57 është numri i konfirmuar i të vdekurve nga përplasja e trenit të martën në mesnatë, sipas informacionit të fundit zyrtar nga policia dhe shërbimi zjarrfikës, të premten në mesditë.
Zëdhënësja e policisë greke, Konstandina Dimalgidou sqaroi se ata që ishin deklaruar fillimisht si të zhdukur përfshihen tek të vdekurit.
“Në këtë pikë, disa bëjnë gabimin që ata të cilët ishin deklaruar nga prindërit si të zhdukur menjëherë pas aksidentit, t’ia shtojnë numri të të vdekurve që janë nxjerrë nga rrënojat. Ata që ishin deklaruar fillimisht si të zhdukur përfshihen tek të vdekurit”, tha zëdhënësja.
Zëdhënësja e policisë shtoi se deri në këto momente janë identifikuar 36 të vdekur me testin e ADN-së.
Gjithashtu, 11 prej familjeve janë njoftuar prej zyrtarëve të ekipit të identifikimit të policisë dhe se ky proces i dhimbshëm po vazhdon.