Rama: “Për Vlorën bëra jo aq sa desha, po aq sa munda”

Kryeministri Edi Rama kërkoi të premten nga Vlora, që në 25 qershor, shqiptarët të mblidhen bashkë dhe t’i japin një “Jo”popullore, çdo ndasie që parti të tjera duan të nxisin për interesat e tyre.

Për të përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, Kryeministri Rama zgjodhi Vlorën, qytetin ku është edhe vetë pjesë e listës së kandidatëve të majtë. “Unë e dua Shqipërinë në çdo pjesë të trupit të saj të mrekullueshëm, por jam i nderuar dhe e dua Vlorën ku jam zgjedhur deputet dhe jam i dyti kryeministër i Vlorës pas Ismail Qemalit. Sado unë të punoj me mish e me shpirt për ta kryer këtë detyrë me nder, përulja ime për popullin e Vlorës është detyrim i pashlyeshëm”, tha Rama.

Në 44 muaj, sipas tij, “është bërë shumë për Vlorën, jo aq sa desha, por aq sa munda”. “Në 4 vitet që vijnë, po ma dhatë përsëri besimin tuaj me të gjithë fuqinë tuaj, të bashkuar dhe pa u ndarë nëpër çetat e Lulit, Ilirit e të tjerëve, do të bëjë për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë së bashku, me të gjithë skuadrën tonë, 4- fishin e atyre që janë bërë në këto 44 muaj”, premtoi Rama.

Duke u kërkuar falje qytetarëve për çdo rast abuzimi që kanë ndeshur në zyrat e shtetit, Rama premtoi reformën në administratën shtetërore. “Shqipëria që keni në zyrat e shërbimeve për qytetarët nuk është Shqipëria që duam, është një Shqipëri e vjetër, e lodhshme, dëshpëruese, për njeriun që kërkon një hipotekë, patentë, leje, licencë dhe merr mbrapsht një nëpërkëmbje që duhet të marrë fund në 25 qershor”, tha Rama.

Nga Vlora e flamurit kuqezi, Rama ftoi të gjithë shqiptarët pa dallim, që të mblidhen dhe të votojnë për Shqipërinë që duan. “Të mblidhemi e të jemi një konak, një çati, një oxhak, për t’i thënë një “jo” popullore me zemër e mendje shqiptarie, çdo ndasie që parti të tjera duan të nxisin me të gjitha mënyrat mes zgjedhësve të 25 qershorit, vetëm e vetëm për të mos i lëshuar ato çifligje të turpshme”, tha Rama.

PS, vijoi kryeministri, “e kërkon votën këtë herë, pa të tjerë në krahë, sepse në këtë stacion zgjedhor të historisë sonë, ne nuk vijmë për pushtetin, por për shtetin që duam të bëjmë për shqiptarët pa dallim, nga veriu në jug”. “Të tjerët duan t’ju mbajnë juve të ndarë për të ndarë tepsinë e pushtetit për vete, unë dua t’ju bashkoj ju me njëri-tjetrin për ta çuar atë tepsi të turpshme për skrap me fuqinë e pushtetit tuaj. Ne jemi këtë herë ballë për ballë me ju, me popullin e Shqipërisë, pa hije nga pas dhe pa perde në sy dhe duam të bashkohemi për Shqipërinë”, shtoi Rama.

Në 28 nëntor këtu u ngrit flamuri kombëtar i pavarësisë së Shqipërisë, shtoi Kryeministri ndërsa bëri thirrje që “në 25 qershor është dita që çdo shqiptar ta bëjë fletën e tij të votimit flamur kuqezi”.

“Kush mungon në zgjedhje gabon, sepse e lë të hapur shtegun e tij për të këqija që nuk do të donte kurrë të ndodhnin. Ndërsa të mungosh në vendimmarrjen e 25 qershorit e lë shtegun e hapur për të paktën 2 të këqija të mëdha; ribllokimi, ripengimi, rizvarritja e reformës në drejtësi dhe sabotimi i zbatimit të Vettingut nga partitë e tjera që përpiqen të flasin bukur për Vettingun, por nuk e duan suksesin e reformës në drejtësi, pastrimin rrënjësor që Vettingu do t’i bëjë pallatit të drejtësisë. Nuk e duan drejtësinë të rilindë dhe të hapë kapakët e mbyllur prej çerekshekulli, të zullumeve të politikanëve që strehohen nën flamurin e atyre partive të tjera”, tha Rama, ndërsa shtoi se “e dyta është keqtrajtimi i njerëzve të zakonshëm në zyrat e shtetit”.

Ne nuk kemi bërë asnjë mrekulli në këto 44 muaj, tha Rama, duke shprehur besimin se “nga ana tjetër PS ka dhënë mjaftueshëm prova se ka ambicien dhe vullnetin për të bërë shtet. “Kemi hedhur themelet e shtëpisë së një shteti modern shqiptar, duke bërë reforma të rënda dhe të dhimbshme në drejtësi, ekonomi, financa, energji, siguri, arsim, qeverisje vendore etj. Tani ka ardhur momenti për ta vendosur ju, jo ne, a do të vazhdojmë të ndërtojmë së bashku mbi këto themele, shtëpinë e shtetit që duam, apo do të vazhdojmë të ndarë nën flamujt e partive që shtetin e duan për vete dhe votat tuaja i duan për të mos hequr duart nga tepsia e pushtetit të tyre”, tha Rama.

24 Qershor 2017

Shqiptari dhe greku arrestohen me 3 kg kokainë

Një shtetas shqiptar dhe një grek janë arrestuar në Iraklion, kryeqendra administrative e ishullit të Kretës. Ata akuzohen për posedimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogave të forta.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2