10-vjet, mësimi i gjuhës shqipe në Patra
16 Tetor 2018
Për të dhjetin vit radhazi, shkolla shqipe “Naim Frashëri” në Patra ka hapur dyert e veta për fëmijtë e bashkatdhetarëve.
Me këtë rast, stafi pedagogjik i shkollës ka publikuar një mesazh në Facebook:
Në një atmosferë të gëzuar, ditën e shtunë në datën 13 tetor 2018, në mjediset e shkollës publike greke të zonës Agj. Sofias, u zhvillua ceremonia e fillimit të vitit shkollor 2018-2019, të shkollës shqipe "Naim Frashëri " të qytetit të Patrës.
Merrnin pjesë nxënës, mësues dhe prindër të kësaj shkolle, e cila ka një stabilitet dhe organizim shembullor në funksionimin e saj.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuesi i kësaj shkolle z. Iliaz Bobaj u uroi mirëseardhjen nxënësve dhe suksese për vitin shkollor në vazhdim. Gjithashtu u trajtuan edhe probleme të tjera, si ato të mungesës së dërgimit të teksteve nga Ministria e Arsimit, bashkëpunimi i ndërthurur mësues- nxënës- prindër dhe krijimi i Këshillit të prindërve, si dhe përgatitjet e mënyra e festimit të 10- vjetorit të themelimit të kësaj shkolle gjatë vitit në vazhdim.
Në emër të shoqatës së shqiptarëve të Patrës "Emigranti" përshëndeti kryetarja zj. Kristiana Veliu , po ashtu edhe si mësuese aktive e kësaj shkolle, duke u bërë thirrje të gjithë prindërve me banim në Patra të bashkohen në radhët e këtij misioni sa fisnik, po aq dhe patriotik, për një të ardhme dinjitoze dhe respektim të dyanshëm, për ruajtjen e gjuhës mëmë, traditave dhe kulturën tonë shqiptare edhe në vendin ku jetojmë.
Ju falënderojmë për pjesëmarrjen dhe urojmë të gjithë nxënësve, veçanërisht atyre të klasave të para, një vit të mbarë dhe të suksesshëm !
Jeni të mirëpritur !
Stafi Pedagogjik, Patra
Të interesuarit për më shumë informacion mbi mësimin e gjuhës shqipe në Patra, mund të telefonojnë në këto numra:
2611104210, 6980258227, 6985940009
Ndaje me miqte