Enver Bytyçi: PD duhet të bashkohet për t'u reformuar

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi

Bashkimi i PD-së dhe grupeve të saj është imperativ dhe domosdoshmëri; sa më shpejt, aq më mirë! Por bashkimi i të gjitha grupeve kundërshtare të kësaj partie nuk duhet të bëhet për të mbështetur x ose y kandidat për kryetar. Bashkimi do të duhet të ketë në themel një platformë për reformimin e partisë më të madhe opozitare, e cila në këto 27 vite ka dhënë për demokracinë dhe Shqipërinë më shumë se çdo parti tjetër shqiptare.

Nga ajo që shohim në ekrane e deklarime, duket së një bashkim i shpejtë do të jetë i vështirë, në mos i pamundur. Por unë nisem nga koncepti se pamundësia nuk ekziston. Nëse vullneti i palëve dakordohet bashkimi realizohet brenda ditës. Por që demokratët të arrijnë deri te kjo do të duhet të marrin disa masa. Unë thjesht po përsëris disa:

- Prej zgjedhjeve të korrikut 2013 e këtej në PD janë krijuar së paku dy grupe, të cilat kanë përjashtuar njëri-tjetrin. Grupi në drejtim ka përdorur metodën e përjashtimit në heshtje, duke i fshirë nga lista kundërshtarët. Grupi në oponencë ka mbajtur qëndrime përjashtuese deklarative ose kokëforte, deri në masën që për inat të kryetarit të jetë i gatshëm të sabotojë suksesin e partisë. Të dyja këto grupe duhet të njohin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen se në të ardhmen do të ulin heshtat.

Të dy këto grupe në përgjithësi, ose me përjashtime të rralla, kanë venë në themel të qëllimeve të veta interesin personal, familjar ose klanor. Njoh prej atyre që deri sa Basha shpalli listat i rrinin atij para e prapa, madje nuk linin rast pa iu lëpirë në çadër e jashtë saj edhe gruas së Bashës dhe sapo nuk e panë emrin në listë u xhindosën dhe sot janë gati ta çojnë kryetarin "e ngrirë" në gijotinë. Kjo kategori, ashtu si ata që me servilizëm të skajshëm hynë në lista, të neverisin, por nuk mund të përjashtohen nga Partia Demokratike. Kjo është një kategori më vete, më e rrezikshme sesa kategoria e dy grupeve kundërshtare, tashmë të njohura.

Në këtë panoramë do të duhet që palët të ulin armët, madje të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, të mbledhin kryesinë e partisë dhe të diskutojnë për një pajtim, jo për të anashkaluar atë që ka ndodhur. Por për një analizë jo përjashtuese. Kjo do të ishte kontrata e parë.

Pas kësaj palët do të duhej të diskutonin me logjikën e zhvillimit të ngjarjeve, të dëgjonin njëri-tjetrin, ndoshta tri ditë rresht në Këshillin Kombëtar për shkaqet e humbjes, për ato që kanë ndodhur, për kontributet e secilit, me fakte, pa inate, pa epitete, pa urrejtje.

Dhe në përfundim do të duhej që kryesia Këshilli Kombëtar i PD-së apo ndonjë konventë e organizuar qartë e me një komision miks, të miratojnë disa dokumente:

1. Dokumentin në formë rezolute për analizën e zgjedhjeve.

2. Dokumentin, nëse Partia Demokratike i njeh ose nuk i njeh këto zgjedhje të manipuluara, të blera e të trukuara.

3. Dokumentin për një platformë të re politike me objektiva të qarta dhe pozicionin që PD do të mbajë në opozitë, nëse do jetë në opozitë apo nëse dëshiron të marrë pjesë në bashkëqeverisje, çka e shoh si aventurë që sjell shuarjen e saj. Ky vendim duhet të merret tani, jo pasi të zgjidhet kryetari i ri i partisë.

4. Dokumentin ku të shprehet vendimi për zgjedhjen e kryetarit me afate, komisione, dhe kritere e standarde të njëjta për të gjithë kandidatët. Kandidimi nuk duhet të kufizohet me kritere idiote. Janë anëtarët e Partisë Demokratike ata që seleksionojnë gjatë paraqitjes së platformave dhe që vlerësojnë në bazë të kontributeve secilin kandidat.

5. Dokumenti për statutin e ri të Partisë, duke ngritur një komision të përbërë me numër të barabartë të të gjitha grupimeve. Ky statut do të duhet të shprehë qartë gjithçka, deri te mënyra e përzgjedhjes së drejtuesve të PD-së, kandidatëve për pushtetin lokal e parlamentin shqiptar, detyrat e funksionet e secilit, pa lënë me qëllim ose jo vend për interpretime.

6. Dhe në fund një dokument, me të cilin demokratët të detyrojnë kandidatët për kryetar që ata të njohin rezultatin, por edhe me detyrimin që fituesi kurrë më të mos orientohet nga logjika dhe filozofia e përjashtimit të tjerëve.

Në këtë mënyrë unë do të shihja Partinë Demokratike përsëri të mëkëmbur dhe të aftë për të vazhduar kontributet e saj në qeverisjen e Shqipërisë. Ndryshe secili do të bëjë llogaritë e tij personale, por kurrësesi të PD-së dhe të Shqipërisë!

30 Qershor 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2