0030 210 33 18 483

Zgjedhja e dy përfaqësuesve të Diasporës në Greqi: Kriteret dhe transparenca

Juli Ndriko

20 Dhjetor 2023

Televizioni Tribuna është e vetmja media që ofron informacion për bashkëkombësit tanë që nga viti 2018, dhe deri më tani nuk kemi marrë asnjë informacion nga zyra e shtypit të Ambasadës Shqiptare në Athinë në lidhje me zgjedhjet e përfaqësuesve të Diasporës.

Zonja Ambasadore, është e qartë se mungesa e informacionit është një sfidë serioze që nuk mund të injorohet lehtësisht. Është detyra jonë që të gjejmë një mënyrë për të përcjellë lajmin, siç e përmenda dhe më sipër,  megjithëse nuk kemi marrë asnjë informacion nga zyra e shtypit e Ambasadës. Ne duhet të gjejmë mënyra alternative për të informuar opinionin publik rreth kësaj çështjeje. Mendoj që mbani të njëjtën përgjegjësi dhe  obligim sikurse ne për të informuar të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Jemi të interesuar të dimë se në bazë të cilave kritere u zgjodhën ata që përfaqësojnë interesat tona.

Para së gjithash duhet të theksojmë faktin se zgjedhja e përfaqësuesve ka ardhur si e drejtë dhe prerogativë nga vetë Ambasadorja znj.Luela Hajdaraga dhe zv.Ministria znj. Artemis Malo .

Mirëqenia e një komuniteti ndikohet ndjeshëm nga procesi i zgjedhjes së individëve që do të përfaqësojnë dhe do të mbrojnë interesat e tyre.


Në këtë kontekst çdo individ ka të drejtën për t'u prezantuar me dinjitet dhe krenari. Procesi i seleksionimit të përfaqësuesve është një procedurë që nuk mund të kundërshtohet dhe duhet të vëmë theksin në transparencë dhe kriteret themelore për t'u përfaqësuar shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në mënyrë të denjë në territorin grek. Bëhet e qartë që zgjedhësit duhet të kenë një lidhje të ngushtë dhe të njohur me komunitetin dhe duhet të jenë në gjendje të përfaqësojnë interesat e tyre në mënyrë të përshtatshme.

Gjithashtu, është thelbësore që diskutimi mbi seleksionimin e përfaqësuesve të diasporës të vazhdojë dhe të jetë transparent, për të siguruar një përfaqësim të ndershëm dhe të plotë të interesave të shqiptarëve në Greqi.

Më tej, do të hulumumtojmë kriteret që janë përdorur për preferencën e Ira Londos dhe Ermal Sulajt, si dhe ndikimin e tyre në përfaqësimin e shqiptarëve të diasporës në Greqi. Do të analizojmë transparencën e procesit, arsyet pse ata janë zgjedhur në vend të personave me më shumë specializim, si dhe rolin e tyre në skenën politike shqiptare.

Mbi cilat kritere janë zgjedhur Ira Londo dhe Ermal Sulaj?

A janë përdorur kriteret e kompetencës, përvojës dhe ekspertizës në fushat relevante për të përfaqësuar shqiptarët e Diasporës në Greqi? A janë konsideruar aftësitë e tyre diplomatike, gjuhësore dhe organizative? Transparenca në këtë proces është e domosdoshme për të siguruar se vendimet janë të bazuar në merita dhe jo të favorizuara politikisht nga zv.Ministria znj. Malo dhe Ambasdorja znj.Hajdaraga. Çdo kriter duhet të jetë i qartë dhe i përcaktuar në mënyrë ekzakte për të garantuar objektivitetin dhe meritokracinë.

Sa transparente ishin këto zgjedhje?

Pikë së pari, për të pasur një proces zgjedhjeje të hapur dhe transparent, që të sigurojë besueshmëri dhe legjitimitet, a janë publikuar kriteret dhe procedurat e përdorura për zgjedhjen e tyre? A kishte konsultime dhe përfshirje aktive të shqiptarëve në Greqi?

Një proces transparent do të siguronte përfshirjen e të gjithë aktorëve të interesuar dhe do të ndihmonte në shmangien e favorizimit politik. Raportet e detajuara mbi këto zgjedhje do të ofronin një panoramë të qartë për procesin dhe vendimet që janë marrë.

Pse u zgjodhën pikërisht Ira Londo dhe Ermal Sulaj?

Në Greqi kemi shumë   intelektualë të specializuar dhe të denjë për të përfaqësuar shqiptarët në Diasporë, cila ishte arsyeja që ata nuk u zgjodhën? 

Duhet të kuptojmë se cili ishte procesi i përzgjedhjes dhe nëse ishte i drejtë dhe i pavarur nga ndikimet politike. Identiteti i pavarësisë së zgjedhjeve është thelbësor për të garantuar që vendimet janë të bazuara në meritokraci dhe përfaqësojnë interesat më të mira të shqiptarëve në Greqi.

  A mund të kemi dyshime racionale në lidhje me shërbimin e Ira Londos dhe Ermal Sulajt ndaj politikës shqiptare, duke u bazuar në mënyrën se si janë zgjedhur ata, dhe a mund të jemi të sigurtë për kontributin e tyre ndaj bashkëqytetarëve shqiptarë në Greqi?

 

Duke u bazuar në faktin se përfaqësuesit janë zgjedhur nga Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga dhe zv.Ministria znj.Artemisa Malo, kjo tregon një indikacion të fortë për pjesëmarrjen e tyre aktive në politikën e vendit mëmë. Ky fakt na mundëson të vëzhgojmë se roli i tyre mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet elektorale që vijnë. Qëllimi dhe misioni i tyre duhet të përfshijnë vetëm synime të ndershme dhe të përjashtojnë çdo interes personal apo politik. Pavarësia dhe neutraliteti janë thelbësore për të siguruar një përfaqësim të sinqertë dhe të afërt ndaj bashkëqytetarëve shqiptarë në Greqi.

 

Në përfundim, zgjedhja e përfaqësuesve të  Diasporës në Greqi duhet të bëhet me transparencë dhe përgjegjshmëri, duke bazuar në kritere të qarta dhe të kontrollueshme.  Vetëm në këtë formë mund të sigurohet një përfaqësim dinjitoz dhe efektiv i interesave të diasporës shqiptare në Greqi dhe për të promovuar imazhin e vendit tonë në mënyrë dinjitoze dhe të mirëfilltë në skenën ndërkombëtare.

 

 

 

 

Ndaje me miqte