Mosmarrëveshja për emrin e FYROM shkakton debate në politikën greke

Tribuna

Politika greke është përfshirë nga një debat i ashpër lidhur me mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë për emrin kushtetues të fqinit verior të Greqisë.

Debati është përqendruar në qëndrimin e shprehur nga aleati qeveritar i kryeministrit Tsipras, Panos Kammenos, që mos të pranojë asnjë emër i cili ka në përbërje fjalën “Maqedoni”.

Për opozitën, një ndarje kaq e madhe e dy partnerëve të koalicionit qeveritar do të thotë se ky koalicion e ka humbur maxhorancën, prandaj qeveria Tsipras duhet të japë dorëheqjen e vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Por qeveria përgjigjet duke i kujtuar Demokracisë së re se është përgjegjësja kryesore për krijimin dhe mbetjen pa zgjidhjeje të kësaj mosmarrëveshjeje midis të dy vendeve, që po vazhdon prej gati tri dekadash.

Sa i përket mundësisë së zgjidhjes, ministri i jashtëm Nikos Kotzias, në intervistën e vet më të fundit, deklaroi se oferta për zgjidhjen e çështjes së emrit “do të jetë veçanërisht e mirë dhe do të votohet nga shumica e deputetëve që mendojnë në mënyrë patriotike dhe me përgjegjshmëri kombëtare”.

Kotzias përsëri nuk i ka hapur letrat lidhur me formulën që do të propozohet, ndërkohë që qëndrimi i qeverisë Tsipras, i shprehur që kur erdhi në pushtet, në janar 2015, mbetet “një emër i përbërë, me referencë gjeografike që do të përdoret kundrejt të gjithëve”. Në fakt, kjo do të thotë që emri kushtetues i Maqedonisë të ndryshojë tërësisht.

Kryeministri i FYROM, Zoran Zaev, gjatë një telefonate me homologun grek, Aleksis Tsipras, shprehu gatishmërinë e tij “për zgjidhjen e çështjes së emrit brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti”, duke theksuar ndërkaq, se për këtë nevojitet edhe gatishmëria e palës tjetër.

Pak orë pas telefonatës me Zaevin, Tsipras u pyet në një intervistë nëse ishte optimist për një zgjidhje të mundshme të mosmarrëveshjes me Shkupin.

“Jam optimist se mund ta menaxhojmë me efektivitet dhe përgjegjësi një problem që na trashëguan qeveritë e mëparshme. Mendoj se mund të bëhen hapa, por kjo dëshirë duhet të ekzistojë edhe nga pala tjetër”, deklaroi kryeministri grek.

Që prej shpalljes së pavarësisë të FYROM, në fillim të viteve 1990,Athina nuk e ka pranuar emrin kushtetues të vendit fqinj, me argumentin se mbajtja e atij emri fsheh pretendime territoriale ndaj Greqisë. Negociatat për një zgjidhje të mundshme që po zhvillohen për gati 20 vjet nën kujdesin e OKB-së nuk kanë dhënë rezultat. Që prej vitit 2008, Athina ka bllokuar anëtarësimin e FYROM në NATO dhe vazhdon të kushtëzojë me zgjidhjen e çështjes së emrit edhe anëtarësimin e vendit fqinj në Bashkimin Europian.

03 Janar 2018

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2