Robert Goro: Pro apo kundër Edi Ramës, urime për sukses qeverisë së re

Robert GORO
Edi Rama në një fotografi të hershme, si lexues i vëmendshëm i gazetës Tribuna (Foto: Dritan Haxhia)

Iluzionet e kultivuara gjatë tre muajve të fundit, për një qeveri me bazë të gjerë në Shqipëri, ku do të mund të përfshihej edhe opozita, më në fund mbaruan të dielën. Edi Rama shpalli përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, ose, siç thuhet rëndomë, “Qeverinë Rama 2”.



1. Elementi që bie menjëherë në sy është se për herë të parë që nga përmbysja e komunizmit, kemi qeveri absolutisht njëpartiake, tërësisht sipas “gustos” së kryeministrit. (I vetmi përjashtim në këtë periudhë 26 vjeçare është qeveria jetëshkurtër e PD dalë nga zgjedhjet e diskutueshme të 26 majit 1996). Siç vënë në dukje me të drejtë analistët, kjo formulë e qeverisë i heq Ramës çdo alibi në rast të dështimit, pasi “shoferi” nuk ka më askënd në prehër, që e pengon të mbajë ashtu siç duhet timonin...



2. Elementi i dytë, për mendimin tim pozitiv, është reduktimi i numrit të ministrive, nga 16 në 11, realizuar nëpërmjet bashkimit apo shkrirjes së disa dikastereve.



3. E treta: qoftë dhe në mënyrë gjysmake, kryeministri realizon një nga premtimet e fushatës së kaluar elektorale (2013), për krijimin e një ministrie të posaçme për emigracionin: krijon ministrinë e shtetit për diasporën, duke vënë në krye një figurë me reputacion ndër shqiptarët: ish kryeministrin Pandeli Majko.



4. Raporti 50%-50% sa i përket ministrave femra dhe meshkuj, nuk besoj se është detyrimisht për t’u kritikuar, edhe pse ndokush nga analistët vërejti se femrat nuk i morën postet për shkak të identitetit të tyre po për shkak të skemës që ka Rama në kokë. Nisur nga ky sens, mund të thuhej e njëjta gjë edhe për ministrat meshkuj... Por personalisht mendoj se femra e sotme nuk dallon nga mashkulli sa i përket kapaciteteve dhe aftësive; madje njoh raste të shumta femrash ambicioze që me performancën e tyre në fusha të ndryshme të jetës publike i lënë mbrapa meshkujt.



5. Nga qeveria e re mungojnë dy emra të spikatur të kabinetit të mëparshëm: Ilir Beqja dhe Saimir Tahiri, largimi i të cilëve nga qeveria Rama 1, në mars të këtij viti, ishte argumentuar nga kryeministri se “nuk nxitet nga rezervat për punën e ministrave, të cilët largohen me konsideratën time më pozitive për kontributin e tyre në rrugën e vështirë të reformimit dhe të transformimit të vendit”. Duket se Rama, në mospërfshirjen e tyre ka marrë parasysh faktin se sidoqoftë, ata ishin dy nga ministrat më të përfolur për afera korruptive dhe lidhje me krimin...

Ndër mungesat që bien në sy në kabinetin e ri, është edhe ish ministrja e mbrojtjes, Mimi Kodheli.



6. Edhe pse kryeministri kishte folur me tone të ashpra në takimin me ambasadorët para pesë ditësh, duke lënë madje të kuptohej se shefi i ardhshëm i diplomacisë shqiptare do të ishte një emër i ri, Ditmir Bushati ka qëndruar në postin e vet. Nëse ky rikonfirmim është produkt i performancës së tij apo i faktit se në politikën e jashtme fjalën e parë e ka me të tepërt kryeministri, kjo mendoj se do të merret vesh në një moment.



7. Gjatë fjalimit prezantues të qeverisë, kryeministri ka theksuar vetëm faktin se ai mban timonin por ka “bashkudhëtarë në një koalicion të paprovuar kurrë më parë, PS me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, bashkë për Shqipërinë që duam”. Duke harruar nergut ndoshta, se në zgjedhjet e 25 qershorit pjesëmarrja ishte 46,8% dhe Partia Socialiste mori më pak se 50% të këtyre votave (saktësisht 48,34%). Kjo, natyrisht, nuk e ul vlerën e fitores së Edi Ramës; thjesht, nuk ka pse e paraqet si plebishitare votën e shqiptarëve...



8. Rama gjithashtu u ndal shumë pak në sfidat e ardhshme, por sigurisht që do të ndalet në mënyrë specifike gjatë prezantimit të programit të qeverisë, në parlament.



Përfundimi:

Sfidat janë të shumta dhe vendimtare; dhe më mirë se kushdo i njeh vetë Rama, por edhe ministrat që ka përzgjedhur. Çështja ndërkaq, nuk qëndron tek njohja, por te vullneti dhe eksperzita e duhur për t’i përballuar këto sfida, në të mirë të vendi dhe të popullit.

Urimi për sukses qeverisë Rama 2, besoj se është i njimendtë dhe del nga zemra e çdo qytetari, pavarësisht nëse e votoi apo jo partinë socialiste, pavarësisht nëse pajtohet apo jo me Edi Ramën.



28 Gusht 2017

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2