Opozita: Valë protestash. Rama: Frikë nga Drejtësia

Zëri i Amerikës / Armand MERO

Pas zgjedhjes së Kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën vendim për të nisur një valë protestash në të gjithë vendin. Ndërsa për kryeministrin Rama, veprimi i sotëm i opozitës ishte një përpjekje e dëshpëruar për të bllokuar reformën në drejtësi. Për ngjarjet e sotme reagoi dhe ambasada amerikane në Tiranë sipas së cilës “dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme”. Sipas ambasadës amerikane lufta mes partive politike “po tregon se Reforma në Drejtësi më në fund po zbatohet”

Dy partitë kryesore të opozitës thirrën një mbledhje të përbashkët të grupeve parlamentare, në të cilin, siç njoftoi kryetari demokrat Lulzim Basha u vendos në unanimitet "nisja e një vale protestash popullore për të ndalur çmendurinë e narkokryeministrit, që sot është dhe kryeprokurori i vendit, duke rrëzuar shtyllat kushtetuese të bashkëjetesës demokratike, duke rrezikuar stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit”. Sipas zotit Basha, protestat do të nisin ne fillim të janarit në Tiranë për t’u pasuar më pas nga një valë manifestimesh të tjera.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama i cili nuk ndërhyri në seancën e sotme të parlamentit, reagoi nga selia e Qeverisë për ngjarjet. Ai e nisi fjalën e tij me një ndjesë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë të vendit “për shfaqjen më të fundit të përpjekjes së dëshpëruar për bllokimin e Reformës në Drejtësi. Shfaqjen e sotme e dha opozita, por faturën e kësaj shfaqjeje e merr fatkeqësisht përsëri, e gjithë Shqipëria, e cila është më afër se kurrë çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe nuk e meriton as baltën, as tymin, as dëshpërimin e kësaj opozite, që prej dy vitesh udhëhiqet nga frika e Reformës në Drejtësi".

Sipas kryeministrit, zgjedhja e kryeprokurores së përkohshme vetëm me votat e shumicës “ishte një zgjedhje plotësisht legjitime, kushtetuese, e konfirmuar shkresërisht edhe nga misionet e drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian, të cilat asistojnë qysh prej ditës së parë, procesin e vështirë të Reformës në Drejtësi”.

Për ngjarjet e sotme reagoi dhe ambasada amerikane në Tiranë përmes një deklarate ku shprehet se ajo “dënon me forcë dhunën që ndodhi në protestën e sotme në Tiranë”. Ndërsa shpjegon se mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, ambasada thekson se “dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme” duke i bërë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi”.

Sipas ambasadaës amerikane “populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se reforma në drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vetingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para”, thuhet në deklaratën përmes së cilës duket qartë aprovimi për largimin e drejtuesit të deritanishëm të Prokurorisë, Adriatik Llalla: “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”, shkruhet në deklaratë ndërsa paralajmërohet se “së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane.

18 Dhjetor 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2