Nënshtetësia e brezit të dytë, qëndrimet e partive greke mbi draftin e paraqitur në Parlament

Ministri i brendshëm Nikos Voutsis dhe ministrja alternate e politikës së emigracionit, Tasia Christodoulopoulou, gjatë prezantimit të projektligjit në komisionin parlamentar

Tre nga partitë parlamentare greke, SYRIZA, ANEL dhe PASOK, pritet të japin votë pozitive për projektligjin mbi dhënien e nënshtetësisë brezit të dytë. Kjo ka rezultuar nga pozicionimet e partive, në ditën e parë të diskutimit të projektiligjit në komisionet përkatëse parlamentare.

Demokracia e Re, Agimi i Artë, To Potami dhe partia Komuniste, kanë deklaruar rezervat e tyre, megjithëse u shprehën bashkarisht – me përjashtim të Agimit të Artë-, për nevojën e një rregullimi legjislativ në dhënien e nënshtetësisë.

Ministrja e politikës së emigracionit, Tasia Christodoulopoulou, deklaroi nga ana e vet se gjatë diskutimit do të kërkohet një kuadër i përbashkët, me qëllim që projektligji të votohet me maxhorancën më të madhe të mundshme.

Projektligji i ministrisë së brendshme, “Ndryshime në Kodin e Nënshtetësisë Greke”, u shqyrtua në një mbledhje të përbashkët të komisioneve parlamentare të Administratës Publike, Rendit Publik dhe Drejtësisë, dhe komisionit të tregtisë dhe prodhimit. Procedura vazhdon të mërkurën me pozicionimet e institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile, ndërsa të premten do të ketë një lexim të dytë nga ana e komisioneve parlamentare.

“Dëshironim të hartonim një ligj i cili t’i rezistojë kohës dhe të mos rrezikojë që të përfshihet sërish në aventura gjyqësore, të kënaqë të rinjtë e brezit të dytë që jetojnë në Greqi dhe presin me agoni votimin e ligjit, si dhe të jetë (ligji) konformë Kushtetutës dhe vendimit të Këshillit të lartë të Shtetit. Gjithashtu, duam të tregojmë se Parlamenti grek është në gjendje, pas kaq vjetësh, që të dërgojë mesazhin e integrimit social dhe pranimit nga shoqëria të fëmijve të brezit të dytë që jetojnë në vendin tonë, që studiojnë këtu dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e popullit grek”, theksoi në fjalën e saj hyrëse, ministrja alternate e politikës së emigracionit, Tasia Christodoulopoulou.

Raportuesja e SYRIZA-s, deputetja Vasiliki Katrivanou, nënvizoi se “legjislacioni për nënshtetësinë është i rëndësishëm, sepse vitet e fundit janë shumë fëmijë në Greqi që janë lindur dhe rritur këtu. Projektligji është në dobi të popullit grek, sepse duam t’i kemi në anën e popullit tonë këta fëmijë që duam të krijojnë ndërgjegjjen e tyre si pjesëtarë të këtij vendi. Nënshtetësia nuk është një stimul, as favor, por një e drejtë për ata që lindin dhe rriten në këtë vend”.

Katrivanou vuri në dukje se personalisht mund ta preokupojnë disa pika të projektligjit, si ajo për arsimimin e suksesshëm të fëmijve, sepse “nuk konsideroj se vetem nxënësit e mirë janë pjesë e shoqërisë”, apo me ndërvarjen e fëmijve nga statusi i ligjshëm i prindërve, “në momentin që për shkak të krizës shumë prindër e humbën statusin e ligjshëm”. Ndërkaq, Katrivanou tha se e mbështet fuqishëm projektligjin, sepse “është një projektligj i matur, ngase duhet të ekuilibrojmë ndërmjet nevojës për të dhënë nënshtetësinë dhe vendimit të Këshillit të lartë të Shtetit. Dua një prpojektligj që t’i rezistojë kohës, që do të përfshijë në hartë brezin e dytë të emigrantëve dhe tregojë se grek, edhe lind, edhe bëhesh”.

Demokracia e Re rezervohet në parim, siç nënvizoi raportuesi i partisë më të madhe opozitare, Nikos Georgantas, që theksoi se projektligji dërgon mesazhe të gabuara ndaj të gjithëve, madje në një moment kohor kritik për problemin e emigracionit. Georgantas shprehu mospajtimin me dhënien e nënshtetësisë fëmijve që lindin në Greqi me kusht mësimin në shkollën fillore dhe të qëndrimit të ligjshëm pesëvjeçar të njerit prej prindërve në Greqi, sepse “përfundimi i studimeve është kriteri më i sigurt për dhënien e nënshtetësisë”. Ndërkaq, raportuesi i Demokracisë së Re nënvizoi se “nevojitet një kuadër për ata që kanë arritur apo do të arrijnë integrimin e tyre në realitetin grek për të marrë nënshtetësinë”.

Raportuesi i Agimit të Artë, Ilias Panajotaros e cilësoi projektligjin si një “abort”, sepse “grek lind, nuk bëhesh”. “Ndaj projektligjit themi ‘Jo’, në emër të gjithë atyre që luftuan për besimin dhe lirinë e atdheut tonë”. Ai akuzoi kuadrot e ministrisë së brendshme se “janë pjesëtarë të organizatave joqeveritare dhe atyre ndërkombëtare, nga të cilat financohen për të thënë këto gjëra”. Panajotaros tha se Agimi i Artë do të kërkojë votimin nominativ për projektligjin.

Raportuesja e To Potami, Katerina Markou, theksoi se partia e saj rezervohet në parim, megjithëse, siç tha kjo parti e ka përfshirë qysh në fillim në politikën e vet çështjen e nënshtetësisë. Markou propozoi që të vendoset si kusht për fëmijtë që lindin në Greqi, jo thjesht të ndjekin shkollën, por edhe ta përfundojnë atë. Gjithashtu, kërkoi që të ketë një politikë për integrimin thelbësor, përtej projektligjit, shprehu shqetësimin e vënia në zbatim e dispozitave do të shkaktojë një mbingarkesë që aparatit shtetëror, që faktikisht paraqet vonesa të mëdha në menaxhimin e aplikimeve për leje qëndrimi, ndërsa kërkoi që të merren parasysh edhe raste si ato të fëmijve që ndjekin në Greqi shkolla të huaja të çertifikuara, apo të fëmijve që për shkak të invaliditetit nuk mund të shkojnë në shkollë.

Partia Komuniste shprehet në parim kundër projektligjit. “Nga njera anë do të ketë një pjesë të vogël të fëmijve të emigrantëve që do të favorizohet, dhe nga ana tjetër, Greqia është pjesëmarrëse në skemat imperialiste që bëjnë luftëra që cilat shkaktojnë refugjatë dhe emigrantë”, nënvizoi raportuesi i kësaj partie, Hristos Katsotis, që gjithashtu kërkoi rikthimin e të drejtës së votës në zgjedhjet lokale për emigrantët, siç parashikonte ligji i vitit 2010, i njohur ndryshe si “Ligji Ragusi”.

Raportuesi i Grekëve të Pavarur (ANEL), Nikolaos Mavraganis, nënvizoi se partia e tij pajtohet në parim me projektligjin, që sipas tij, “vjen të përmbushë nevojën e humanizmit dhe të civilizimit në një kuadër gjeopolitik që nuk mund të na lerë indiferentë”. “Ata që kanë një njohje minimale të rrugëtimit historik të vendit tonë, do ta dinë se Greqia ishte vazhdimisht një kryqëzim kulturash”, shtoi deputeti i ANEL, duke kërkuar që t’u kushtohet vëmendje edhe për gjithë fëmijtë e emigrantëve që nuk kishin shansin të arsimohen, me qëllim që “të garantohet se këta fëmijë do të kenë të njëjtin fat me grekët e vegjël dhe do të kryejnë arsimin e detyrueshëm”.

Edhe raportuesi i PASOK-ut, Jorgos Arvanitidis, deklaroi se kjo parti voton parimisht në favor të projektligjit, pasi sipas tij përmban dispozita të rëndësishme për mbrojtjen e kohezionit social në Greqi dhe mënyra se si qeveria e trajton çështjen e nënshtetësisë, nuk ndryshon shumë nga përqasja që ka vetë PASOK-u. “Nuk mjafton vetëm ta votojmë ligjin, por qeveria duhet të angazhohet se do ta zbatojë me shpejtësi”, ka vërejtur raportuesi i socialistëve, duke shtuar se “PASOK-u është i gatshëm të diskutojë edhe për pjesëmarrjen e emigrantëve në zgjedhjet lokale, por qeveria nuk duket e gatshme për këtë”.

10 Qershor 2015

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2