Tsipras: Pres nga kreditorët që të respektojnë vendin tim

Tribuna

“Është koha për vendimet e nevojshme në dobi të zhvillimit dhe të punësimit, thekson kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një artikull që publikohet njëkohësisht në gazetën franceze, Le Monde dhe atë gjermane Die Welt.

Në prag të takimit të Eurogrupit, Tsipras –nëpërmjet artikullit- dërgon mesazhin ndaj partnerëve dhe kreditorëve se duhet të merren vendime që në thelb do të japin sinjalin për hyrjen në rrugën e “një epoke të re, larg gabimeve dhe ekzagjerimet e të kaluarës, një epokë zhvillimi të qëndrueshëm dhe prosperiteti për të gjithë”.

Tsipras vë në dukje se orët e ardhshme do të zhvillohet një takim esencial, “historik për Europën demokratike, për një Europë të zhvillimit” dhe shton: “Jemi të mbushur me shpresë dhe pritshmëri për këtë takim të ministrave të financave. Sepse kemi bërë ato që ishim të obliguar dhe vazhdojmë në të njëjtën rrugë demokratike. Në rrugën e respektimit të rregullave të shtëpisë tonë të përbashkët”.

“Të njëjtën gjë presim dhe nga kreditorët”, vazhdon Tsipras, “të respektojnë rregullat që vetë ata formuluan. Të respektojnë vendin tim. Të respektojnë Greqinë”.

“Të mos lejojmë që fjalën ta kenë paragjykimet, stereotipet dhe mëritë, që kaq shumë e dëmtuan dhe vazhdojnë ta dëmtojnë Europën”.

“Kemi të drejtën sot që të rregullojmë sërish jetët tona, të gjejmë punë dhe të marrim pjesë në jetën ekonomike europiane”, vazhdon Tsipras dhe më tej u referohet përpjekjeve që kanë bërë grekët dhe qeveria dy vjetët e fundit në këtë drejtim. “Greqia në dy vitet e fundit të qeverisjes tonë ka bërë më shumë reforma se gjithë vendet europiane të marra së bashku”.

Tsipras vë në dukje se borxhi grek është një “gur nën rrota” në përpjekjet për zhvillim ekonomik, për të theksuar që “përgjigjja ndaj qëndrueshmërisë së borxhit grek është para së gjithash zhvillimi. Zhvillimi i drejtë, jetik dhe konstant. Për t’u bërë kjo, nevojitet së pari rregullimi i borxhit. Me qëllim që ekonomia greke të marrë frymë dhe të rikthehet besimi i tregjeve ndaj saj”.

“Prandaj”, nënvizon kryeministri grek, “masat afatmesme për borxhin duhet të dakordohen, jo thjesht si një shkëmbim për reformat që ka bërë Greqia, por shumë më tepër sepse përbëjnë një alternativë racionale për t’u mbështetur zhvillimi dhe Greqia të vazhdojë të jetë korrekte në detyrimet e saj me kreditë. Jo për ‘i falur para Greqisë, por që të mos jetë nevoja t’i falin”.

Shtylla e dytë e përgjigjes, vazhdon Tsipras, nuk është tjetër veç adoptimit të një programi ambicioz zhvillimor. “Një programi jo me para të marra hua, por me aksione të detajuara mbështetjeje dhe forcimit të investimeve private në Greqi. “Le të investojmë në një politike zhvillimi me të vërtetë europiane, që krijon vende të reja pune”, përfundon Tsipras.

15 Qershor 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2