Turqia dhe sfidat e Erdoganit me Perëndimin

Zëri i Amerikës

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është një ndër dy zyrtarët e lartë turq që kanë bërë ose po bëjnë vizita në vendet e Bashkimit Europian dhe që analistët thonë se janë një ofensivë diplomatike për rivendosjen e marrëdhënieve me bllokun prej 28-anëtarësh. BE-ja është partnerja numër një e Turqisë për importet dhe eksportet e saj.

Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Bashkimit Evropian megjithatë, janë të tensionuara, pjesërisht për çështjen e të drejtave të njeriut në Turqi. Një shkak tjetër ka qenë referendumi i debatueshëm vitin e kaluar për të zgjeruar kompetencat e zotit Erdogan si president. Arsye ka qenë gjithashtu emigracioni i refugjatëve dhe kërkesat e Turqisë për udhëtimin pa viza të qytetarëve të saj kudo në BE.

Presidenti Erdogan u takua të premten në Francë me homologun e tij Emmanuel Macron për bisedime mbi Sirinë dhe tregtinë dhe nënshkroi me të një seri kontratash. Dy presidentët ishin gjithashtu të pranishëm në nënshkrimin e një marrëveshjeje me të cilën kompania Turkish Airlines do të blejë 25 avionë nga firma Airbus.

Në një intervistë të këtyre ditëve, Presidenti Macron konfirmoi se ai flet rregullisht me zotin Erdogan, biseda që analistët thonë se vlerësohen nga presidenti turk.

"Hapat që kemi ndërmarrë deri tani me zotin Macron janë të gjitha në drejtimin e duhur dhe kam shumë shpresa te zoti Macron," u tha gazetarëve zoti Erdogan përpara se të nisej për në Paris.

Turqia po kërkon të hyjë Bashkimin Evropian, por nuk mund ta bëjë këtë nëse nuk plotësohen kritere të caktuara për anëtarësimin. Përpara vizitës në Paris, zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin, duke folur për kanalin e lajmeve Francë 24, i dërgoi një mesazh BE-së. "Ne si Turqi, - tha ai, - e shohim anëtarësimin në BE si qëllim strategjik; megjithatë, vitet e fundit, nuk janë bërë shumë përparime në këtë drejtim për shkak të disa arsyeve. Ne duam t'i kapërcejmë këto probleme".

Masat e forta të ndërmarra nga Ankaraja pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016 kanë rezultuar në dhjetëra mijëra arrestime dhe në burgosjen e dhjetëra njerëzve, duke përfshirë gazetarë. Masat kërcënojnë keqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të trazuara me BE-në.

Përpara vizitës së zotit Erdoganit, Presidenti Macron bëri një koment që padyshim drejtohej edhe ndaj Turqisë. "Liria e shtypit po dëmtohet jo vetëm në diktatura, por edhe në disa shtete demokratike evropiane," u tha ai gazetarëve.

Shqetësimet për të drejtat e njeriut do të jenë një pengesë edhe më e madhe në përpjekjet e Ankarasë për të zbutur marrëdhëniet me vendin tjetër të fuqishëm të Evropës, Gjermaninë. Marrëdhëniet gjermano-turke pothuajse u shkatërruan vitin e kaluar lidhur me akuzat e Ankarasë se Berlini strehonte qindra njerëz të lidhur me përpjekjen e grushtit të shtetit në 2016. Ndërkohë, Gjermania e ka krahasuar me pengmarrje arrestimin dhe burgimin e një numri të qytetarëve të saj, duke përfshirë dy gazetarë dhe një aktivist për të drejtat e njeriut.

Takimi i Ministrit të Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu me homologun e tij gjerman, Sigmar Gabriel të shtunën në Goslar të Gjermanisë bëhet pikërisht për të diskutuar këto çështje.

"Të dyja palët kanë interes për një fillim të ri në marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa jetojmë në një kohë të mbushur me sfida", tha Cavusoglu në një artikull të shkruar për një gazetë gjermane. "Nuk është koha për diplomacinë e konfrontimit," tha ai.

Pas një takimi të paparashikuar midis dy ministrave të jashtëm në nëntor në Antalia, të dyja palët kanë filluar të ndërmarrin hapat e parë për të zbutur tensionet. Tre gjermanë të paraburgosur janë liruar. Deniz Yucel, një gazetar për gjermanes Die Welt, mbetet i burgosur, ndonëse kushtet e tij janë përmirësuar, duke e hequr nga qelia e izolimit.

Pavarësisht hapave të tillë, ekspertët paralajmërojnë se Ankara përballet me një proces të zgjatur në përmirësimin e marrëdhënieve me BE-në.

Megjithatë, duke pasur parasysh izolimin e saj në rritje, Turqia mund të vendosë të bëjë më shumë gjeste në drejtim të Evropës. Turqia përballet me një situatë të ngjashme me aleatin tjetër të saj perëndimor, Shtetet e Bashkuara. Deri tani, Ankaraja i ka hedhur sytë nga Moska, duke dërguar mesazhin se ajo mund të bëjë edhe pa aleatët e saj tradicionalë. Por rritja e varësisë nga Moska po vjen me një kosto në rritje.

"Rusia është motori kryesor ndërsa Turqia karroca e politikës ruse", thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Husein Bagçi i Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara. "Për fat të keq në këtë moment, Turqia po bën dhe po përsërit atë që thotë Rusia. Pra, Turqia është futur së tepërmi nën ndikimin e Rusisë, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në 25 vitet e fundit".

Edhe pse Ankaraja ka gjetur një farë emëruesi të përbashkët me Moskën në rajon, dy vendet janë rivalë historikë siç është rasti edhe me Iranin, një vend tjetër me të cilin Turqia ka filluar të ngrohë marrëdhëniet.

Vëzhguesit thonë se Ankaraja tani ndoshta po e kupton situatën e pasigurt me të cilën po përballet si dhe nevojën për një qasje më të balancuar diplomatike.

Dorian JONES



06 Janar 2018

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2