Donald Lu: Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve

Donald Lu

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka deklaruar se partnerët ndërkombëtarë presin që “disa peshq të mëdhenj” në Shqipëri “të arrestohen që në muajt e parë të vitit të ardhshëm”. Zoti Lu foli gjatë prezantimit të Task Force-s kundër organizatave dhe grupeve kriminale, një strukturë e posaçme e cila do të ketë mbështetjen edhe të ekspertëve të huaj, të FBI-së amerikane, e të njësive antikrim të Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe.

I gjithë fjalimi interesant, që ia vlen të lexohet, i ambasadorit amerikan ka si më poshtë:



Ne në Amerikë kemi një shprehje, kur me të vërtetë besojmë në diçka, – kur me të vërtetë e mbështesim atë – ne kemi një shprehje në gjuhën angleze “put your money where the mouth is” ose në gjuhën shqipe “veprat flasin më shumë se fjalët.”

Kolegët e mi të ICITAP-it që ndihmojnë policinë, OPDAT-it që ndihmojnë prokurorinë dhe FBI-ja amerikane janë këtu për t’u angazhuar sërish në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Programi ynë për ndihmën ndaj policisë është përgatitur për të pasur një këshilltar ndërkombëtar, që do të punojë brenda kësaj task force ndërinstitucionale. Ndihma jonë për prokurorinë dhe policinë do të mbështesë zhvillimin e institucioneve të reja në luftën kundër krimit të organizuar – SPAK-un dhe BKH-në. Gjithashtu, kemi edhe një agjent të ri special të FBI-së, i specializuar në krimin e organizuar transkombëtar, i cili do të punojë në Tiranë për disa muaj në mbështetje të kësaj përpjekjeje.

Po flasim me vepra, dhe jo me fjalë.

Ne në Amerikë kemi edhe një shprehje tjetër – “dreka falas nuk ekziston.” Nëse Amerika dhe vendet e BE-së do të vendosin burimet tona dhe besueshmërinë tonë në këtë luftë kundër krimit të organizuar, ne presim rezultate.

Çfarë presim? Presim që ky plan agresiv i Qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm, dhe që ky sukses të vazhdojë në vitin 2018 me SPAK-un dhe BKH-në.

Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e presin këtë. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë.

Së fundmi, ju keni një shprehje në shqip: “Dielli duket që në mëngjes.” Na pëlqen që ky plan veprimi e pranon qartë dhe prerë se krimi i organizuar shqiptar është një problem serioz dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare. Plani gjithashtu pranon se deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale.

Ajo që dimë gjithashtu është se Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë, ju lutem të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Rroshit.

Ky nuk është problem i vetëm një partie; ky është një problem që ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit. Populli shqiptar ka fjalën tonë se Shtetet e Bashkuara do të angazhohen fuqishëm kundër krimit të organizuar, pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me njerëz të fuqishëm, përfshirë politikanë, gjykatës, prokurorë apo biznesmenë të fuqishëm. Asnjë nuk është mbi ligjin.

Në shqip ju thoni: “Peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh.

09 Nentor 2017

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2