Ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos, ka deklaruar se “bankat greke ndodhen në një gjendje shumë të mirë”, duke shtuar ndërkaq se ato “kanë shumë sfida përpara”.
Sipas analistëve, fjalët e ministrit janë një përpjekje për të qetësuar deputetët, por sidomos investitorët, pas pikiatës dramatike që shënuan aksionet e bankave vendase, të mërkurën në Bursën e Athinës.
“Të mos thoni se bankat ndodhen në kolaps. Kjo nuk është e drejtë, dhe më e rëndësishmja: nuk është e vërtetë”.
Ministri grek i financave foli të enjten pasdite në parlamentin vendas, i përballur me kritikat e opozitës.
Sipas partisë më të madhe opozitare, “mbrapa rënies së aksioneve bankare gjendet dështimi i qeverisë në menaxhimin e kredive të këqija”.
Të mërkurën, volumi i transaksioneve në Bursën e Athinës ra në nivelin e vet më të ulët që nga marsi 2017. Në qendër të goditjes ishte sektori bankar, ku aksionet e Bankës së Pireut humbën 20,7% të vlerës.
Ekspertë të çështjeve financiare citohen nga shtypi grek të kenë thënë se zhvillimet e të mërkurës në bursë nuk kanë një shpjegim të arsyeshëm dhe se janë përtej çdo klime mosbesimi që mund të ekzistojë për ekonominë greke dhe performancën e sektorit bankar.
Ndërsa gazeta Financial Times gjykon se sulmi ndaj aksioneve të bankave është një “reagim i ekzagjeruar nga ana e një tregu të dobët”.
Bankat greke i kanë kaluar me sukses stress testet gjatë viteve të krizës, falë dhe fondeve për rikapitalizim që iu disbursuan në kuadër të programit të shpëtimit të Greqisë. Por gjendja e tyre vazhdon të mbetet delikate, për shkak të rrjedhjes së depozitave dhe sidomos për shkak të kredive të këqija.
Në mesin e shtatorit 2018, totali i kredive të këqija që rëndojnë mbi katër bankat kryesore greke, ishte 88,3 miliardë euro.