Robert Goro për AFP: Politika shqiptare e ka frikë votën e emigrantëve

Eglantina NASI

Meqenëse sot është heshtje zgjedhore, po publikojmë një intervistë që gazetari Robert Goro i dha të përditshmes shqiptare, “Albanian Free Press” dhe gazetares Eglantina Nasi.



“Duket se politika shqiptare e ka frikë votën e emigrantëve. Sepse nëse vota bëhet në mënyrë elektronike apo postare, nuk e kontrollon dot”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press” gazetari shqiptar Robert Goro, që prej vitesh jeton në Greqi dhe njihet për trajtimin e problematikave që shqetësojnë komunitetin shqiptar atje. Duke shtuar mbi çështjen e votës së munguar të tij edhe për këtë proces zgjedhor në vendin ku punon, se “partitë e përdorin edhe si një lloj “zbori”, domethënë duan të shohin sa i madh është përkushtimi i emigrantëve ndaj tyre”. “Megjithatë, njerëzit ngaqë janë të politizuar, janë besnikë, çfarëdo që të ndodhë ata do të vijnë dhe të votojnë. Ai që ka votuar Partinë Demokratike, do të votojë prapë atë, sikundër edhe ai që ka votuar Partinë Socialiste, prapë atë do votojë”, shton ai. Më tej, korrespondenti ndër vite i mjaft mediave dhe tashmë drejtuesi i “Tribuna-news.com”, përmend edhe çështjen e marrëdhënieve mes dy palëve tona, duke pohuar se tashmë ato e kanë njohur kaq mirë njëra-tjetrën saqë bashkëjetojnë pa asnjë lloj problemi. E duke apeluar se politika nuk duhet të krijojë aspak tensionime artificiale mes tyre. “Ka ndryshuar si dita me natën gjendja e emigrantëve shqiptarë sa i përket nivelit të pranimit të tyre nga shoqëria greke. Edhe ato mitet e krijuara dikur, tanimë janë zhdukur. Tani ata kanë probleme me të cilat ndeshen vetë grekët, kanë problemet e krizës ekonomike, taksat e larta, pagat e ulëta etj. Sepse ata janë qytetarë të atij vendi”, citon Goro...



AFP: Si një njohës i mirë i jetës së emigrantëve shqiptarë në Greqi, a mund të na thoni diçka për angazhimin e tyre politik mbi zhvillimet në Shqipëri, dëshirën për të votuar atje ku jetojnë dhe si po e përjetojnë realisht mosrealizimin e saj edhe për këtë herë për zgjedhjet e radhës, ato të 25 qershorit.

ROBERT GORO: Emigracioni në Greqi është jashtëzakonisht i azhornuar me zhvillimet në Shqipëri, teksa rol për këtë luan edhe afërsia gjeografike. Duhet thënë se emigrantët shqiptarë atje e kanë kërkuar vazhdimisht çështjen e votës dhe këto duhet të jenë zgjedhjet e treta që e kërkojnë këtë me forcë. Nuk e kërkojnë këtë në fakt si një akt që u bën qejfin emigrantëve, por si një akt civilizimi të vetë politikës shqiptare. E kjo sepse shqiptarët që jetojnë në shoqëri më të avancuara se Shqipëria, e përdorin atë si një pikë referimi. Dhe janë të mendimit se nëse gjërat funksionojnë kështu në Greqi ta zëmë, Itali apo Amerikë etj, përse të mos funksionojnë edhe në Shqipëri. Të drejtën e votës në vendin ku jetojnë ata e konsiderojnë si një të drejtë që u takon pa diskutim. Nga ana tjetër, ata janë të ndërgjegjshëm se nuk është puna që nuk do njëra palë. Unë kam një mendim ndryshe. Duket se politika shqiptare e ka frikë votën e emigrantëve. Sepse nëse vota bëhet në mënyrë elektronike apo postare, nuk e kontrollon dot. Kurse duke vënë në dispozicion autobusë, apo edhe duke ngritur shtabe elektorale në çdo zonë, të Greqisë në rastin konkret, ata pak a shumë e dinë se ku do të shkojë vota. Sepse një emigrant që ngrihet dhe vete në një qendër të Partisë Socialiste apo të Partisë Demokratike në Athinë është e sigurt që ai po të vijë në Shqipëri, do të votojë pikërisht për atë parti që është i interesuar. Nga ana tjetër, them se partitë e përdorin edhe si një lloj “zbori”, domethënë duan të shohin sa i madh është përkushtimi i emigrantëve ndaj tyre. Kështu shpjegohet mendoj unë edhe fakti që sidomos Partia Socialiste, të paktën në tre zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2009, 2013, por edhe tani, i ka kushtuar jashtëzakonisht vëmendje Greqisë (se unë flas vetëm për të). E kjo, pavarësisht se edhe gjatë këtyre katër viteve që ka marrë pushtetin, nuk duket se ka bërë diçka nga ato që u premtoi emigrantëve. Megjithatë, njerëzit ngaqë janë të politizuar, janë besnikë, çfarëdo që të ndodhë ata do të vijnë dhe të votojnë. Ai që ka votuar Partinë Demokratike, do të votojë prapë atë, sikundër edhe ai që ka votuar Partinë Socialiste, prapë atë do votojë.



AFP: Po përse nuk ndryshon kollaj indoktrinimi politik i një emigranti?

ROBERT GORO: Sepse një emigrant nuk ballafaqohet me problemet me të cilat ndeshet qytetari shqiptar që jeton në Shqipëri, pavarësisht se ai i ndjek zhvillimet e saj. Ai nuk ka probleme mbijetese, hatërmbetje me pushtetin lokal, gjoba, mungesë dritash apo pune, etj. Ai më shumë militantizmin e ka të lidhur me nostalgjinë për vendin e tij. Sado që kjo mund të duket e çuditshme në fakt, për mua është paradoks. Emigranti mendon se po të ndryshojë votën, i pakësohet disi dashuria që ka për atdheun.



AFP: A ekziston ndonjë shifër sesa emigrantë kanë ardhur vetëm nga Greqia në zgjedhjet e fundit për të votuar në Shqipëri?

ROBERT GORO: Po. Thuhet se rreth 35 mijë persona kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për të votuar në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013. Ata kanë udhëtuar kryesisht me autobusë të vënë në dispozicion nga partitë politike, por ka edhe nga ata që kanë shkuar në vendin e origjinës me mjetet e tyre apo me autobusët e linjës. Ajo që më habit është se ka njerëz, apo gra “heroina”, që kanë braktisur fëmijët, punën dhe shtëpinë e tyre e kanë ardhur në Shqipëri për të bërë fushatë për Partinë Socialiste. Ose shkon kryeministri në Gjirokastër ta zëmë dhe ngrihen 50-100 nga Athina apo rrethe të tjera të Greqisë për të shkuar atje, jo në fakt thjesht për të parë atë, por sepse ata u përkasin strukturave të Partisë Socialiste në Greqi. Është më e ndryshme situata me Partinë Demokratike, e cila gjithashtu e ka aktive degën e saj në Greqi. Por nuk ka pasur të paktën deri më sot atë lloj emulacioni le të themi siç e ka pasur Partia Socialiste. E kjo ndoshta ka të bëjë me faktin se njerëzit me bindje të majta e ruajnë ende të freskët idenë se duhet t’i përgjigjen partisë. Ndoshta edhe njëlloj atavizmi nga koha e komunizmit, një atavizëm ky në fakt i së kaluarës. Kurse demokratët, një nga përplasjet e tyre me atë sistem kishim pikërisht atë që nuk i bindeshin partisë dhe ndaj tek ata duket se ekziston mentaliteti “Nuk po i bindemi as tani”.



AFP: Po për Lëvizjen Socialiste për Integrim, si paraqitet situata, por edhe lidhja e saj me emigrantët?

ROBERT GORO: Edhe LSI është aktive, por edhe ajo ka të njëjtën qasje dhe të njëjtin problem, sepse edhe ajo e premtoi votën për emigrantët. Eshtë hera e dytë që e premtoi në fakt, kur ishte në koalicion me Berishën, e premtoi madje edhe në 2013-ën dhe nuk e arriti. Por kjo nuk do të thotë se ata që janë të betuar për Lëvizjen Socialiste për Integrim nuk do të votojnë për të. E nëse do një klasifikim sa i përket interesimit të emigrantëve për të votuar, vendi i parë është i PS-së, vendi i dytë është i PD-së dhe vendi i tretë është i LSI-së, të paktën sa kanë treguar zgjedhjet e 2013-ës.



AFP: Si po e përjetojnë emigrantët që jetojnë në Greqi procesin e regjistrimit të tyre, a duan ata realisht të regjistrohen dhe çfarë të mirash do të kenë në realitet prej këtij procesi?

ROBERT GORO: Përgjithësisht, konsideratat janë pozitive për regjistrimin si i tillë. Por kur vjen puna tek procesi, aty nis nga pak edhe njerëzit shqetësohen. Sepse u duhet të shkojnë në ambasadë që të regjistrohen, ose të hyjnë në internet. Mirëpo internet nuk është se ka çdo shqiptar në Greqi, ose ata duhet të ruajnë rastin të regjistrohen këtu. Është në fakt si mentalitet i shqiptarëve të Greqisë, që kërkojnë e kërkojnë të drejta, por kur vjen puna tek ndonjë detyrim pastaj, fillojnë dhe bëjnë të gjithë naze. Por mirë apo keq, ai është një proces që u vendos tashmë dhe njerëzit duhet të regjistrohen...



AFP: A mund të thuhet tashmë se janë fashitur të gjitha kontradiktat apo mentalitetet e gabuara që ekzistonin mes dy palëve, asaj shqiptare dhe asaj greke para shumë vitesh?

ROBERT GORO: Nuk mund të thuhet se janë fashitur plotësisht se të dyja palët i mbajnë brenda, por tashmë ato e kanë njohur kaq mirë njëra-tjetrën saqë bashkëjetojnë pa asnjë lloj problemi. Fundja, shqiptarët tek grekët punojnë... Madje ka raste kur ata paguhen edhe më shumë se këta të fundit. Por duhet ditur se emigrantët janë shumë skeptikë në momentin kur ndodhin tensionime mes dy vendeve, sepse në njëfarë mënyre, ata e paguajnë. Po si? Kuptohet, sot nuk ka “Fshesa”. Por krijohen vështirësi të tjera. Ende nuk kemi vulën apostile. Domethënë, shqiptarët çdo çertifikatë janë të detyruar që ta legalizojnë në ambasadën greke në Tiranë. Ose siç ishte çështja e toponimeve që zgjati tre vjet. Këto janë probleme vërtet teknike, por që krijohen pikërisht për shkak të një backgroundi politik. Dhe ata që i paguajnë janë emigrantët, nuk janë as ministrat dhe as gazetarët e të dyja palëve. Madje unë kam përshtypjen se edhe vetë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri nuk duan tensionime me Greqinë, me një vend me të cilin kemi raporte kaq të ngushta.



Intervistën mund ta lexoni të plotë në këtë link:

http://afp.al/news/2017/06/robert-goro-politika-shqiptare-e-ka-frike-voten-e-emigranteve-28385/

24 Qershor 2017

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2