0030 210 33 18 483

"Sizifi..."?, një gur me vlerë të veçantë në godinën e letërsisë më të mirë

Thanas MEDI 27 Mars 2019

Mbi romanin “Sizifi dhe Edith Piafi” të autorit Robert Goro

Këto ditë kam qenë në shoqërinë e “Sizifit...” të Robert Goros, një roman epope për nga shtrirja, i rëndë për nga përmbajtja, poetik për nga e shkruara, i veçantë për nga stili, i përkorë për nga binaja kompozicionale e tij. Të Panush Simës, me pak fjalë, një bregdetar si Gorua vetë, që i nis jeta andej nga dhjetë vjeçari i parë i shekullit të kaluar, për ta mbyllur në vitet 90-të. Me tetëdhjetë vitet e Panushit merret autori, me ç'e mbushën dhe zbrazën jetën e tij. Me fëmijërinë anës detit, qytezën me ullinj e limonë, emigrimin në Francë, punësimin në një koloni të saj në Afrikën veriore, kthimin në atdhe, zhgënjimin, ardhjen e Luftës së dytë botërore që e pengoi të emigrojë prapë, vendosjen e pushtetit komunist dhe, kryesorja, mbijetesa e tij në diktaturë.

Sesa të bëjë histori, këtu i dhemb Goros më shumë, te mbijetesa e Panushit të tij. Ku degë e veçantë është dhe mbijetesa e vetë autorit, si një kumt më tepër, se Panushi nuk është vetëm; ka dhe të tjerë si ai. Njerëz të lirë në zgjedhjen e tyre, që bëjnë gjithçka për ta mbrojtur lirinë.

Sidoqoftë, ''vetmia'' në jetën e Panushit është e ulur këmbëkryq, dhe vetëm njëra arrin t'ia thyejë atë, e dashura e tij e zemrës, këngëtarja e madhe franceze Edith Piaf (1915-1963). Një dashuri platonike, me këngën e saj më tepër, sesa me vetë atë. Dashuri me dëgjimin e parë, thotë Goro në roman. Njëherë të vetme e pa, kur vajti t'i dhurojë lule si fans, adhurues i saj, dhe i mbeti gozhdë në zemër përgjithmonë. Dashuria qiellore për Edith Piafin do të shënojë gjithë jetën e Panushit. Është çengeli ku ai mbahet për të mbijetuar, për të mbetur gjallë. Jo se të tjerët rreth tij kishin vdekur, porse ai mes gjithë të tjerëve donte të mbetej ai që ishte, dhe jo ç'i diktonin të tjerët të qe. Dhe këtu i ka rrënjët vetmia e madhe, e pa kompromis e tij. Panushi donte të vendoste vetë për jetën e tij, ta bënte siç donte ai dhe jo të vendosnin të tjerë për atë. Panushi nuk ishte nga ata që futeshin në rresht e vdisnin në rresht, ushtarë të partisë; donte hullinë e rreshtit të vetë. S'qe dhe ndonjë kokëkrisur që t'i vihej diktaturës ballë përballë, iu vu veçse po kaq me diçka tjetër: me të mbeturit njeri. Panushi s'bëhet dot ''njeriu i ri'', është i një paste tjetër, nga ata që nuk e durojnë dot kostumin uniform. Njeriun e fabrikuar në aksione e kantiere, e shikon si shëmtim të njeriut të vërtetë. Ai s'kërkon ndonjë gjë të madhe, do thjesht të mbetet njeriu i vërtetë, njeriu i lirë. Për atë, diktatura, qe një pushtim, një okupim i ri.

Ka shumë për të thënë rreth Panushit, mundimet e Sizifit të mitologjisë që i ranë atij në kurriz, dhe kjo është vlerë për autorin e librit. Po kështu mund të flitet për romanin në përgjithësi, që s'është aspak historik, siç mund të të lind ideja e parë; është roman me theks të fortë shoqëror, aktual; apel për mos harresën e traumës së madhe të njeriut shqiptar në regjimin komunist. Është klithmë lirie, vepër e shpirtit të prangosur në diktaturë.

"Sizifi" i Goros, është padyshim një gur me vlerë të veçantë në godinën e letërsisë më të mirë shqiptare, dhe këtu nuk rri vetëm me mesazhin që përcjell. Rri dhe me atë sesi e përcjell. Stofin artistik, me një fjalë. Meqë është gazetar, siç thotë vetë e njihet gjerësisht mes njerëzve të letrave e jo vetëm, të ngacmon kurreshtja të mësosh si i ka harmonizuar ai në të shkruar ''gazetarin'' me shkrimtarin e mirëfilltë. E vërteta është se romani nuk kërcet kurrkund, dhe kjo është dëshmi e asaj, se Goro ka ditur si t’i vëjë në punë ata, për të pasur një letërsi të bukur, të fjalës së shkathët dhe mendimit të thellë. Ku “gazetari” e ndihmon “shkrimtarin” atje ku duhet dhe aq sa duhet. Për të pasur një lëndë konçize, pa ujëra të tepërta, e të veshur jo pak me vel poetik.

---------------------------------

*) Thanas Medi është fitues i Çmimit Kombëtar për Romanin me veprën “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”

Ndaje me miqte