Çlirojeni Rinasin, zoti Majko

Petrit KUÇANA

Fenomeni “Rinas” mbetet personifikimi më i përpiktë i legjendës së kuçedrës, që ka zënë burimin e ujit, duke i lënë të djerra tokat shqiptare. “Vapa iku me gushtin” por zagushia e Rinasit vazhdon të mbetet frymë-ndaluese, ku nuk duket as shenja më e vogël e ndonjë lajmi prej aeroportit të vetëm, që qëndron me kryeneçësi të paepur si më i shtrenjti në rajon dhe më gjerë.

Mbetet e lebetitshme çdo vizitë lundruese virtuale, kur kërkon për ndonjë biletë drejt mëmëdheut andej nga Rinasi, ndërsa motorët e kërkimit të ofertave vazhdojnë të fundosin “kalimin Rinas” drejt fundit. Nuk është çudi e madje është kthyer në normalitet që kthesa nga Beogradi, shfaqet si alternativë joshëse për të mbërritur në vendin e shqiponjave, ku për shtatë palë qejfe shtrin krahët AirSerbia.

Rinasi mbetet dështimi më spektakolar i gjthçkasë shqiptare në lidhje me “shtegtarët” (miliona shqiptarë) anë e mbanë botës. I vetmi lajm që ndez sadopak dritë shprese, që dikush “t’i hedhi një sy” mërgimtarëve, mbetet pasja e një ministri shteti për diasporën në krye të së cilës është i shumëpëlqyeri Pandeli Majko. Mbase duhet gjendur forcë për të anashkaluar të famshmin samit të diasporës që, ndonëse po bëhet një vit nga organizimi i tij nuk gjendet një rezultat konkret, një produkt sado i papërfillshëm prej tij.

Mund të ketë pafundësi sfidash me të cilat do të përballet Majko, por të gjitha kanë një emërues të përbashkët, një pikëtakim përtej gjithçkasë së harrueshmërisë së paskaj, Rinasin.

Ka qenë një ngërç kaq kokëshkretë gjatë këtyre viteve, saqë justifikimi i “trashëgimisë së qeverisë Nano” u duk se mori fund me marrëveshjen e para dy viteve, që çliroi Kukësin.

Do të mjaftonte një kërkim jo shumë i ngeshëm për të gjetur edhe deklarata të ish-ministrave “se shumë shpejt do të hapet aeroporti i Kukësit, se kompani të ndryshme kanë treguar interes për të filluar fluturimet e tyre nga ky aeroport” etj; të thëna këto me zë dhe figurë, por që mbetën të denja vetëm për të parin e prillit.

Nuk është fort çudi që fenomeni Rinas nuk zë shumë hapësirë në lajmet e ububushme të mediave shqiptare dhe aspak çështje që ngrihet nga grupe të caktuara interesi apo përfaqësime politike, dhe mjerisht, duket si dorëzim (në mos një pajtim) me “kuçedrën” që mban peng burimin e ajrit që do t’i jepte frymëmarrje tjetër gjithçkasë shqiptare.

Vazhdon të mbetet në mejdan pyetja, se pse duhet që aeroporti i Rinasit të jetë më i shtrenjti në rajon dhe nuk mund të gjendet asnjë PR nga ata më të shkëlqyerit, që të justifikojë këtë katraurë, të turpshme në fund të fundit, por që mërgimtarët e përballojnë në kurrizet e tyre halleshumë në çdo stinë, në çdo sezon...

Nuk është aspak shqetësues flamuri kinez, që struket mes flamujve Kuq e Zi në aeroportin e Rinasit sesa ngërçi, paraliza deri në pamundësi për të qenë konkurrues, njësoj si rajoni.

Kaq e rrezikshme mbetet “kuçedra” saqë duket se ka trembur kaq shumë edhe kompanitë lowcost dhe duket se nuk guxojnë të “hedhin” një sy nga andej nga vendi i shqiponjave...

Si është e mundur që Mali i zi që ka pak më shumë se gjysmën e banorëve të kryeqytetit, Tiranës të ketë dy aeroporte funksionale dhe që në çdo sezon fluksi dhe jo vetëm, kthehet në destinacion të mërgimtarëve shqiptarë.

Nuk është shumë e vështirë të gjendet shifrat e shqiptarëve që kthesën për në mëmëdhe e marrin nga Tivati apo Podgorica duke i shpëtuar “mallkimit” të Rinasit.

Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe për aeroportet e Maqedonisë apo veriut të Greqisë.

Pyetja se “Kur do të hapet Aeroporti i Kukësit”, do të ishte më normalja e mundshme për miliona shqiptarë jashtë kufijve shtetërorë, bazuar edhe në deklarimet e ministrave (ish-aleatëtë Majkos) , më tepër se të anojë nga “pse”-ja e pakuptueshme, për të gjithë ata mërgimtarë që jetojnë në perëndim dhe që nuk janë të prirur të besojnë në teoritë konspirative, por që e shikojnë si gjënë më normale të mundshme. (Për kijamet kryeministri as nuk e përmend Aeroportin e Kukësit)

Vetëm për një moment të imagjinojmë nëse bileta për në Rinas apo Kukës të ishte njësoj si biletat në aeroportet e Malit të Zi apo Maqedonisë, (sa një dreke jo fort luksoze në Londër) me mijëra mërgimtarë do të zgjidhnin të kalonin fundjavën në mëmëdhe. Mbase është e tepërt të komentohet për të ardhurat që do t’i sillnin ekonomisë shqiptare, të andej e këndej bjeshkëve, sidomos nëse hapet Kukësi, e pse jo edhe premtimi i Kryeministrit për hapjen e Aeroportit të Vlorës do të ishte plotësimi i dëshirës-ëndërr të miliona mërgimtarëve shqiptarë.

E ku do të kishte më mirë që Pandeli Majko si më i veçanti, të niste detyrën si Ministër Diaspore me çlirimin e Rinasit.

A do të mundet Majko të bëhet “Gjergj Elez Ali”, duke përmbushur kështu mision e tij padyshim historik?

Nëse vota e mërgimtarëve do të lejohet (më në fund) duhet të jetë qartësisht e kuptueshme, se çdo retorikë politike do të thyente hundë e buzë në shtegun e vetëm të mërgimtarëve drejt mëmëdheut; në Rinas.

Nuk dihet nëse do e ndihmojë pozicioni Ministër Shteti (sipas Ramës është rol zv-kryeministri), në përballjen me ata që ushqejnë apo përkëdhelin kuçedrën, por një gjë është e sigurt; miliona shqiptarë anë e kënd botës do të jenë përkrah tij.



*) Petrit Kuçana është drejtor i gazetës “The Albanian” që publikohet në Londër

05 Tetor 2017

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2