572 vjetori i Besëlidhjes së Lezhës
02 Mars 2016
?Besëlidhja e Lezhës? përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.
E njohur edhe nga emërtimet e tjera si Lidhja Shqiptare e Lezhës, Kuvendi i Lezhës, Liga e Princërve Shqiptarë, është Kuvendi i Princave Shqiptarë të viteve 1444, të cilët dëshironin të shkëputen nga lidhja me Perandorinë Osmane, e cila krijohej me ndikimin ushtarak osman.
Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë. Si organizator i kuvendit merret i porsakthyeri nga Stambolli, gjenerali (Skënderbeu) shqiptar në perandorinë osmane Gjergj Kastrioti. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botën krishtere ishin të njohura si toka të perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit.
Ky Kuvend mbështetej edhe nga Papa, pasi me këtë do të ndalohej apo së paku do të ngadalësohej depërtimi i Perandorisë Osmane në Ballkan e që në vete sillte edhe fenë islame.
Princërit që morën pjesë ishin Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia; Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë; Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës; Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë e deri në kufi të Serbisë; Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës; Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij; Lek Dushmani, princ i Zadrimës; Stefan ?ernoviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues.
Kjo Besëlidhje mori disa vendime. Vendimet e kuvendit ishin, krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut. Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtri, me ushqime dhe para kundër Sulltan Muratit II.
Lidhja e Lezhës ishte një aleancë politike ushtarake, e cila bazohej në vendime demokratike nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre. Sipas marrëveshjes armiqësitë mbi zotërimi e tokave do të ndaleshin apo do të i paraqiteshin lidhjes e cila me vendime në bazë të shumicës do t’i zgjidhte. Kjo arrihej me lehtësi pasi që të gjithë fisnikët pjesëmarrës apo anëtarë të Lidhjes së Lezhës forcat e tyre ushtarake i kishin vënë në komandën e Gjergj Kastriotit, i cili ato sipas marrëveshjes do t’i fuste në përdorim vetëm kundër ushtrive kërcënuese të anëtarëve të Lidhjes.
Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.
Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.
(ATSH)
Ndaje me miqte