Edi Rama dhe Aleksis Tsipras janë takuar sërish të premten, përsëri në “fushë asnjanëse”, kësaj here në Dubrovnik.
Samiti 16+1 i vendeve të Europës Juglindore me Kinën, ka qenë një rast i mirë që kryeministrat e dy qeverive fqinje të ridiskutojnë mbi problematikat dypalëshe, në kohën që negociatat zyrtare midis Athinës dhe Tiranës qëndrojnë të ngrira që prej gati një viti.
Fillimisht, informacioni për takimin që u zhvillua para mesditës, ishte i pakët.
Lejmin e dha i pari kryeministri Tsipras me një publikim në Twitter, shoqëruar dhe me një fotografi.
Pak më vonë, në portalin e kryeministrisë shqiptare doli një njoftim i shkurtër.
“Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Kryeministrin e Greqisë Alexis Tsipras, gjatë zhvillimit të samitit 16+1 mes vendeve të Europës Juglindore dhe Kinës.
Biseda mes tyre u përqendrua në reformat e ndërmarra nga Shqipëria me synim hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, si edhe në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe jo vetëm në rrafshin politik e të fqinjësisë së mirë, por edhe në shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja.
Kryeministri Rama vlerësoi qëndrimin e Athinës zyrtare mbi të ardhmen e Shqipërisë në BE dhe rolin që qeveria greke luan për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE”.
Në orët e pasdites agjencia greke e lajmeve, ANA-MPA, zbardhi më shumë detaje nga takimi.
“Reformat e nevojshme për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE dhe bashkëpunimi dypalësh, me theks në fushën ekonomike, ishin në fokus të takimit të kryeministrit Aleksis Tsipras me homologun e tij shqiptar, Edi Rama.
Tsipras e bëri të qartë se kriteri bazë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE është respektimi i të drejtave të minoritetit grek.
Rama e Tsipras shqyrtuan qëndrimet e qarta të bashkimit Europian në lidhje me të drejtat mbi pronën të minoritetit dhe në lidhje me të drejtën e vetëpërcaktimit, që është pjesë e ligjit për minoritetet.
Në këtë kuadër, Tsipras e cilësoi si hap pozitiv vendimin e ditëve të fundit të qeverisë shqiptare për pronat e qytetarëve që nuk kanë tituj pronësie dhe nënvizoi që tashme çështja qëndron tek vënia në zbatim e atij vendimi.
Edi Rama e garantoi homologun e tij grek se vendimi përkatës do të publikohet ditëlt e ardhshme në Fletoren Zyrtare të qeverisë.
Rama gjithashtu ka premtuar se do të bëjë gjithçka që të respektohen rregullat e BE-së në lidhje me të drejtat e pronës, duke respektuar plotësisht gjithë ata që disponojnë aktet e marrjes në pronësi të tokës.
Më tej, dy kryeministrat kanë diskutuar hapat e mëtejshëm në lidhje me punën për korrigjimin e teksteve mësimore.
Në pjesën e dytë të takimit Tsipras e Rama kanë diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit të të dy vendeve me theks në fushën e infrastrukturës”, njofton agjencia greke ANA-MPA.
Siç shihet, takimi Tsipras Rama është lexuar ndryshe në të dy kryeqytetet.
Duke pasur të përbashkët pjesërisht, temën reformave si kusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë më shumë se katër viteve që ndodhet në pushtet Aleksis Tsipras ka vizituar apo pritur kryeministrat e gjithë vendeve të rajonit, me përjashtim të Kosovës, që Athina nuk e ka njohur zyrtarisht si shtet të pavarur.
E vetmja vizitë e munguar është ajo e zotit Tsipras në Tiranë apo anasjelltas, e kryeministrit Edi Rama në Athinë.
Por pavarësisht mungesës së një vizite të tillë, është e rëndësishme që dy kryeministrat i mbajnë hapur urat e komunikimit, qoftë dhe “në fushë asnjanëse”...