20 vjet nga ikja e Poetit Nobelist Odhysseas Elitis
18 Mars 2016
Si sot, 18 mars 1996, u nda nga jeta Poeti Nobelist grek, Odhysseas Elitis.
Në vitin 1939, studenti i fakultetit Juridik të Universitetit të Athinës, Odhysseas Alepudhelis (i lindur në Iraklio të Kretës, më 2 nëntor 1911), vendosi përfundimisht të braktiste studimet dhe t’i përkushtohej letërsisë, më saktë poezisë. 40 vjet më vonë, vendimi i tij do të përligjej në mënyrën më të mirë, teksa Akademia Suedeze i akordoi me 1979 meritën më të madhe, ?mimin Nobel. Ky ishte suksesi i dytë i poezisë greke, pas Nobelit që kishte fituar Jorgos Seferis, më 1963.
1939-a ishte një vit përcaktues, pasi shënon afirmimin e poetit, me emrin Odhysses Elitis. Atë vit u botua përmbledhja e parë e tij, “Orientime”, që e renditi menjëherë ndër poetët e vijës së parë.
I përket një brezi që jo vetëm ndryshoi rrënjësisht vokacionin e poezisë greke, por edhe i dha dimensione ndërkombëtare asaj (Seferis dhe Elitis i përkasin atij brezi). Ishte brezi që predikonte se Greqia duhej të pushtonte së qeni pjesë e Ballkanit dhe të integrohej në Europë, ndërsa poezia greke duhej të kërkonte rrugë të reja.
Këtë rrugë, siç shënon kritika, Elitis e gjeti në territorin grek, në traditën antike dhe bizantine. Me zbulimin e surrealizmit, ai gjeti metodën e vet të shprehjes që përngjasonte me mënyrën se si e konceptonte dritën një tjetër shkrimtar i madh i Mesdheut, Alber Kamy.
Deri në gjallje (ai vdiq në Athinë, më 18 mars 1996), botoi 19 vëllime poetike, që përbënin ngjarje të mëdha, ende pa marrë çmimin Nobel.
NAUTILIUS I VOGEL
?ka munda të marr një jetë të tërë prej veprash të pashme nga të gjithë, rrjedhimisht
Të fitoj vetë tejdukshmërinë, ia detyroj një farë kuraje të posaçme që ma
Dha Poezia: të bëhem erë për balonën e balonë për erën,
Madje edhe kur qielli nuk ekziston.
Nuk bëj lojë fjalësh. Flas për at’ lëvizjen që ndokush e zbulon
Brenda “?astit”, kur arrin ta hapë e t’i japë vazhdimësi. Atëbotë
Kur dhe trishtimi bëhet Gëzim dhe Gëzimi Engjëll; Lumturia Murgeshë dhe Murgesha Lumturi
Me plepa, krahë të gjatë mbi zbrazëti, një zbrazëti e mbushur me pikla zogjsh, fllade borziloku e fëshfërima të mbytura parajse.
MOSHE E KUJTIMIT TE MJEGULLT
Ullishte dhe vreshta gjer tej në det
Kaike të kuqe gjer tej në kujtesë
Membranë e artë e gushtit në gjumin pasdrekor
Me alga apo molusqe. Dhe ai skaf
I saponxjerrë, i gjelbër, që e lexon ende
Në paqen e ujrave të gjirit, ka zoti.
Vitet kaluan mbi fletë dhe guacka
Kujtoj djemtë marinarë që shkonin,
I ngjyenin velat si zemrën e tyre
Dhe kishin tatuazhe stuhish në gjokse.
?’kërkoja kur mbërrite e ngjyer nga p’rendimi i diellit;
Me moshën e detit në sy
Dhe me hiret e diellit në trup - ç’kërkoja
Thellë shpellave të detit me ëndrrat pa kufi
Ku shkumonte era ndjenjat e veta?
I panjohur e i zbardhur - emblemën pellazgjike
Skalitur në gjoks.
Me rërën nëpër duar i mbyllja gishtrinjtë,
Me rërën në sy i shtrëngoja gishtat,
Ishte ankthi.
Mbaj mend ishte prill kur ndjeva së pari
Peshën tënde njerëzore
Trupin njerëzor argjil dhe mëkat
Si ditën tonë të parë mbi tokë.
Festonin zambakët - Por mbaj mend të dhembi
Ishte një kafshim i thellë në buzët
Një gëvishtje e thellë në lëkurë kah
Vendi ku skalitet përjetësisht koha.
Të lashë atëbotë
Dhe një frymë gjëmuese i ngriti peshë shtëpitë
Ndjenjat e bardha të porsalara mbi
Qiellin që ndriçonte me një buzëqeshje.
Tash do të kem afër një shtambë me ujë pavdekësie
Dhe ato duart e tua ku do të vuajë dashuria
Dhe atë guackën tënde ku do të jehojë Egjeu.
MONOGRAME
(fragment)
Të dua, dëgjon?
Qaj, si ndryshe, përderisa njerëzit duhen
Qaj për vitet që vijnë pa ne
Dhe këndoj për ato që shkuan, nëse është e vërtetë.
Për “besomë”-t dhe “Mos”-ët.
Herë në erë, herë në muzikë
Nëse këto janë të vërteta këndoj
Qaj për trupin që preka dhe pashë botën.
Kështu flas për ty dhe për mua.
Sepse të dua dhe në dashuri
Di të hyj si hënë e plotë
Nga gjithkah, për ty
Brenda shtrojave thumboj lule dhe e kam forcën
Të fryj e të përgjumur të t’shpie gjithandej.
Të kanë dëgjuar valët si përk’dhel,
Si puth, si thua “çfarë” dhe “si”.
Gjithmonë ne: drita dhe hija.
Gjithmonë ti ylli dhe unë errësira,
Gjithmonë ti statuja e gurtë dhe unë hija që rritet
Dritarja e mbyllur ti, era që e hap unë.
Sepse të dua e të dua.
..............................
Eshtë ende herët në kët’ botë, e dashura ime,
Të flas për ty e për mua.
Eshtë ende herët në kët’ botë, dëgjon?
Jam unë, dëgjon? Të dua, dëgjon?
Ku po më lë, ku po shkon, më dëgjon?
TRUP NE VERE
O, trup në verë, lakuriq i djegur
I ngrënë prej vajit e prej kripës
Trupi i shkëmbit dhe ethe e zemrës
Valëvitje e krifës së xunkthit
Re borziloku mbi kaçurrelat e pubisit
Mbushur yllza dhe gjëlpëra pishe
O trup i thellë notues i ditës.
Përktheu: Robert Goro
Ndaje me miqte