Në pikëpyetje vazhdimi i koalicionit qeveritar, pas kërkesës së Kammenos për dorëheqje të Muzalas

Ministri i emigracionit Janis Muzalas (majtas) dhe ministri i mbrojtjes, Panos Kammenos

E ardhmja e koalicionit qeveritar në Greqi ndodhet në pikëpyetje të madhe, pasi aleatët e kryeministrit Tsipras, “Grekët e Pavarur”, kërkuan dorëheqjen e ministrit të emigracionit, Janis Muzalas.

Muzalas, gjatë një interviste që u transmetua në orët e vona të së martës, e përmendi Republikën ish Jugosllave të Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, gjë që politika zyrtare nuk e ka pranuar kurrë.

Muzalas e bëri këtë kur po shpjegonte ngjarjen e të hënës, kur disa qindra refugjatë kaluan në territorin e vendit fqinj.

Ministri po thoshte se “persona që nuk kanë asnjë lidhje me organizatat joqeveritare dhe vullnetrarët që ndihmojnë në Idomeni, organizuan kalimin në Maqedoni”.

Përmendja e emrit Maqedoni për shtetin fqinj nga një përfaqësues i qeverisë greke, shkaktoi reagimin e menjëhershëm të partive opozitare.

Demokracia e re e cilësoi si një “sjellje të pahijshme”, që përforconte argumentet e Shkupit zyrtar dhe shtonte se ministri duhet të mendojë ndoshta edhe dorëheqjen.

Pak a shumë i njëjtë ishte dhe reagimi i PASOK-ut.

Qeveria u përgjigj menjëherë ndaj kritikave, duke i cilësuar ato si të ekzagjeruara dhe hipokrite. Vetë Muzalas kërkoi publikisht ndjesë, duke ia atribuar “lapsusin” nxitimit.

Por kjo ndjesë duket se nuk e ka bindur kryetarin e grekëve të pavarur, ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos, i cili që nga momenti i parë kërkoi që ministri i emigracionit të japë dorëheqjen.

Të mërkurën paradite Kammenos e përsëriti qëndrimin e vet. Ai e quajti një “krim tragjik” përmendjen e emrit “Maqedoni” nga ana e Muzalas dhe shtoi se ai nuk mund të jetë më pjesëtar i qeverisë, pasi qëndrimet e tij janë të dëmshme për çështjet kombëtare.

Kammenos tha se pret reagimin e kryeministrit Tsipras ndaj kërkesës së tij për largimin e ministrit të emigracionit.

Pavarësisht se qeveria në momentin e parë e mbështeti ministrin e emigracionit, këmbëngulja e partnerit qeveritar e vë para kokëçarjeve të mëdha kryeministrin grek.

Grekët e Pavarur janë të domosdoshëm për koalicionin qeveritar dhe prishja e këtij koalicioni do të sillte automatikisht rrëzimin e qeverisë Tsipras.

Nga ana tjetër, konsiderohet absolutisht e pamundur që të shkarkohet ministri i emigracionit, vetëm dy ditë para samitit tepër të rëndësishëm të BE-së, ku pritet të merren vendime tepër përcaktuese për krizën e refugjatëve ku Greqia po vazhdon të ketë barrën më të madhe.

Për këto arsye, zhvillimet e orëve të ardhshme konsiderohen si tepër vendimtare për atin e qeverisë Tsipras, dhe ndoshta edhe për vetë Greqinë.

Tribuna

16 Mars 2016

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2