Rama: "Fitorja është e Shqipërisë, populli zgjodhi PS për ta udhëhequr vendin si fuqi e vetme qeverisëse"

Partia Socialiste organizoi të martën pasdite në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, festën e fitores si forcë e parë politike në zgjedhjet parlamentare 2017 ku mori 74 mandate.



Para qindra mbështetësve të mbledhur në sheshin “Skënderbej” Kryeministri Edi Rama tha se, “vendi tashmë ka folur troç, shqiptarët kanë vendosur me një votë qartësisht kuq e zi”.



“Qytetarët zgjodhën të ardhmen dhe na thanë që Shqipëria është mbi të majtën dhe të djathtën, shteti është i qytetarëve dhe jo i pushtetarëve. Qytetarët i thanë jo politikës së kacafytjes. Populli zgjodhi PS për ta udhëhequr vendin si fuqi e vetme qeverisëse dhe duke e pranuar me emocion dhe përulësi këtë zgjedhje, ne do të qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë dhe jo me shembullin e forcës për të tjerët. Sfidat sot janë shqiptare, jo socialiste dhe demokrate, të vjetra dhe të reja, të të njëjtit atdhe, të të gjithëve. U them të gjithëve që fitorja është e Shqipërisë dhe merita është e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, barra e madhe e përgjegjësisë për të zgjedhurit e tyre. Ata duan të provojnë se sa të mirë mund të jemi ne nëse e kemi timonin të vetëm”, u shpreh Rama.



“Kemi lindur jo të majtë dhe jo të djathtë, vijoi ai, jo të ndarë në të tanët dhe të atyre, por të njëjtë në gjak, gjuhë, thjesht shqiptarë. “Përulëm përpara të gjithëve që na zgjodhën, nga veriu në jug, burra e gra, djem dhe vajza. Fitorja është e Shqipërisë dhe merita është e njerëzve të zakonshëm, e jona është vetëm barra e madhe e përgjegjësisë, për të mos harruar se shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për Shqipërinë që duam”, tha Rama.



Kreu i PS, theksoi se populli zgjodhi koalicionin me ne dhe për të çuar për skrap njëherë e përgjithmonë tepsinë. “Në vend të një koalicioni të radhës mes partive që ndajnë tepsinë shqiptarët kanë zgjedhur koalicionin tonë drejtpërdrejt me ta, për ta çuar atë tepsi për skrap një herë e përgjithmonë”, tha ai.



“Prioriteti ynë i parë duhet të jetë reflektimi për sa shumë kemi për të përmirësuar dhe korrigjuar tek vetja në radhë të parë. Mos qoftë e thënë që konkurrentët tanë ti shohim si armiq dhe ti trajtojmë si të tillë. Të gjithë kemi marrë detyra të vështira. Duhet ti japim fund politikës së rrahjes së gjoksit për meritat dhe hedhjes së fajit. Duhet të kemi një përpjekje shqiptare të përbashkët për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Ta bëjmë më të arsyeshme dhe njerëzore politikën tonë”, deklaroi Rama.



Kryeministri deklaroi se “ne nuk fituam një kampionat, por morëm një detyrë shumë të vështirë. 4 vitet nuk duhet të jenë një tjetër lojë se kush e ka fajin, por një përpjekje shqiptare për çfarë duhet bërë, për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Fushata ka mbaruar, shqiptarët në kanë shikuar, dëgjuar, dhe kanë bënë zgjedhjen. Tani është koha për të vënë veten tonë në shërbim të tyre, përpara interesave tona dhe shqiptarët pa dallim, përpara dallimeve politike, është koha për të vënë flamurin përbashkues kuqezi përpara flamujve të partive politike. Është koha të gjejmë forcën të punojmë së bashku. E ardhmja që duam nuk vjen, por arrihet dhe sa më shumë të bashkëpunojmë”.



Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te marrëveshja parazgjedhore me kreun e PD, Lulzim Basha, të cilin e falenderoi dhe theksoi se “ai vuri interesat e Shqipërisë mbi ato partiake”.



“Dua ta kem marrëveshjen e 18 majit një busull orientuese. Dua ta falenderoj sot Lulzim Bashën pasi më 18 maj vuri Shqipërinë të parën dhe siç e shohim tani marrëveshja është ajo që është dhe jo si cinikët e kazanit donin t’i bënin shqiptarët të besonin ashtu si shpreheshin ata”, tha Rama.



Sipas tij, ajo marrëveshje e ka potencialin për të mos u fashitur si ëndrra e një nate vere, të bashkohemi për interesat kombëtare.



Duke u ndalur në zgjedhjet e 25 qershorit, Rama theksoi se zgjedhjet e së dielës nuk ishin perfekte, por ishin një çlirim për njerëzit nga presionet dhe shantazhet.



“Këto zgjedhje nuk ishin perfektë, por ishin pa as më të voglin çlirim më të madh të njerëzve, qoftë nga presioni i shëmtuar pamor i afisheve, në çdo lagje të Shqipërisë. Shfaqja e papritur dhe jashtë kontekstit, e disa çjerrjeve në fushatë, përbën një përjashtim që mos të kishin ndodhur, por nuk e cënuan këtë proces. Padyshim as marrëveshja ime politike, me kryetarin e opozitës pas një periudhë të gjatë, nuk ishte perfektë. Por siç kam besuar dje dhe sot, se ajo marrëveshja, ku opozita dhe qeveria, duhet të jenë të bashkuara për interesat e Shqipërisë, në rrugën për Europën që duan”deklaroi Rama.

Kryeministri i vendit, Edi Rama në fjalimin e tij të parë pas fitores së zgjedhjeve të 25 qershorit falënderoi të gjitha grupet e PS-së në qarqe, ndërsa veçoi Gramoz Ruçin.



“Jo më kot e lashë në fund, ovacion për super skuadrën e Fierit. Do ma falin të gjithë një veçim me emër për forcën më domethënëse të shembullit të një njeriu, Gramozit, e meritonte të ishte në fund edhe në falënderime se sfidoi një traditë të pa sfiduar ndonjëherë që i vendos udhëheqësit në fund dhe arriti një rezultat spektakolar duke kaluar edhe vijën e kuqe”, theksoi Rama.

28 Qershor 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2