Mitsotakis: Është e nevojshme të jepet zgjidhje për borxhin e Greqisë

Tribuna

Kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, ka kritikuar kreditorët e Greqisë, se nuk i kanë respektuar premtimet e tyre. “Kreditorët nuk i kanë mbajtur premtimet që dhanë në nëntor 2012 lidhur me borxhin. Është gjithashtu e vërtetë se borxhi i Greqisë u bë më pak i qëndrueshëm dy vitet e fundit. Është e nevojshme që të jepet një zgjidhje për borxhin, me qëllim që të mundim të shpresojmë për një zhvillim afatgjatë të ekonomisë”.

Duke folur në konferencën ndërkombëtare, organizuar nga fondacioni Concordia në Athinë, Mitsotakis iu referua edhe nevojës së thellimit të reformave.

“Kur flas për reforma, nuk kam parasysh vetëm liberalizimin e ekonomisë. Është e pakonceptueshme për mua që në këto momente që po flasim, qeveria po promovon një projektligj për arsimin, i cili e kthen vendin në vitet 1980. Kur flas për reforma nuk nënkuptoj vetëm hapjen e profesioneve të mbyllura apo promovimin e privatizimeve. Këto janë sigurisht të rëndësishme, mirëpo ndërhyrjet e thella që ka nevojë vendi kanë të bëjnë me arsimimin dhe kualifikimin e vazhdueshëm, me qëllim që punonjësit të kenë aftësitë e domosdoshme për t’iu përgjigjur sfidave profesionale.

Në fjalën e tij, Mitsotakis kritikoi ashpër edhe qeverinë, duke theksuar se është e nevojshme që Greqia të bindë partnerët e vet europianë dhe FMN-në dhe të avancojë në reformat strukturore.

“Është e qartë se qeveria e sotme, për shkak të kapjes pas ideologjisë, nuk mundet dhe nuk mund të jetë në praktikë e angazhuar për ndryshimet strukturore. Sa i përket pjesës fiskale, që është e lidhur direkt me qëndrueshmërinë e borxhit grek, duhet të rehabilitojmë kredibilitetin tonë si vend. vetëm atëherë do të mund të negociojmë me kreditorët një marrëveshje më të mirë të mundshme, jo vetëm lidhur me qëndrueshmërinë e borxhit, por kryesisht për suficitet primare që kanë të bëjnë me periudhën pas përfundimit të programit”.

08 Qershor 2017

FOTO GALERI


  • Organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahja”në 3 vjetorin e krijimit

  • SHQIPËRI-FRANCË: 1-0

  • “Vatra Labe” nderon mikun e shqiptarëve, shkrimtarin Dinos Kubatis

  • Qarkorja e re: Siguracioni dhe të ardhurat, pikat kyçe për lejet e qëndrimit

  • Shqipëri-Kosovë, mbledhja e përbashkët në Tiranë

  • Koferenca e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi

  • PREZANTIM LIBRI NE DETROIT

  • album2