EKSKLUZIVE: Ministrja e emigracionit për lejet e qëndrimit, pensionet e emigrantëve dhe të drejtën e votës

Ministrja e politikës së Emigracionit, Tasia Christodoulopoulou gjatë intervistës me gazetarin Robert Goro

Në intervistën e parë të plotë për një media të huaj, ministrja greke e politikës së emigracionit, Tasia Christodoulopoulou ka shpalosur platformën e qeverisë Tsipras për emigrantët. Në pjesën e parë, të publikuar më herët te “Tribuna-news.com”, zj. Christodoulopoulou kishte prezantuar detaje lidhur me ligjin për nënshtetësinë e brezit të dytë dhe kishte shpjeguar arsyet se përse ky ligj ende nuk ka kaluar nga Parlamenti për miratim.

Në pjesën e dytë, ministrja flet me hollësi për “650 mijë emigrantët e ligjishëm”, ku përfshihen edhe ata që për shkak të krizës humbën të drejtën e rinovimit të lejes së qëndrimit. Përballë insistimit tonë, shpjegon se përse aplikantët për leje për arsye të jashtëzakonshme, nuk mund të pajisen që në fillim me vërtetimin blu, ndërsa thekson se ata nuk rrezikojnë që të arrestohen nga policia, “konsiderojmë se ata nuk rrezikojnë të arrestohen derisa komisioni të vendosë për kërkesën e tyre”, thotë shprehimisht.

E ballafaquar me objektivat e programit të SYRIZA-s për emigracionin, ministrja vë në dukje se çështja më serioze është ajo e pensionit të emigrantëve: “diskutojmë se çfarë do të bëhet me pensionet e emigrantëve, përderisa i paguajnë ensimat. Ky është problemi më serioz. Sepse nuk duhet vetëm të japësh për sigurimet shoqërore, çështja është se si do të të kompensohen këto kontribute që ke dhënë”, thekson ministrja.

Gjithashtu, ministrja e politikës së emigracionit, lë të hapur mundësinë e heqjes së ensimave si kusht për rinovimin e lejes së qëndrimit, duke thënë se po shqyrtohen gjithë zgjidhjet alternative.

Nuk mbetet jashtë vëmendjes së qeverisë Tsipras edhe e drejta e votës dhe e zgjedhjes së emigrantëve në organet e pushtetit lokal. Për këtë ministrja thotë se është lënë të diskutohet më vonë, që mos të ndërlidhej me ligjin për dhënien e nënshtetësisë greke.

Pjesa e dytë e intervistës së ministres së politikës së emigracionit, Tasia Christodoulopoulou dhënë gazetarit ROBERT GORO ka si më poshtë.



TRIBUNA-NEWS: Shumë prej fëmijve që do të marrin nënshtetësinë kanë prindërit e tyre, të cilët erdhën në Greqi para 20-24 vjetësh, u stabilizuan këtu; në një farë mënyre Greqia është vendi i tyre tashmë. Mirëpo, shumë prej tyre, një numër i konsiderueshëm, vitet e fundit për shkak të krizës, kanë humbur të drejtën e rinovimit të lejes së qëndrimit dhe, ndonëse vazhdojnë të qëndrojnë në Greqi, ndodhen në një gjendje të paligjshme, apo gjysmë të paligjshme – quajeni si të doni. E di se qeveria juaj ka shprehur vullnetin pozitiv për ta zgjidhur këtë problem. Ndërkaq, koha po kalon. A ka diçka të re, a po shqyrtohet një zgjidhje?

TASIA CHRISTODOULOPOULOU: Edhe për këta njerëz kemi parashikuar një zgjidhje. Ata kanë mundësinë të marrin leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme. Besoj se kjo është një rrugëdalje për gjithë ata njerëz të cilët për shkak të krizës ekonomike humbën punën e tyre dhe njëkohësisht humbën edhe të drejtën për sigurime shoqërore dhe kështu nuk kishin të drejtë të rinovonin lejen e qëndrimit. Sigurisht, kjo nuk është e drejtë. Dikush që jeton kaq vite në Greqi, në një moment, një mëngjes të bukur të kalojë nga statusi i ligjshëm në një gjendje të paligjshme dhe akoma më shumë, kjo gjendje e paligjshme t’i kushtojë edhe me mbajtjen në qendrat e izolimit – sepse gjetëm njerëz në qendrat e izolimit që kishin qenë të ligjshëm dhe befas ishin shndërruar në “persona të rrezikshëm për rendin publik” (!) dhe ishin arrestuar gjatë qeverisjeve të mëparshme. Apo më tej, të jenë kaq të paligjshëm, sa të mos kenë as të drejtat elementare në vendin tonë. Kjo është një padrejtësi e madhe të cilën po e vëmë në vend.



TRIBUNA-NEWS: Leja e qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme është një zgjidhje, siç thoni dhe ju. Mirëpo, ata që paraqesin kërkesën për marrjen e kësaj lejeje pajisen me një vërtetim, i cili nuk u ofron qëndrimin e ligjshëm në Greqi...

TASIA CHRISTODOULOPOULOU: Deri sa të dalë leja...



TRIBUNA-NEWS: Po... Mirëpo kështu ata janë në një farë mënyre gjithmonë nën rrezikun e kapjes nga policia dhe të deportimit (dëbimit). Nuk mund të ketë një zgjidhje më të mirë për këtë?

TASIA CHRISTODOULOPOULOU: Po... Në rregull, do ta shohim edhe këtë. Mirëpo, nuk ka një një dispozitë që të thotë se çdo dokument që paraqet i interesuari mund të pranohet si i mirëqenë, sepse duhen bërë verifikime, përllogaritje e kohës së qëndrimit. Sepse mund të aplikojnë të gjithë, por jo të gjithë mund t’i përmbushin kushtet.



TRIBUNA-NEWS: Më falni, po a nuk mund t’u jepej një vërtetim i posaçëm, që të vlejë për sa kohë shqyrtohet kërkesa e tij dhe eventualisht të marrë lejen e qëndrimit?

TASIA CHRISTODOULOPOULOU: Po, por do të mund të aplikonte edhe dikush tjetër që nuk i plotëson kushtet dhe mbi bazën e aplikimit të vazhdojë të qëndrojë, ndërsa është i sigurt se kërkesa e tij do të refuzohet. E kuptoni? Nuk mundemi qysh në momentin që paraqitet një aplikues të dimë nëse i përmbush apo jo kushtet; kjo do të gjykohet nga komisioni. Kjo është arsyeja që me paraqitjen e kërkesës nuk mundesh të sigurosh edhe qëndrimin. Thjesht, ajo për të cilën përpiqemi, është që të krijojmë më shumë komisione, me qëllim që kërkesat të shqyrtohen më shpejt dhe të mos rrezikojë askush prej aplikuesve në këtë interval që ndërmjetëson. Njëkohësisht, meqë politika e mbajtjes në izolim ka ndryshuar, konsiderojmë se ata nuk rrezikojnë të arrestohen derisa komisioni të vendosë për kërkesën e tyre.



TRIBUNA-NEWS: Para disa javësh u bë një takim nën drejtimin tuaj, ku u diskutua lidhur me Kodin e Emigracionit dhe disa përmirësime të mundshme që duhet të bëhen. A mund të më thoni diçka më konkrete?

TASIA CHRISTODOULOPOULOU: Një nga këto përmirësime është leja për arsye të jashtëzakonshme, që ishte më i rëndësishmi. Një tjetër ndryshim që po bëjmë është ai lidhur me nenin 19, për viktimat e dhunës raciste një nen që ishte hequr nga Kodi me insistimin e zotit Baltakos. (Shënim: Panajotis Baltakos ishte sekretar i përgjithshëm i qeverisë samaras që u shkarkua pas publikimit të një videoje që e implikonte me Agimin e Artë). Ne tani e risjellim në fuqi nenin 19, me qëllim që viktimat e dhunës raciste të kenë mbrojtje. Dhe disa rregullime të tjera, të cilat nga praktika jetësore u dëshmuan ineficente, domethënë, nuk mund të ndihmojnë emigrantët në jetën e tyre të përditshme; pra duam të rregullojmë disa dispozita që nuk e lehtësojnë jetën e emigrantëve.

Sepse e dini, që ndërsa jam ministre e politikës së emigracionit, dhe duhet të kujdesem për jetën e 650 mijë emigrantëve të ligjshëm, për shkak të kushteve emergjente, gjithë këtë kohë merrem me pritjen e flukseve të jashtëzakonshme të refugjatëve që po vijnë në vendin tonë, me qëllim që të kemi disa struktura pritjeje, që mos të na dalin jashtë përdorimit shërbimet tona për shkak të fluksit të madh të refugjatëve nga Siria dhe të mundim të jemi qoftë dhe minimalisht një vend europian në përpjekjet e këtyre njerëzve për gjetjen e një strehimi të sigurtë. Dhe prandaj nuk më dëgjohet shumë zëri në këto çështje shumë të rëndishme që kanë të bëjnë me 650 mijë emigrantët e ligjshëm që jetojnë në vendin tonë.

Dhe më jepet rasti t’ju falënderoj që po më pyesni për këto çështje, të cilat, për fat të keq, nuk u interesojnë gazetarëve të tjerë që më intervistojnë.



TRIBUNA-NEWS: Sigurisht, e kuptoj edhe unë që është më emergjente çështja e refugjatëve dhe do t’ju pyes për këtë në vazhdim. Mirëpo tani, do të doja të ndaleshim pak te programi i SYRIZA-s për emiogracionin, ku kam shkëputur tri pika, për të cilat do të doja t’ju pyes:

Pika e parë ka të bëjë me heqjen e ensimave (pullat e sigurimeve shoqërore), si kusht për rinovimin e lejes së qëndrimit, me qëllim që, siç nënvizohet në programin tuaj, “të mos shtyhne emigrantët me hir a me pahir në ilegalitet për shkak të refuzimit të punëdhënësve që t’iu paguajnë konributet për siguracion”,

E dyta ka të bëjë me sanksionimin e parimit të banimit për dhënien e nënshtetësisë greke (residence citizenship), që sipas SYRIZA-s “do të bazohet jo në vendin e lindjes apo në origjinën në bazë të gjakut, por në vendin ku banon dhe punon emigranti”,

E treta, “dhënia e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në organet e pushtetit lokal për gjithë ata që dëshmojnë një qëndrim të ligjshëm prej dhjetë vjetësh në Greqi”.

Pyetja ime është kjo: Si mendon qeveria juaj t’i realizojë këto angazhime dhe çfarë afatesh kohore?

TASIA CHRISTODOULOPOULOU: Sa i përket të parës, për ensimat: Siç e kuptoni, nuk jam kompetente si ministre për këtë çështje, sepse implikohen dy ministri të tjera, ajo e Punës dhe Ministria e Sigurimeve Shoqërore. Kjo është një çështje që duhet diskutuar me ministrat përkatës, sepse në të njëjtën kohë sistemi i sigurimeve shoqërore gjendet në krizë dhe do të duhet që ata të vendosin se si do të funksionojë kjo; nëse do të vendosin një “tavan” ensimash për rinovimin, nëse do të mund t’i bledh vetë, siç është bërë kohë pas kohe më përpara, nëse do t’u jepet mundësia për vetësigurim.



TRIBUNA-NEWS: Gjithsesi, mbetet si angazhim?

TASIA CHRISTODOULOPOULOU: Po, sigurisht që mbetet. Të gjitha këto po i diskutojmë dhe paralelisht diskutojmë se çfarë do të bëhet me pensionet e emigrantëve, përderisa i paguajnë ensimat. Ky është problemi më serioz. Sepse nuk duhet vetëm të japësh për sigurimet shoqërore, çështja është se si do të të kompensohen këto kontribute që ke dhënë. Pra, është një çështje e madhe dhe serioze, që duhet shqyrtuar me kujdes, me qëllim që emigrantët jo vetëm të paguajnë, por të mund të kenë edhe përfitimet përkatëse.

E dyta që më pyetët, për nënshtetësinë: me dispozitat e reja për nënshtetësinë e drejta e gjakut tejkalohet, përderisa gjykojmë që një fëmijë, kur të shkojë në klasën e gjashtë fillore e ka krijuar përmes qëndrimit dhe shkollimit vullnetin e tij që të integrohet në shoqërinë greke. Është pikërisht ajo që themi, e drejta e qëndrimit, e drejta e territorit.

Dhe e treta, për të drejtën e votës. Nuk donim ta ndërlidhnim nënshtetësinë me të drejtën e votës, pse do të thoshnin që po u japim nënshtetësinë që të votojnë SYRIZA-n. Ju e dini se sa obskurantizëm ka në vendin tonë, në disa qarqe politike dhe jo vetëm. Duam t’u japim nënshtetësinë fëmijve, pse mendojmë që fëmijtë e meritojnë, sepse është një çështje barazie, çështje demokracie dhe nuk e ofrojmë që të na votojnë si SYRIZA në zgjedhjet lokale apo në çfarëdo zgjedhje të tjera. Kështu pra, e kemi ndarë këtë çështje nga zgjedhjet. U japim tani nënshtetësinë fëmijve dhe e drejta e votës do të diskutohet në një fazë tjetër, pa lidhje me ligjin e nënshtetësisë.



TRIBUNA-NEWS: Ju falënderojmë që na kushtuat kaq shumë nga koha juaj e çmuar për të realizuar këtë intervistë.

TASIA CHRISTODOULOPOULOU: Edhe unë ju falënderoj që më dhatë mundësinë të flas për këto çështje kaq të rëndësishme.

31 Maj 2015

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2