Zbardhen motivet e vrasjes së avokatit grek, cili ishte roli i pesë shqiptarëve

Tribuna

Policia greke ka arritur të zbardhë brenda tri javësh vrasjen e avokatit të njohur, Mihalis Zafiropoulos, që u ekzekutua më 12 tetor brenda në zyrën e tij në qendër të Athinës. Komunikimin me gazetarët e ka bërë shefi i sigurimit publik të Athinës, gjeneral lejtnant Christos Papazafeiris.

Oficeri i lartë grek tha se është arrestuar autori i vrasjes, i cili dhe e ka pranuar aktin, ndërsa është lëshuar urdhër arresti për bashkëpunëtorin e tij.

Bëhet fjalë për dy shtetas shqiptarë, të moshës 32 dhe 30 vjeç.

Të akuzuar për të njëjtën ngjarje janë dhe tre shtetas të tjerë shqiptarë, që vuajnë dënime të rënda në burgun e Koridalosit.

Sipas policisë, këta kishin pajtuar dy bashkatdhetarët e tyre që të shkonin në zyrën e avokatit e t’i bënin presion që ky nga ana e tij të bindte një klientin e vet gjithashtu të burgosur, t’u paguante të treve 5 milionë euro. Këtë shumë ata e kërkonin që të ndryshonin deponimet e tyre kundër personit në fjalë, që e kishin cilësuar si porositësin e një vrasjeje me pagesë në nëntor 2014. Porositësi ishte Aristidis Floros, gjithashtu i burgosur, si përgjegjësi kryesor i një skandali prej miliona eurosh, që ka marrë emrin “skandali Energa”.

Dy personat që shkuan mbrëmjen e 12 tetorit te avokati kishin marrë si paradhënie 3.000 euro, nga 20.000 euro që u qenë premtuar si pagesë për shërbimin.

Ata kishin kërkuar mëngjesin e saj dite takim me avokatin, me pretekstin se donin asistencën e tij juridike për një njeriun e tyre.

Por gjatë takimit, ata i kërkuan me insistim adresën e familjes së Floros-it. Kur avokati më në fund iua dha, 30 vjeçari i tha shokut të vet “qëlloje në këmbë, të ikim”. Mirëpo ai e qëlloi në gjoks dhe avokati gjeti vdekjen e menjëhershme.

Pas kësaj, të dy ata u larguan nga Athina dhe 32 vjeçari gjeti strehë në një kamp romësh jashtë Patras, ku dhe u arrestua.

Ndërsa bashkëpunëtori i tij është larguar në Shqipëri dhe prandaj janë vënë në dijeni edhe autoritetet e vendit fqinj.

Të dy ata ishin persona të skeduar. 32 vjeçari në shtator kishte dalë me leje nga burgu, ku vuante dënimin për akuza që lidheshin me vjedhje, përdhunim dhe lëndët narkotike. Pak ditë pas daljes nga burgu, ai kishte shtirë disa herë me armë, duke plagosur dy bashkatdhetarë të tij me moshë 17 dhe 27 vjeç.

Gjatë kontrollit në banesën e tij në Kalithea, u gjetën një armë luftarake me krehër dhe 300 fishekë, një pistoletë, një granatë dore, 2 uniforma policie, lëndë eksplozive dhe detonatorë.

Ndërsa mbi 30 vjeçarin rëndojnë akuza për një sërë grabitjesh dhe armëmbajtje pa leje.

Tre personat e tjerë, që ndodhen në burg, janë dënuar si autorë të disa ngjarjeve të bujshme, si sulmi me armë në një lokal nate pranë Pireut, në nëntor 2014, ku ishin plagosur 15 persona. Gjithashtu ata janë autorë të atentatit kundër një avokati tjetër të njohur, që u plagos rëndë dhe që fillimisht ishte konsideruar si grabitje me armë. Por më vonë ata pranuan para hetuesve se ishte vrasje me pagesë, e porositur nga personi që tashmë kërkonin t’u paguante 5 milionë euro.

01 Nentor 2017

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2