Tsipras: “Koha që Greqia të rikthehet në rrugën e zhvillimit ekonomik”

Tribuna

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka prezantuar propozimin e Athinës për sheshimin e mosmarrëveshjeve me kreditorët. Duke folur në konferencën e fondacionit Concordia në Athinë, Tsipras tha se në takimin e fundit të ministrave të financave u hodhën propozime që nuk ishin të mjaftueshme dhe se problemi kryesor që nuk lejoi gjetjen e gjuhës së përbashkët ishin vlerësimet e ndryshme ndërmjet FMN-së dhe Europës, lidhur me ritmet e zhvillimit të ekonomisë greke në plan afatmesëm dhe afatgjatë.

Kryeministri theksoi se rrjedhimisht ekziston mënyra që kjo mosmarrëveshje të sheshohet, mjafton të ekzistojë vullneti dhe sqaroi se nuk kërkohet që kjo të arrihet duke u tërhequr apo duke bërë një sy qorr njera nga palët, por të sheshohen në mënyrë thelbësore.

“Cili është çelësi që të arrihet konvergimi i shumëdëshiruar dhe sheshimi i mosmarrëveshjeve? Të ndërmarrë Europa angazhime konkrete dhe iniciativa –përtej zgjatjes së nevojshme të afatit kohor për maturimin e detyrimeve të Greqisë- iniciativa për programe investimi që do të ripërterijnë zhvillimin, do të krijojnë vende pune dhe do të sheshojnë përfundimisht në praktikë vlerësimet e kundërta për ritmet e zhvillimit ekonomik të ekonomisë greke ndërmjet FMN-së dhe institucioneve europiane”, nënvizoi Aleksis Tsipras.

“Ky objektiv është sot në qendër të diskutimeve”, tha Tsipras dhe shtoi se në fakt, ky është kontributi i palës greke në tryezën e negociatave.

Tsipras tha më tej se Greqia nuk shkon në tryezën e negociatave duke lypur dhe as duke u ankuar. Por po shkon duke pritur zgjidhje konkrete dhe të kapshme që mund të sheshojnë këndvështrimet e ndryshme të partnerëve, duke ofruar rrugëdalje. “Mund të japim rrugëdalje, mjaft që ta duan të gjithë. Mjafton të mos lejojmë që të na pengojnë qëllimet politike. Sepse edhe Europa, por edhe Greqia kanë nevojë sot për kalimin në një axhendë zhvillimore”, theksoi kryeministri grek.

Tsipras vuri në dukje se Greqia i ka shtruar kriteret mbi bazën e të cilave mund të gjendet një zgjidhje e pastër, e qëndrueshme dhe e drejtë. Ai shtoi se sa kancelarja gjermane Merkel aq edhe presidenti i porsazgjedhur francez Emanuel Macron, me të cilët diskuton, mbrojnë Europën e zhvillimit, Europën që nuk do të insistojë vetëm në masat shtrënguese dhe disiplinën fiskale. “Të paktën kështu deklarojnë”, nënvizoi Tsipras, duke shtuar se “është momenti të dëshmojnë se deklaratat mund të bëhen vepra”.

Kryeministri grek theksoi që “tani që ekziston momentumi i duhur ekonomik dhe politik, tani është koha e vendimeve të mëdha, kështu që Greqia të rikthehet në normalitetin europian, por edhe Europa të ketë më në fund një histori suksesi pas kaq krizash dhe kaq problemesh”.

Tsipras shtoi që kjo sigurisht do të vuloste suksesin, me fitimin nga Greqia të daljes në tregjet financiare, me kushte të qëndrueshme dhe me rehabilitim të plotë të besimit të investitorëve. “Dhe, nëse këto kritere përmbushen, besomëni, Greqia mund të transformohet me shumë shpejtësi”, përfundoi Tsipras.

08 Qershor 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2