Një shkrim që mbetet aktual: Emigrantët dhe kthimi në Atdhe, si fitimtarë, apo si humbës?...

Robert GORO

Kriza që ka përfshirë Greqinë, jo vetëm që s’ka shenja të zbutet, por po thellohet vazhdimisht dita ditës. Ajo që nisi si krizë buxhetore, u transformua në krizë financiare, ekonomike dhe më e rëndësishmja, ditë pas dite u rritën përmasat e krizës së besimit. Mosbesim në sistemin politik e administrativ, mosbesim për partnerët europianë të Greqisë, madje edhe humbje e besimit tek vetevetja.

Vendi po përjeton prej muajsh një gjendje lufte të vërtetë, pa thonjza e kllapa shpjeguese. Dhe, ende pa filluar kjo luftë, viktimat e para të saj ishin emigrantët, siç e kemi theksuar shpeshherë, që në fund të vitit 2008, atëherë kur vendasit vazhdonin ende të fusnin lugët e florinjta në kazanin e madh që quhej “shtet” e ku “zienin” miliardat e ofruara me bujari nga arka e Bashkimit Europian.

Sot një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve ndodhen prej kohësh që s’mbahen mend pa punë, edhe ata që punojnë, nuk paguhen, ndërsa po rritet fenomeni i familjeve të ndara për së gjalli: përgjithësisht meshkujt kthehen në Shqipëri (pse nuk durojnë më të ndihen si parazitë para syve të fëmijve), e këtu rrinë fëmijtë me nënat që rropaten për të siguruar paratë e shpenzimeve të domosdoshme.

Një pjesë tjetër do të dëshironin të ktheheshin, por kanë hallin e fëmijve, që nga ana e tyre e kanë thuajse të pamundur të integrohen në në atdhe, sidomos për shkak të mangësive arsimuese në gjuhën shqipe.

Në fakt, edhe kriza po të mos ishte, normalisht do të kishte nisur për shumëkënd ajo që quhet “mbyllje e ciklit të emigracionit” e kthim në atdhe. Përvoja e shumë vendeve të tjera, e vetë Greqisë, këtë ka treguar. Pas një periudhe të konsiderueshme pune në dhe të huaj, vjen një moshë që emigranti kthehet në atdhe, zakonisht me gjithë familjen e fillon një jetë të re. Një jetë, normalisht të sigurt, pasi investon paratë e kursyera dhe eksperiencën e krijuar në emigracion.

Kjo mendoj se është pyetja më e madhe për emigrantët shqiptarë, ajo që kam vënë në titull të këtij shkrimi. Pra, si do të kthehen, si fitimtarë, apo si humbës?

Kthimi si fitimtar presupozon që shumica e tyre të bëjnë një investim në Shqipëri, një investim të mjaftë për të jetuar më në fund si njerëz normalë, larg trysnisë për sigurimin e mëditjes së përditshme. Kam një shembull mjaft karakteristik të një mikut tim, i cili, duke qenë largpamës, e duke menduar se ditët më të këqija në Greqi vinin më pas, shfrytëzoi periudhën që ndodhej në asistencë papunësie për të mësuar zanatin e aluminit. Me kursimet e pakta bleu dhe pajisjet e nevojshme e po kthehet në Tiranë për të filluar një jetë të re në moshën 50 e ca vjeç. Kthehet me besim e i ndërgjegjshëm se nuk ka për të nxjerrë para me grushta, por siç thashë, do të ketë punën e tij e cila do t’i sigurojë një jetë normale. Ky, sigurisht, kthehet si fitimtar në atdhe.

Ndërkohë, njoh të tjerë, të cilët ndodhen me të vërtetë si të humbur në shkretëtirë. Që nuk kanë as një shtëpi ku të fusin kokën, nëse kthehen e jo më të mundin të hapin një biznes.

Dhe më besoni, këta nuk janë të paktë. Do të detyrohen nga rrethanat të kthehen, e kthimi i tyre do të jetë pa asnjë shpresë; një kthim prej humbësi.

Dhe më e dhimbshmja është se para fatkeqësisë së këtyre njerëzve nuk mund të qëndrosh indiferent e të thuash: Vetë e kanë fajin, le të kishin menduar për këto ditë të këqija. Sepse ata mund të kishin menduar vërtet. Mirëpo, si t’ia bënin kur shteti grek nuk u jepte leje qëndrimi e duhej të paguanin me mijëra euro avokatët; kur duhej të jepnin qindra euro të tjera në muaj për të blerë ensimat që nuk ua paguanin pronarët? Si t’ia bënin kur gjithashtu duhej të paguanin për një vulë në ambasadë, kur duhej që dy herë në vit të merrnin rrugën drejt atdheut për një dokument a për një firmë në çertifikatë e përsëri të paguanin para me grushta?

Dy vjet më parë, shkruanim në Tribuna se emigrantët shqiptarë në Greqi janë “të harruar nga nëna, të përbuzur nga njerka”. Ky është shpjegimi më i mirë për këdo që tashmë do të marrë rrugën e kthimit në atdhe dhe që unë uroj me gjithë shpirt të jetë një kthim prej fitimtari...



(Editorial i botuar në gazetën Tribuna, 27 nëntor 2011)

06 Janar 2018

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2