Bushati raporton për marrëdhëniet me Greqinë. Ç’po bëhet për vulën apostile, pensionet, patentat

Tribuna

“Procesi i bisedimeve me Greqinë nuk është i lehtë dhe as nuk është mbyllur, është një proces që vazhdon të ndërtohet mbi disa parime themelore që i imponon e drejta ndërkombëtare, mbi një frymë të qartë europiane dhe mbi nevojën për të gjetur një zgjidhje, e cila në fund të ditës është e pranueshme për palët”, deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme.

Bushati dha shpjegime para deputetëve mbi bisedimet dypalëshe me homologun grek, Nikos Kotzias. Ministri vuri në dukje se me Greqinë ende nuk kemi përfunduar çështjen e e regjimit kufitar qoftë në det apo edhe në tokë, çështje kjo evidentoi ai, e trashëguar e e lënë në harresë. Sipas tij, me palën greke janë diskutuar edhe çështje të aktualitetit, si vula apostile apo të drejtat dhe lehtësitë e 500 mijë shqiptarëve që jetojnë në Greqi.

Duke folur për vulën apostile, në gjykimin tonë, theksoi Bushati, për sa kohë nuk e përdor Gjermania, Italia, Belgjika apo Spanja, që janë vende të BE-së. Ishte i pashpjegueshëm fakti që vula apostile të mbetej në raportin e Greqisë ndaj nesh. Fatura financiare nga aplikimi i kësaj rezerve, u shpreh ministri llogaritet 4-5 milionë euro.

Çështje të tjera, vuri në dukje ai, që po diskutohen me Greqinë janë edhe njohja e ndërsjellë e patentave apo edhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore të komunitetit shqiptar në Greqi.

Sipas tij, ka vullnet politik për të zgjidhur këtë çështje por pengesë mbetet paaftësia e palës greke për të paguar.

Sa i takon çështjes së teksteve shkollore, ministri Bushati informoi se është ngritur një komision i përbashkët pune në nivel ekspertësh. “Grupi i punës është duke përfunduar eliminimin e referencave që kanë konotacion negativ për ta përshtatur këtë me standardin sot për sot të gjithë pranuar të Këshillit të Europës ku Shqipëria e Greqia janë vende anëtare.

Shqipëria informoi ministri Bushati, e ka bërë të qartë edhe qëndrimin për sa i takon çështjes çame. “Ne shprehim angazhimin tonë të qartë dhe të palëkundur për mos ndryshueshmërinë e kufijve,”deklaroi ministri. Kjo, sipas tij. do të thotë që jo vetëm nuk kemi pretendim për ndryshimin e kufijve, por dënojmë edhe çdo lloj pretendimi të tillë e çdo kërkesë që mund të vijë nga segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare. Të njëjtën gjë ka bërë edhe qeveria greke dhe ne, u shpreh ministri, e kemi përshëndetur qëndrimin e saj.

“Zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të mbështetet në konventat e të drejtave themelore të njeriut”, tha Bushati.

Kryediplomati iu dha përgjigje edhe akuzave se Shqipëria u ul në tryezën e bisedimeve nën presionin për integrimin e vendit në BE.

“Jemi ulur në tryezën e bisedimeve me Greqinë krejt gjakftohtë duke analizuar një nga një gabimet trashanike që janë bërë në të shkuarën”. I konsideroj të tilla, pasi nuk kemi asnjë indicie se Dora Bakojanis i ka vënë revolverin në ballë Lulzim Bashës për të arritur marrëveshjen e 2009-s. Nuk kemi as një indicie se disa prej gabimeve trashanike që janë mbartur ndër vite të kenë qenë produkt i presioneve që mund të kenë ardhur nga qarqe apo shtete”‘, deklaroi ministri.

Po punojmë, tha ai, për të shkuar drejt një dokumenti të ri të partneritetit strategjik, i cili do të përcaktojë rrugën mes të cilave do të ndërtohen marrëdhëniet shqiptare greke duke hapur një perspektivë të re sidomos për bashkëpunimin ekonomik e më gjerë.

Ligji i Luftës, tha ministri Bushati, ekziston dhe sipas tij për t’u hequr kërkon procedura të brendshme në Greqi. Kjo sipas tij, pasi Shqipëria me Greqinë nuk e ka, por e ka Greqia me Shqipërinë.

Për këtë, ai nënvizoi se qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama është e para që ka punuar në mënyrë serioze për heqjen e ligjit të Luftës.

“Edhe në politikën e jashtme si në çdo fushë tjetër bëhen gabime. Do të kishte qenë e udhës të kishim një ndjesë nga ana e PD për qasjen e gabuar. Do të kishte qenë e udhës të fillonit me një autokritikë. Ligjin e luftës nuk e vendosi Edi Rama, por është qeveria e parë që e ka marrë angazhimin dhe e ka artikuluar këtë çështje. Unë i kam parë të gjitha tezat e bisedimeve dhe të gjithë dosjen që ekziston në ministrinë e Jashtme që nga krijimi i shtetit shqiptar. Ndoshta ka qenë koha e tillë, ndoshta Shqipëria kishte atë stad zhvillimi, por në mënyrë serioze për këtë proces puna ka filluar pas vitit 2013”, deklaroi Bushati.

31 Janar 2018

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2