Kandidati për deputet Reni Barjami: “Do t’i jap Delvinës atë që ka merituar në vite”

Robert GORO

Personalisht më ka befasuar kandidimi për deputet i Reni Barjamit, të cilin e njoh prej disa vitesh. Më mirë me thënë, njoh kontributin e tij për dhjetra e dhjetra familje, nëpërmjet fondacionit bamirës shqiptaro-holandez që drejton. Sigurisht, Reni Barjami është një njeri me shpirt e ndërgjegjje qytetare, që deri më sot e shprehte në veprimtarinë e tij shoqërore. Këto cilësi të tij tashmë don t’i gërshetojë me politikën, duke kandiduar për deputet me listën e LSI-së në qarkun e Vlorës. Një betejë e vështirë për një njeri që deri më sot e ka çarë jetën vetëm me krahët e veta e me mendjen e vet; pa pranuar të bëjë kompromise që do t’i krijonin probleme me ndërgjegjjen dhe botëkuptimin e tij. Kështu dëshiron të çajë edhe në rrugën e politikës.



TRIBUNA: Juve delvinjotët ju njohin jo thjesht si bashkëqytetar të tyre, por edhe për shkak të aktivitetit tuaj shoqëror në shërbim të komunitetit, edhe për faktin se janë anëtar i këshillit bashkiak. Në kohën që shumëkush mendonte se me këtë të fundit mbaronin ambicjet tuaja politike, ju befas kandidoni për deputet me Lëvizen Socialiste për Integrim. Çfarë ju shtyu ta pranonit propozimin e LSI dhe të kandidoni në qytetin tuaj?

RENI BARJAMI: Duke punuar me qytetarët vazhdimisht nga fondacioni fetar që unë jam drejtues, po ashtu edhe në këshillin bashkiak, pashë që populli dhe vendi ka nevojë për njerëz që punojnë, ka nevojë për njerëz që kontribuojnë. LSI kërkonte një njeri që dëshiron të punojë. Dhe unë dua të punoj, por nuk mund ta bëja këtë vetëm. Gjeta siguri te kjo parti; gjeta entusiazëm, marrëdhënie të mira dhe prandaj vendosa që të bëhesha pjesë e LSI-së, për t’i dhënë më shumë qytetit ku unë jetoj dhe do të vazhdoj të jetoj. Sepse në Delvinë kam lindur, aty jetoj, aty do të vazhdoj të jetoj me familjen time, rris fëmijtë e mi aty. Dhe prandaj dua që qyteti të ketë ambiente të mira për fëmijtë e mi, për familjen time dhe këtë zgjodha ta bëj në bashkëpunim me LSI-në.



TRIBUNA: Në fakt, gjithë kandidatët për deputet, para se të vijë dita që zgjidhen, premtojnë se do të bëjnë gjëra për qytetin e tyre... Mirëpo, siç ka treguar praktika, shumica e tyre nuk janë veçse katrona jeshil apo të kuq, në parlament. Çfarë do të bëjë ndryshe Reni Bajrami, në mënyrë që delvinjotët të shohin se ai i bën realitet premtimet?

RENI BARJAMI: Unë dua të theksoj që unë nuk jam “pako postare” nga Tirana apo nga Athina, për t’u vendosur si pjesë e parlamentit, apo për të kandiduar meqë jam delvinjot. Unë jetoj në Delvinë. Të gjithë kandidatët e tjerë janë si pako postare: ata vijnë nga një qytet tjetër dhe kandidojnë në “zonën e tyre” prej nga mund të kenë origjinën, por nuk kanë jetuar as edhe një ditë atje. Mirëpo unë kandidoj në të njëjtin qytet ku kam lindur, ku jetoj, dhe nuk po u jap premtime të cilat unë nuk i realizoj. Unë kam treguar me veprimtarinë time –dhe delvinjotët janë dëshmitarë- se punoj për zhvillimin, në favor të të gjitha shtresave: të fëmijeve, të të rinjve, të të rriturve. Jam këshilltar dhe njëkohësisht kundërshtar i fortë i kryetarit të bashkisë, vetëm e vetëm që të bëjmë gjëra që janë pozitive për vendin. Duke ditur edhe origjinën time, traditën familjare, unë synoj që atë që e them, ta bëj. Prandaj gjatë gjithë fushatës nuk kam bërë premtime të cilat e di që nuk i mbaj dot. Unë them vetëm një gjë: Më besoni dhe do t’ju besoj. Ky është i vetmi premtim i imi. Nuk jam duke premtuar të mira materiale, nuk premtoj se do të bëj diçka madhështore, si të kem një shkop magjik.



TRIBUNA: Si qytetar i Delvinës, çfarë do të donit të korrigjohej, jo vetëm në qytet, por edhe në rrethin tuaj?

RENI BARJAMI: Në radhë të parë do të flas për gjëra që dua të jem i vetëdijshëm. Të gjithë duan që qyteti i Delvinës të marrë përsëri të njëjtin zmadhim që ka pasur, nga ana territoriale. Sigurisht, kjo nuk është në dorën time, por është në dorë të qeverisë. Të gjithë duan që qyteti i Delvinës të ketë rrugë kryesore, të ketë turizëm, e kështu me radhë. Është dëshirë e madhe e shumë njerëzve. Ajo që dua të korrigjoj unë është kjo: T’i rikthehet kultura. Ka mungesë të jetës kulturore në qytetin tonë. Të gjithë banorët e qytetit e kanë brenda në shpirt ndjenjën për të bërë gjëra të bukura, vetëm se duan vëmendje dhe këtë vëmendje do të punoj që ta rikthej. Dhe nëse u kushton vëmendje do të shikosh se aty është e mbjellë diçka. Ne duam të korrigjojmë atë traditë që e kemi mbyllur, ta shfaqim përsëri. Ne në Delvinë jemi njerëz me kulturë, me tradita të lashta, kemi pasur magazina të mëdha, godinë frigoriferi, kemi pasur një treg jashtëzakonisht të madh. Pse mos t’i kemi sërish këto?... Pse mos të rrinë në Delvinë të rinjtë dhe të punojnë? Fëmijët, të jetojnë në Delvinë, të mos shkollohen diku tjetër. Pse mos të ndodhë kjo, çfarë i mungon Delvinës? Asgjë. Të gjitha i ka. Mungon vetëm vëmendja dhe unë këtë vëmendje, siç thashë, dua ta kthej përsëri.



TRIBUNA: Në fakt, Delvina është nga qytetet më historikë të Shqipërisë, nga më të vjetrit. Dhe mendoj se meritonte diçka më shumë në këta 27 vitet e fundit...

RENI BARJAMI: Patjetër që meritonte. Po kush do t’i bënte? Ata që vijnë, rrinë dy orë dhe ikin?... që premtojnë dhe pastaj thonë “nuk e dija, nuk e mendova, më fal po e ka fajin ai që iku”?... Nga të njëjtat parti kanë qenë gjithmonë. Tani Delvina ka mundësinë që të ketë një parti e re. Dhëntë zoti që të kemi mendje dhe të kemi ndërgjegjje të pastër që të mos gabojmë si gjithë paraardhësit. Por t’i japim vëmendje këtij vendi dhe atë që e meriton ta shfaqim. Ndoshta nuk do të bëjmë brenda një kohe të shkurtër shumë gjëra, por jam shumë i sigurt që do të bëjmë diçka. Do bëjmë diçka që të kujtojmë atë që ka qenë Delvina, të kujtojmë prejardhjen se nga vijmë, të kujtojmë baballarët tanë, gjyshërit tanë; mos t’i lemë në harresë. Pasi, nëse ne i lëmë në harresë së gjithë të tjerët, atëherë ku do të jetojmë?... Pastaj unë nuk mund të bëj rolin e atyre të tjerëve, pse unë kam nënën time aty, kam familjen time dhe të gjithë ata dua që t’i bëj krenarë.



TRIBUNA: Optimizmin për zgjedhjen tuaj, e mbështesni vetëm te votat që do të merrni nga qytetarët e Delvinës, apo ju njohin edhe përtej kufijve të qytetit?

RENI BARJAMI: Unë dua të përmend atë që thashë gjatë prezantimit tim bashkë me zotin Ilir Meta: “Zemra e LSI-së është Delvina”. Pse e thashë këtë? Sepse e di që populli im, njerëzit që jetojnë në Delvinë më duan dhe duan të votojnë për emrin tim. Po unë kam shumë besim në marrëdhëniet që kam me njerëzit në Sarandë, në Ksamil, në Konispol, fshatrat e qytetet përreth, deri në Vlorë. Kemi njerëz që na duan, na mbështesim dhe prandaj jemi optimistë se do të dalim forcë e parë në qarkun tonë. Kam shumë siguri dhe besim për këtë.



TRIBUNA: Cili është mesazhi që do të donit të dërgonit te njerëzit nga të cilët prisni t’ju votojnë dhe që nesër të thonë paskemi bërë mirë që ia dhamë votën Reni Barjamit?

RENI BARJAMI: Fjala më e rëndësishme që dua t’iu them është: “Mos dyshoni. Mos rrini në pesimizëm. Unë e di që jeni të zhgënjyer, jeni të rënduar, jeni të mërzitur nga politika. Por mos dyshoni. Na e jepni këtë mundësi, që të gjithë së bashku të japim kontributin tonë në parlament. Për të mirën e vendit tonë, për të mirën e qytetit dhe të gjithë qarkut të Vlorës.

13 Qershor 2017

Madridi dënon “mashtrimin” në Katalonjë

Pavarësia e shpallur e Katalonjë dhe ndërkohë e pezulluar është një “farsë” që do të çojë në “përballje” ekonomike dhe sociale, deklaroi sot kreu i diplomacisë spanjolle.

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2