Dashnor Dervishi dhe Ilir Boçka marrin gradën diplomatike “Ambasador”

Tribuna

Diplomatët e karrierës Dashnor Dervishi dhe Ilir Boçka kanë marrë gradën diplomatike “Ambasador” të akorduar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Grada “Ambasador” i jepet këtyre dy emrave të njohur të diplomacisë shqiptare për kontributin e tyre.

Dashnor Dervishi dhe Ilir Boçka janë të parët diplomatë që e marrin zyrtarisht këtë gradë në periudhën post-regjimit komunist.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se, akordimi i gradës ambasador, e bën ditën e sotme, një ditë të shënuar, jo vetëm se u dhurohet emocion dy personaliteteve të diplomacisë shqiptare, por edhe se hapet një fazë e re, vendoset një standard i ri për brezat e ardhshëm në Shërbimin e Jashtëm shqiptar.

“Besoj se ne sot kemi vendosur një standard të ri edhe për brezat e gjeneratat e tjerë të Shërbimit të Jashtëm, që me punë, me kontribut dhe me përkushtim ndaj mbrojtjes së interesave tona kombëtare dhe promovimit të vlerave tona më të mira, edhe në Shërbimin e Jashtëm, pavarësisht sakrificave të panumërta, në fund të ditës njerëzit shpërblehen dhe ne kemi mundësi se çfarë t’u tregojmë edhe gjeneratave të tjera për këtë proces”, deklaroi ministri Bushati.

Duke cilësuar ambasadorët Dervishi dhe Boçka si dy personalitete, dy kolosë në fushën e diplomacisë, karriera e të cilëve shtrihet nga epoka e Luftës së Ftohtë, deri në epokën digjitale, ministri tha se roli i tyre ka qenë themelor, sa i përket vendimmarrjes në Shërbimin e Jashtëm.

“Megjithëse ne kemi pësuar një transformim të madh, megjithëse roli i ambasadorit nuk është më ai që ishte në kuptimin tradicional të fjalës, pasi urat e komunikimit dhe mjetet janë të shumëfishta, gjithsesi mendja, analiza, fytyra e ambasadorit janë vendimtare për disa prej vendimeve që merren në politikën e Jashtme”, u shpreh ministri Bushati.

Ministri vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin dhe profesionizmin e ambasadorit Dervishi në arritjen e marrëveshjes së toponimeve me Greqinë, pas 9 raundesh të gjata diskutimesh dhe kontributin e veçantë të ambasadorit Boçka në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në tejkalimin me finesë të incidentit të dronit në Beograd.

Sipas ligjit për Shërbimin e Jashtëm, diplomatët e karrierës e përfitojnë gradën “Ambasador” pasi të kenë fituar njëra pas tjetrës të gjitha gradat diplomatike, dhe të kenë qenë në detyrën e kreut të misionit diplomatik të paktën dy funksione, por jo më pak se gjashtë vjet gjithsej.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Dervishi solli për të pranishmit disa prej momenteve kryesore të karrierës 40-vjeçare, që prej vitit 1976 kur nisi punën në Shërbimin e Jashtëm.

“Kam pasur fatin që në 4 dekada të jem pjesë e ngjarjeve me ndikim të madh në vendin tonë sa i përket marrëdhënieve me Jashtë. Kujtoj fundin e viteve ’80-të, mesin e viteve ’90-të, kohën pas rënies së Murit të Berlinit, atëherë Roma, ku unë isha caktuar ambasador, ishte vendi që kujdesej për ndryshime të buta”, shprehet ambasadori Dervishi duke veçuar gjithashtu, edhe ndikimin në marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor, Greqinë.

“Ambasadori ishte dikur emblema e shtetit të cilin përfaqësonte, kurse sot, i ka mbetur më pak, për shkak të ndryshimeve globale dhe dinamikës së zhvillimit të ngjarjeve, dhe jo vetëm në Shqipëri. Këto ndryshime e bëjnë më të vështirë punën e një ambasadori, ndaj është i nevojshëm, akordimi i stimujve moralë për ta”, u shpreh ambasador Dervishi që në fund të fjalës së tij falënderoi ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati për vëmendjen dhe kontributin e treguar lidhur me akordimin e gradës diplomatike.

Në fjalën e tij, ambasador Ilir Boçka e konsideroi si çmim Oskar për karrierën e tij akordimin e gradës diplomatike “ambasador”, si vlerësim të punës së tij si diplomat, por edhe si njeri, si mbrojtës i interesave të shtetasve shqiptarë. Ambasadori i atribuoi meritat për këtë titull, familjes, por edhe të gjithë kolektivit me të cilin ka bashkëpunuar gjatë karrierës së tij.

20 Dhjetor 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2