesa të kahershme strategjike: Së pari, shfrytëzimin e pasurisë së lakmueshme natyrore. Së dyti, kishte pozitën strategjike, e cila ishte pikë kyçe mes lindjes dhe perëndimit. Pushtimi i Shqipërisë ishte një ndër aktet e para agresive në gjithë botën. Ndër masat e para që u morën nga italianët, ishte ngritja e Komitetit të Përkohshëm Administrativ me Xhafer Ypin në krye. Asambleja u thirr për herë të parë më 12 Prill 1939. Fillimisht ajo rrëzoi dinastinë zogiste dhe abrogoi Statusin themeltar të 1928-ës, i cili shërbente si bazë ligjore e monarkisë. Gjithashtu, “Asambleja” vendosi bashkimin e Shqipërisë me Italinë nën kurorën mbretërore të Viktor Emanuelit III dhe nxiti popullsinë të besonte te Italia. Pra, Shqipëria do të funksiononte zyrtarisht si monarki kushtetuese autonome, e trashëguar e Kurorës së Savojës. “Asambleja Kushtetuese” krijoi një qeveri “shqiptare” me kryeministër Shefqet Vërlacin, pronar i madh tokash dhe armik personal i Zogut.[9] Më 15 prill, një delegacion i madh zyrtarësh shqiptarë, me në krye Shefqet Vërlacin i dorëzoi kurorën shqiptare Viktor Emanuelit të III. Më 22 prill 1939 Jakomoni dhe Vërlaci nënshkruajnë koventën ekonomike doganore, sipas së cilës mallrat shqiptare dhe italiane do tregtoheshin të lirë ndërmjet njërit vend në tjetrin. Paralelisht me masat politike dhe ekonomike u morën masa të menjëhershme dhe për fashisizimin e vendit. Pushtuesit italianë mbyllën disa gazeta dhe filluan botimin e gazetës “Fashizmi” që më vonë u quajt “Tomori”. Më 23 prill, Françesko Jakomoni, ambasadori italian në Shqipëri, u emërua mëkëmbës i parë i mbretit italian në Shqipëri[10]. Më 2 qershor 1939 pushtuesit italianë formuan në Shqipëri Partinë Fashiste Shqiptare, si degë e Partisë Fashiste Italiane që varej drejtpërsëdrejti nga Musolini. Kjo ishte partia e vetme politike në Shqipërinë fashiste. Sekretar i përgjithshëm i saj u zgjodh Tefik Mborja. Zyrtarisht, nuk egzistonte ndonjë detyrim për të hyrë në parti, por atyre që nuk pranonin të aderonin, ua bënin jetën të veshtirë, sidomos nënpunësve të administratës. Edhe flamurit shqiptar iu shtua emblema e fashizmit italian[11]. Partia fashiste shqiptare tani ishte degë e partisë fashiste italiane që drejtohej nga B.Musolini. Të gjithë nënpunësit shtetërorë duhet të ishin pjesë e partisë fashiste. U morën shumë masa në arsim u ndaluan shumë lëndë dhe literaturat e huaja i hoqi nga qarkullimi. Lejoheshin vetëm literatura fashiste. Misioni francez i arkeologjisë që udhëhiqej nga Leon Rei, u detyrua të pezullojë punën dhe të ikë nga Shqipëria. Në këtë kohë u largua nga Shqipëria edhe fondacioni amerikan Rokfeler. Pushtuesi shtoi dhunën e terrorin mbi popullsinë civile dhe mori masa për të shtypur çdo lëvizje qëndrese. Kështu, që në ditët e para të pushtimit u dërguan në burgjet dhe në ishujt e Italisë rreth 1000 veta atdhetarë shqiptarë. Me qëllim që të stabilizonte gjendien në vend, pushtuesi mori disa masa të shpejta. Në këtë kuadër, në fillim të qershorit 1939 Jakomoni nxori dekretin për çarmatosjen e popullsisë brenda 30 ditëve.[12] Ky dekret parashikonte dënime të rrepta deri dhe në pushkatim për ata që s’i bindeshin urdhërit. Pushtuesi ngriti edhe disa organizma të posaçëm që situata të mbahej nën kontroll. Të tillë ishin komisioni “për gjurmimin e personave të dyshimtë për regjimin”, gjykata ushtarake e përbërë nga oficerë italianë. U ndalua qarkullimi natën si dhe dëgjimi i radiostacioneve të huaja. Në krye të një viti, mund të themi pa frikë se Italia ishte zotëruesja e gjithçkaje në Shqipëri. Pushtuesit italianë u përpoqën të kishin çdo gjë në duart e tyre madje edhe popullin, gjë që s’e arriti ta bënte kurrë. Me gjithë përpjekjet që u bënë në këtë aspekt, populli shqiptar asnjëherë nuk pranoi të bëhej pjesë e partisë fashiste. Bashkimi i kurorave të Shqipërisë dhe Italisë asnjëherë nuk u mor parasysh seriozisht, dhe në literaturën e së drejtës ndërkombëtare zë shembullin e një bashkimi fals. Shqipëria ishte një nga viktimat e para të të ashtuquajturit rendit të ri fashist dhe konfigurimit të hartës gjeopolitike që fuqitë e boshtit dëshironin t‘i jepnin botës. Pushtimi i saj nuk solli kundërshtime të ashpra diplomatike. Kryeministri anglez, Charmberlen, u shpreh në Dhomën e Komuneve se "Anglia nuk kishte interesa në Shqipëri" dhe shkoi ta kalonte fundjavën në Skoci. Po kështu, edhe fuqitë e tjera të mëdha e njohën pushtimin fashist, me përjashtim të SHBA, Turqisë dhe Egjiptit, shtete që vazhduan të mbajnë hapur ambasadat e vjetra të shtetit shqiptar dhe nuk e njohën shtetin e ri kuisling shqiptar, të përfaqësuar nga mëkëmbësi i mbretit të Italisë, Jakomoni, dhe kryeministri shqiptar. Mund të imagjinohet sa i madh ishte zhgënjimi i nacionalistëve shqiptarë, të cilët disa muaj më vonë panë se agresioni ndaj një vendi tjetër siç ishte Polonia, do të sillte reagim të fortë diplomatik dhe akoma më tepër të futeshin në luftë kundër Boshtit ato fuqi që e kishin braktisur Shqipërinë në fatin e vet. Principet e Konferencës së Paqes dhe së Lidhjes së Kombeve u shkelën me të dyja këmbët në rastin e Shqipërisë dhe u respektuan tërësisht në rastin e Polonisë. Barazia midis shteteve, që ishte një nga parimet bazë të themelimit të Lidhjes së Kombeve, rezultoi të ishte më tepër një qëndrim retorik, dhe se nuk përfaqësonte aspak një vullnet të fortë politik. Shqipëria si gjithë vendet e tjera do të kalonte nga kalvari i Luftës Botërore, por kundërshtimi i pushtimit që në ditët e para do ta radhiste në Aleancën e madhe antifashiste, dhe kjo gjë mbetet një nga vlerat më të pamohueshme në historinë tonë moderne. Bibliografi: 1. Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar Vëllimi III, Toena, Tiranë: 2009 2. Count Galeazzo Ciano, Diary : 1939 - 1943 , London 1947 , Heinemann 3. Dezhgiu, Muharrem. Shqipëria në luftë (1939 -1944) 4. Duka, Valentina . Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë, Kristalina-KH, 2007 5. Fischer , Bernd J. Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë: ?abej 6. Puto, Arben Shqipëria Politike 1912-1939, Tiranë, Toena, 2009 Suplementi Rilindësi, faqe 20-21, 27.04.2014 -------------------------------------------- [1] Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë, Kristalina-KH, 2007, fq. 162 [2] Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939, Tiranë, Toena, 2009, fq. 404 [3] Valentina Duka, Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë, Kristalina-KH, 2007, fq. 185 [4] Bernd J.Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë: ?abej, 1996, fq. 279 [5] Bernd J. Fischer, Shqipëria gjate Luftës, 1939-1945,?abej, Tiranë: 1996, fq. 35 [6] Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar Vëllimi III, Toena, Tiranë: 2009, fq. 360 [7] Count Galeazzo Ciano, Diary : 1939 - 1943 , London 1947 , Heinemann, fq. 63 [8] Muharrem Dezhgiu, Shqipëria në luftë (1939 -1944), fq. 215 [9] Valentina Duka, vep. e përmendur, fq. 210-211 [10] Po aty, fq. 211 [11] Po aty, fq. 211 [12] Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar, vëll IV , Toena: Tiranë,fq. 27

Ndaje me miqte