Meta në Durrës: Mbi 700 mijë shqiptarë do t’i thonë po drejtimit të ri me LSI-në në krye

Nga Durrësi ku Lëvizja Socialiste për Integrim përmbylli fushatën e saj elektorale, Ilir Meta deklaroi se përballja më e fortë e LSI-së nuk është me të zhgënjyerit, frikacakët e të pabesët, por mes LSI-së së Durrësit, Tiranës e Fierit.

“Në këto zgjedhje nuk ka garë me humbësit që dridhen nga vota e lirë e durrsakëve, tiranasve, tropojanëve e sarandiotëve. Në 25 qershor ka vetëm një garë, midis LSI së Tiranës, Durrësit e Fierit”, u shpreh Meta në nisje të fjalës së tij..

Meta tha se mbeten vetëm 72 orë dhe Shqipëria do të shpëtojë nga sëmundja më e rëndë që përjetoi në 4 vite, ajo e zhgënjimit . “Nuk do të ketë më fjalë zhgënjim në fjalorin e gjuhës shqipe, por do të ketë mavi, që do të thotë mashtrim e pabesi. Do të thotë t’u japësh pushtetin të fortëve, të dhunshmëve e oligarkëve dhe të tregosh forcë e arrogancë ndaj hallexhinjve dhe njerëzve të thjeshtë”, deklaroi Meta.

Për shkak të këtij qëndrimi, sipas Metës nga Shqipëria u larguan 300 mijë shqiptarë, ndërsa 200 mijë të tjerë plotësuan lotaritë amerikane e kanadeze. Por siguroi ai, sot janë mbi 700 mijë të rinj e të reja e qytetarë shqiptarë që kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri dhe t’i thonë po drejtimit të ri me LSI-në në krye.

“Me 25 qershor populli shqiptar do të tregojë se Ilir Meta, por edhe Rama e Basha kanë një votë, por janë 3 milionë vota pushteti i vërtetë i Shqipërisë e shqiptarëve që do t’u thonë jo pushtetit që shpenzon taksat e qytetarëve për beton, palma e fasada”, u shpreh Meta. Ato, tha ai, do të shpenzohen për të hapur 170 mijë vende të reja pune.

“Taksat e larta të rilindjes vranë vendet e punës, shkatërruan mbi 20 mijë biznese dhe burgosën hallexhinjtë, ndërsa u fshinë borxhet e OSHE-së dhe tatimeve oligarkëve”, deklaroi Meta.

Meta tha se në katër vitet që lamë pas nuk pati vullnet për të bërë shtet. Sipas tij, ata që flasin për zbatimin e ligjit fshehën para Durrësit e gjithë Shqipërisë pilotin e drogës në Ishëm.

Policia, vijoi fjalën Meta, në këto katër vite si asnjëherë tjetër u bë palë me krimin. Sot, tha Meta, ka dalë i gjithë Durrësi në këtë shesh, sepse e shikon Lëvizjen Socialiste për Integrim si garanci për demokracinë e vendit.

Duke u ndalur në incidentet e ditëve të fundit, ku u dhunuan disa mbështetës të kësaj force politike, Meta tha se qytetarët me votën e tyre do t’i thonë jo me 25 qershor atyre që mbështetën dhunën, pabesinë, arrogancën dhe urrejtjen ndaj demokracisë dhe lirisë.

LSI, tha Meta është forca integruese e të gjithë shqiptarëve dhe nuk i ndan ata në veriorë e jugorë, të kategorisë së parë apo të fundit. Ndaj shtoi ai, është kjo arsyeja se pse edhe minoriteti grek, ai maqedonas e malazes mbështet LSI.

Ndërsa kryetari i LSI-së, Petrit Vasili shpalosi programin ekonomik të kësaj force politike, që sipas tij, konsiston në hapjen e vendeve të reja të punës për 100 mijë të rinj, uljen me 2.5 herë të taksës mbi të ardhurat për pagat e larta, përgjysmimin e TVSH, mbështetjen e bujqësisë dhe turizmit, si dy shinat kryesore mbi të cilat do të zhvillohet vendi.

“Programet bosh e tepsinë gllabëruese ua lamë atyre të cilët do të marrin në 25 qershor shansin e madh për të ikur dhe këtë shans ua jep Durrësi, Tirana dhe e gjithë Shqipëria”, tha Vasili.

23 Qershor 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2